Memorie.al publikon një reportazh të gazetarit të njohur suedez, Sven Aurén, të botuar në gazetën “Svenska Dagbladet” të Stockholmit lidhur me katër vizitat e tij në Shqipëri, duke filluar nga viti 1938 kur ai erdhi për dasmën e Mbretit Zog dhe për të përfunduar në shtatorin e vitit 1968 ku ai vizitoi për herë të fundit Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, pas një odiseje të gjatë disa vjeçare për të marrë vizën në ambasadën shqiptare në Paris, ku ai iu bashkangjit një grupi turistësh duke fshehur identitetin e tij.
Nga aeroporti i Rinasit ku ulej vetëm një avion në javë, banaku i lokalit te Hotel “Dajti” ku shërbehej vetëm raki dhe lëng limoni, shqiptarët të veshur njëlloj që janë i vetmi vënd në botë që mbajnë mbi komedinë një libërth të kuq të Mao Ce Dunit / Shënimet dhe mbresat e gazetarit suedez…
Përktheu Adil Bicaku, Stockholm
DREJT SHQIPËRISË
Motorrët ushtojnë, rrezet e diellit vallëzojnë mbi fletët e avionit, dhe poshtë në Adriatik shkëlqejnë patat e bardha. Pas nesh është zhdukur bregdeti Italian. Por në lindje, lart mbi horizont ngrihen vargmalet blu. Kjo që kemi përpara është Shqipëria: sateliti i Kinës në Europë, republika popullore staliniste e fundit në pjesën e botës sonë. Cilën ditë jave? Qartë një të martë, sepse vetëm të martat mundesh të udhëtosh për në Shqipëri. Ende në vitin 1968, ka një shtet në Europë – sa Belgjika me sipërfaqe – që është shumë larg posedimit të një agjencie të veten fluturimi dhe që nuk disponon as edhe një avion pasagjerësh. Janë italianët, që vendosin mbi frekuencën e trafikut. Një herë në javë fluturon një firmë italiane në linjën Romë-Tiranë dhe gjithmonë me një avion gjysmë të mbushur.
Çdo të martë ndodh e njëjta gjë në aeroportin e Tiranës, sapo ulet prej fluturimit, me njëherë duhet të shpejtoj për tu kthyer sërish, kështu që qëndrimi në aeroport nuk shkon as gjysmë ore. Ky avion, pra një herë në shtatë ditë drejtohet për rrugë drejt Shqipërisë sikur të ishte në shërbim transporti për furnizim me ushqim të ndonjë ekspedite të izoluar në polin e veriut, përbën të vetmen lidhje me Europën Perëndimore. Por që është edhe shumë e largët. Edhe pse distanca midis bregdetit italian dhe atij shqiptar përbën veç disa milje, ta matësh me nje matëse tjetër është pa mbarim. Qartë Shqipëria e sotme është një nga shtetet më të largëta të rruzullit.
Jam në avionin e Tiranës, kur shkruaj, si parathënie, këto shënime udhëtimi. Stjuardesat, të kënaqura se e dinë se së shpejti do të kthehen sërish në Romë, janë bujare si me buzëqeshjen ashtu dhe pijen. Ndërkaq ato nuk kanë nevojë të stërmundohen. Pasagjerët janë pak: një palë diplomatë italian, njëri nga të cilët shtrëngon një thes poste në gjoks sikurse një prind përqafon fëmijën e vet, një zotëri mjekrosh nga Sorbona, për të cilin thuhet se ka shkruar një artikull të veçantë entuziast mbi heroin kombëtar Skënderbeun dhe për këtë arsye është ftuar zyrtarisht nga shteti shqiptar si dhe disa shqiptarë që është vështirë të përcaktosh statusin e tyre. Së fundi lista e pasagjerëve përmban një udhëtim kolektiv në të cilin bëj pjesë edhe unë si turist midis tjerësh.
Po ç’ka të bëj një gazetar me një grup udhëtimi? Nuk është kollaj të hysh në kufijtë shqiptar. Ata janë më të mbyllurit në Europë, ndoshta në të gjithë botën. Ka shumë vite që shefa dashamirës të ambasadës janë përpjekur të më nxjerrin një vizë individuale. Aplikime, telefonata dhe në biseda private, pa përjashtim, të gjitha kanë rezultuar në përgjigjen e zakonshme të Shqipërisë, kur bëhet fjalë për viza për gazetarë të uritur perëndimor:- kërkesa është nën shqyrtim. Muaj dhe vite kalojnë, dhe nuk ndodh asgjë, dhe me kalimin e kohës dhe kjo mungesë reagimi merr një karakter pothuaj normal. Vetëm në Ambasadën e Parisit tashmë janë stivë kërkesat pa përgjigje të qindra gazetarëve. Por kur të kujtohen këto ngjarje, s’është zor të kuptosh që unë u habita, kur, rastësisht, pashë në një vitrinë të një agjencie të thjeshtë udhëtimesh, në Bulevardin Opera (Avenue de L’Opera), që ishte për shtetet e Lindjes.
Në një qosh të fshehtë, sikur nuk ishte qëllimi që të shihej, ndodhej një afishe, që lajmëronte mbi një udhëtim për në Shqipëri. Udhëtimi ishte dy javë me autobus, vizitë në të gjithë qytetet dhe komunitet e mëdha…Një pyetje me vend, me të vërtetë veçse të regjistrohesh, por nuk bëhej fjalë për nisje para se lista e pjesëmarrësve të miratohej nga ambasada shqiptare. Që ky institucion, që tashmë ishte bërë objekt i aq përpjekjeve pa rezultat, do të pranonte emrin tim në këtë rastin e ri duket natyrisht e pamundur. Por ndoshta një pasaportë të re me të dhëna të një profesioni tjetër, se sa këtë xhyben e kuqe të theksuar “gazetar”, p.sh. “shkrimtar”, nuk do të binte aq në sy?
Kjo ndodhi. Dhe, megjithatë, ky është shpjegimi që unë jam në rrugë për në një shtet komunist, i cili aq gjatë ka refuzuar të më pranoje. Unë shkoj me etiketën si grup turistik dhe kjo tingëllon ca vulgare. Por bashkudhëtuesit e mi nuk mund të konsiderohen si turistë të rëndomtë. Njerëz, që kërkojnë atë normalen, pothuajse nuk shkojnë në Shqipëri. Përveç kësaj grupi është i jashtëzakonshëm edhe në një tjetër këndvështrim. Shqiptarët janë i vetmi popull në Europë, që kanë mbi komodinë libërthin e kuq të Maos. Do të kishte qenë më e arsyeshme që studentët revolucionar të Sorbonës të shfrytëzonin këtë shans dhe të merrnin kontakt me një komb të inspiruar nga Kina. Mjaft e çuditshme që nuk ka asnjë të ri të atij tipi në grupin tonë.
Mos vallë kanë frikë se mos u shuhen iluzionet? Nuk ka as komunistë dhe as nga ata me prirje simpatizuese komuniste, që apriori kanë vendosur të gjejnë atë më të mrekullueshmen. Këta janë mësues dhe mësuese shkollash, një çift i ri jurist që është specializuar për kërkesë patentash në shtetet e Lindjes, një 78 vjeçar inxhinier më bashkëshorten, që bëjnë udhëtime të çuditshme gjatë jetës që u ka mbetur dhe një ish gjykatës nga Orleans i cili, është krejt i verbër dhe udhëhiqet nga bashkëshortja e kujdesshme e tij, e cila sheh për të dy dhe i tregon për çdo gjë. Është gjithashtu një burrë në moshën mesatare, postier me interesa të përgjithshme nga lagja e trembëdhjetë e Parisit, i cili ka një kohë të gjatë që është i inatosur sepse kurrë nuk gjente diçka për të lexuar për Shqipërinë në buletinin e mëngjesit. Ai vendosi ta marrë çështjen vetë në dorë.
Kryesisht është një grup simpatik francez kur janë për së mbari. Por edhe pse ende edhe në të ardhmen dukej e pamundur që një gazetar të kryente një vizitë individuale, dhe një grup udhëtarësh, ofron shansin e vetëm të hedhësh një sy përbrenda kufijve, natyrisht mund të këmbëngulësh se gazetari dhe udhëtim kolektiv s’kanë gjë të përbashkët. Në një diktaturë komuniste të këtij modeli ekstrem duket që një rrugëtim i tillë do të thotë se autoritetet dëftejnë atë që duan të dëftejnë dhe fshehin të tjerat. Që të shfrytëzoj plotësisht të paktën atë që lejohet të shoh, ndërkaq, kam ndërmarrë një numër masash përgatitore. Ka diplomatë të shteteve të ndryshëm, që kohët e fundit kanë qenë të stacionuar në Tiranë po ashtu edhe specialistë, të cilët kanë pasur shërbime të ndryshme në Shqipëri. Falë informatorëve të këtij tipi që jam armatosur me dijeni paraprake mbi situatën aktuale. Me këtë mes ka disa mundësi të krahasohet midis të tanishmes dhe të dikurshmes.
Ky është udhëtimi im i katërt në Shqipëri. … On revienz toujours (*Edhe një udhëtim tjetër, frëngjisht)
Në moshën e rinisë u njoha me një student shqiptar në Paris dhe më pas kalova një javë në shtëpinë e tij në Tiranë. Vizita më la aq përshtypje të forta, saqë unë disa vjet më vonë shkova prapë për të shkruar një libër mbi vendin. Vizitën e tretë e bëra pak para luftës kur unë udhëtova me veturë prej Stokholmi për të marrë pjesë në dasmën piktoreske të mbretit Zog me princeshën Hungareze Apony (Apponyi). Kjo qe në prill 1938. Menjëherë pas një viti u zhduk shteti shqiptar prej valëve të luftës, u shkretua, u copëtua dhe më në fund u kthye në formën e tanishme.
Kësaj Shqipërisë së djeshme që unë i kushtova aq shumë interes, qe një komb ballkanik i panjohur dhe primitiv me një milion banorë, që gjithnjë e quan veten Shqiptar: bijtë e shqiponjave. Me mbi dy të tretat male jo pjellorë dhe gati një të tretën pjesë kultivuese në lugina dhe rripa bregdetare, që gjithashtu një vend shumë i varfër. Gjatë gjithë historisë së tij ndodhej në rrugën e konflikteve të mëdha të interesave të fuqive të mëdha. Që shqiptarët, të cilët janë pasardhësit e ilirëve, mundën të ruajnë si gjuhën e vet ashtu edhe veçoritë kombëtare-p.sh. zakonet e jetesës bile edhe fizionominë-është një mrekulli!
Direkt apo indirekt ata kanë qenë gjithnjë të kolonizuar. Ata janë sunduar nga grekët, romakët dhe Bizanti. Në pesë shekuj me radhë deri më 1912 vendi ishte pronësi turke. Gjatë luftës së parë botërore shërbeu si fushë beteje e ushtrive të superfuqive. Në vitet 1920 për të parën herë fitoi, të paktën dukej, një si formë pavarësie politike. Struktura sociale ishte feudale me një numër prijësish të pasur malësore si figura dominuese. Më 1928 prijësi malësor Ahmed Zogu mundi t’i bindë prijësit tjerë të fortë të pranonin formimin e një monarkie ku ai shpallet mbret me emrin Zogu I.
Tragjedia e përhershme e vendit është se kurrë nuk ka mundur të mbijetojë pa një financier të huaj. Zogu qeveriste por Mussolini paguante, që e shndërroi mbretin e parë të vendit në vasal Italian. Më 1939 vasali nuk u tregua aq i bindur prandaj e dëbuan, dhe vendi u kthye në një koloni italiane. Por gjatë vizitë sime në vitet tridhjetë pati ende fronin të pa prekur të vendosur në një sallon në pallatin mbretëror në Tiranë, që dukej si një vilë mesatare e Djurs’holmit (Djursholm)* Lagje me vila në periferi të Stokholmit. Banon klasa e pasur. (shën. përkth.)
Kur je ulur kështu në një kolltuk të avionit në rrugë drejt një Shqipërie të re që njohuritë për te janë veç të karakterit teorik, është e natyrshme, që të kaluarat të dalin parasysh si shfaqje. A ka mbetur më diçka nga shteti magjepsës Ballkanik? Por peizazhi madhështor i vendit duhet të ketë mbetur po ashtu:
Malet aventuriere, rrugët me serpentina, ata liqenet blu të thellë në Shkodër dhe Pogradec, urat e gurit të përkulura si mace zemërake në rrëpirën e grykave, shqiponjat, që fluturojnë rreth kreshtave të maleve masive, ato luginat e gjelbëruara me fushat e tyre me lule dielli, duhan dhe misër….. Por njerëzit, atmosfera? Para lufte, udhëtarët që shkonin në Shqipëri përbënin një numër mjaft të vogël dhe në vendet e tyre ata konsideroheshin si ekstravagantë, romantikë ose aventurier.
Në Shqipëri ata ishin mbretër. Ata priteshin si miq të nderuar. Të pasur dhe të varfër konkurronin për t´u hapur dyert, shkëlqenin nga kënaqësia, gatishmëria ishte totale. Bujaria qe ngritur në dogmë fetare. Nga njëherë, bile, ndodhte që edhe gjakmarrja lihej me një anë, e cila ishte e dhimbshme, dhe që e shkretonte vendin si kolere dhe çonte në zhdukje si familje ashtu edhe fise. Nëse viktima, që duhej të vritej, arrinte të hynte brenda në shtëpinë e hasmit para se ai të arrinte ta qëllonte, përfitonte nga zakoni i mikpritjes sa kohë që të qëndronte aty.
Shqiptarëve u pëlqente t´i fotografosh dhe dëshironin të jepnin dhurata. Na jepnin peshqeshe kudo që shkonim. Njerëz fukarenj – shumica ishin pothuaj aq fukarenj sa s´ta merrte mendja-silleshin me një krenari të denjë madhështore. Zhelamanët shëtisnin në rrugën e katundit si princa. Përsa i përket ngjyrave të dukej se tabloja ishte sublime. Mua më kujtohet tregu i Shkodrës një mëngjes të prillit: Malësorët me tesha të bardha leshi deleje, xhamadanë të zi pa mëngë dhe qeleshe vezake në kokë, gra me balluke të drejta katran të zeza dhe rrobe të mundimshme, që të çonte mendjen tek eskimezët e Greonlandës.
Gra nga Malësia me flokët të lyer me vaj dhe me thekë në ballë dhe një brez të çuditshëm me pafte, çapraze, nizamçe serme dhe thumba kallaji ….Ky karnavali shqiptar, që s´ishte ndonjë karnaval përveç se një ditë e zakonshme shumëngjyrëshe, do të magjepste një historian të veshjeve. Kësi pamjesh sheh edhe në vende tjera në Ballkan por në asnjë vend ishin aq intensive dhe fantastike si në Shkodër. Kjo varej nga izolimi i një shteti të vogël, që Evropa e kishte harruar fare.
Edhe Mbreti Zog, i cili kurrë nuk deshi të quhej “Mbreti i Shqipërisë”, insistonte të quhej “Mbreti i Shqiptarëve” duke menduar për minoritetet shqiptare në Greqi dhe Jugosllavi. Unë e shoh atë, natën e dasmës në pallat në Tiranë: një Buster Keaton* Artist amerikan 1895-1966. (shën. përk.) shqiptar me një fytyrë të ngurtë pa emocione, dhe i mbuluar me dekorata sa që ylli shkëlqyes varet deri poshtë cepit të kapotës së uniformës. Pranë këtij kalorësi me pamje serioze një vajzë e gjatë, bukuroshe shtathedhur që duket jashtëzakonisht e ngazëlluar se është bërë mbretëreshë edhe pse në një Monarki operete. Mbrapa çiftit një italian i fryrë me uniformë fashiste me gjoks përpara dhe me një buzëqeshje vetëkënaqësie në fytyrën e tij të shëndoshë: dhëndëri i Mussolinit, Konti Ciano. Konti ishte kumbarë i martesës. Asnjë nuk mund t´a imagjinonte ç´farë fati i priste.
Ky kumbara do të rikthehej së bashku me një ushtri pushtuese dhe do t´a detyronte çiftin mbretëror në mërgim, dhe ai vetë pas disa vitesh do të ulej në karrige në një vend ekzekutimi në Italinë e Veriut dhe të pushkatohej pas shpine si tradhtar. Atmosfera qe madhështore, edhe pse pati ndonjë kukuvajkë si p.sh. ministri francez, i cili nuk mundi t´a përmbante veten dhe u gajas me zë të lartë kur pa dhuratat e dasmës: gjashtë kuaj shale nga shteti Hungarez, një anije më motor nga Duçja (Il Duçe) dhe një Mercedez nga Hitleri. “Dhuruesit duket se kanë pasur të njëjtin mendim në kokë: Më mirë t´u japim diçka, që t´u shërbej në rast se detyrohen të lënë vendin”. Vallëzimi filloi me tonet e orkestrës së Oborrit Mbretëror dhe një orkestre arixhinjsh, të cilët i kishte sjellë nusja nga Budapesti.
Përfaqësuesit diplomatik nga njëzet kombe, kërcenin vals me zonjat e aristokracisë shqiptare, ndërsa muret rrethoheshin nga prijës malësorë të veshur me kostume kombëtare të qëndisura më flori dhe me pistoleta brez. Disa nga ata kompletonin pistoletat me një stilograf floriri që në atë kohë do të thoshte se personi në fjalë dinte të shkruante. Maja e minareve ishin dekoruar me prozhektorë dhe vargje zbukurues. Balona të mëdha me portretin e çiftit mbretëror silleshin mbi çatitë e shtëpive dhe në aeroportin e Tiranës hodhën fishekëzjarre të shkëlqyer të markës më të mirë italiane.
Aeroporti i Tiranës… Ne jemi tashmë aty. Lidhni rripin e sigurisë, fikni cigaret, signores et signorinas. Kryeqyteti i Shqipërisë shtrihet brenda një kazan malesh. Avioni zhytet poshtë deri në fund dhe prek tokën. Ka qenë në mbrëmjen e dasmës së Zogut kur unë pashë këtë aeroport herën e kaluar. Atëherë ishin një mori njerëzish të gëzuar që admironin raketa e fishekzjarre në qiell. Atëherë nuk shihej ndonjë aeroport përveç se vetëm njerëz. Po tani? Unë shikoj përreth nga dera e hapur. Tani është i shkretë si një shesh i braktisur për zbritje emergjente. Asnjë aeroplan tjetër përveç tonit. Asnjë njeri përveç se një ushtar melankolik, që është mbështetur në pushkën e tij. Asnjë ndërtesë me përjashtim të një shtëpie si kioskë të kurorëzuar me një yll të kuq.
Shqipëria në shtator 1968
JETA NË TIRANË
Hoteli më i mirë i Tiranës dhe Shqipërisë quhet “Dajti” sipas emrit të njërit mal më të lartë nga ata që rrethojnë kryeqytetin. Ndërtesa nga jashtë është diçka madhështore, që ndahet prej bulevardit të gjere nga një perde pishash. Por nuk qenë shqiptarët, që e ndërtuan, por italianët. Këta të fundit bënë çuditërisht shumë, gjatë kohës së shkurtër si zotërinj të vendit. Salla e hyrjes është shumë e madhe, veshur me mermer dhe shumë formale, dhoma të këndshme, higjiena le për të dëshiruar. Ashensori – hoteli i vetëm i Shqipërisë me ashensor- është jashtë përdorimi, por pastruese me fustane të zeza, përparëse të bardha dhe flokët topuz, bajnë valixhet e mysafirëve nëpër shkallët ndërsa meshkujt e personelit bëjnë sehir.
Okupacioni turk që vazhdoi 500 vjet, ka lënë gjurma ende deri më sot. Hotel “Dajti” është i rezervuar për të huaj, ndërsa banorët e vendit e kanë të ndaluar. Shqiptarët, që janë ulur në sallë ose që mbështeten në barin e trishtuar, janë policë me veshje civile dhe në fytyrat e tyre nuk mund të lexosh diçka. Atmosfera përgjithësisht është e rëndë dhe karakterizon Republikën Popullore tërësisht. Portieri përshëndet mysafirët e ri pa asnjë orvatje për një buzëqeshje, nuk dallon as shkëlqim në sytë e shërbyesit. Kamerieri i barit, një burrë në moshën mesatare duket sikur ka varrosur dikë të afërt sot paradite, dhe në raft një rradhë shishesh si urna në një kolumbarium*Raft ku ruhen urnat me hirin e të vdekurve. shën. Përkth).
Ato shërbejnë vetëm si dekor. Nuk mund të porosisësh pije përkatësisht (ëisky, konjak, sherry etj.), veç se klientët detyrohen të zgjedhin raki ose lëng limoni. Dhe me një gotë raki përpara- rakia më e mirë shqiptare, që thuhet kalimthi, bërë prej manaferre –nëse shfleton në ca broshura, që shoqërojnë me çelësin e dhomës. Reklamë për hotelin? Propagandë turistike për Shqipërinë? Asgjë. Njëra flet mbi “tradhtinë e Rusisë ndaj komunizmit” dhe tjetra i bën thirrje, për vigjilencë, botës socialiste: “Kuçedra kapitaliste ngrenë kryet në Çekosllovaki”.
I kthej shpinën këtij barit të gëzuar…dhe nisem për në qytetin me emrin e bukur. Se çfarë konstaton një rrugëtar në Tiranë, i cili para lufte, kur dilte nga hoteli, ishte zhurma e rrugës.
Taksitë dhe veturat private i binin burisë pa ndalur, por kishte edhe tjetër lloj zhurme trafiku: një shumicë e madhe karroca kuajsh, shkatarraqe, që i kishin pajisur me buri veturash dhe karrocierët u binin më zellshëm sikurse automobilistët, një mori gomerësh që përdoreshin për transporte dhe kontribonin në ulërimën e madhe të koncertit, qerre dhe karro, të ndryshme, katër rrotëshe, tregtarë ambulantë, që u binin zileve, muzikantë rrugësh…Përveç asaj rrugët e këqija automobilistike bënin të veten që kakofonia të arrinte maksimumin. Zhurma ndoshta bënte një përshtypje irrituese, por njëkohësisht pasqyronte një jetë të gëzuar në një kryeqytet, që ishte një katund Ballkanik shumë i madh.
Çfarë ndesh njeriu tashti, heshtjen. Është e çuditshme dhe e pa imagjinueshme. Hotel “Dajti” ndodhet në rrugën kryesore, i cili gjatë okupacionit italian u ri-pagëzua nga Bulevardi Zog në Bulevardi Mussolini dhe tani quhet Bulevardi “Stalin”. Ai është i gjerë si Chams-Elysées*Bulevard i madh në qendër të Parisit. (shën. përk). dhe mjaft i mirëmbajtur: asnjë mbeturinë, asfalti shkëlqen si një pasqyrë. Në njërën anë qëndron një monument që paraqet Stalinin, në anën e kundër duket Lenini, ndryshe bulevardi rrethohet nga shtëpi të reja dhe mjaft pompoze, të kombinuara me parqe. Atje larg një hapësirë e madhe, shesh i rrumbullakët ku heroi kombëtar i Shqipërisë Skënderbeu me përkrenaren e tij të famshme kontrollon situatën prej një kali bronzi me këmbët e para në ajër. Nuk mund ta mohosh që Tirana është zbukuruar.
Por nëse në barin e Hotel “Dajti”-t sundon një atmosferë si në një dhomë varri, në Bulevardin “Stalin” mbizotëron qetësia e vërtetë e varrezave. Unë nuk e ekzagjeroj. Heshtja lidhet me situatën e trafikut ose drejt me thënë mungesen e trafikut. Bulevardi është bosh: as automobila, karroca kuajsh, qerre apo gomar dhe pothuaj se as dhe njerëz. Qe një ditë jave nga ora katër pas dite që unë e konstatova për herë të parë. Një grua shtynte një karrocë fëmije në midis të xhadesë ku disa fëmijë loznin pafkash, dhe një burrë i vetëm qëndronte pa lëvizur dhe lexonte “Zëri i Popullit” e cila është “Pravda” e Shqipërisë. Si një turist në Sahara, prita gjatë që të dukej ndonjë automobil, dhe më në fund munda të shoh një kamion dhe një “Mercedez” elegant me perde të bardha të mbyllura, pas tyre fshihej ndonjë funksionar i lartë komunist. Asnjë motoçikletë, nja dy- tri biçikleta.
Në sheshin “Skënderbej” pret një tjetër përjetim. Në shesh shërbente një polic me një shkop të bardhë gome. Ai është i vetmi polic trafiku në Shqipëri, dhe ky i shkreti s´ka asgjë për të dirigjuar. E ndjej nevojën për t´a ndihmuar ashtu sikurse Çestertoni * (Chesterton) Gilbert K. Chesterton 1874-1936 shkrimtar dhe poet britanik. (shën. përk).tregon se si një turist anglez ndihmoi një faturino hekurudhe gjermane, që dukej se ishte shumë melankolik. Duke blerë një biletë për në lagjen më të afërt dhe t´ia japë që ta presë, e bëri nëpunësin e dëshpëruar të gëzohet.
Një shpallje në hotel thotë se ka biçikleta me qira. Nëse unë do t´a kisha zbatuar lajmin e shpalljes, dhe të kisha kaluar përmes sheshit “Skënderbej” me biçikletë, edhe unë do të kisha kryer një vepër të mirë njerëzore. Është kollaj të ironizosh, por mungesa e trafikut ka vetvetiu një shpjegim të natyrshëm. Shqipëria e kuqe është një komb në skamje, që i mungon pothuaj çdo gjë dhe veçanërisht valutat e huaja.
Automobila, motoçikleta dhe biçikleta nuk prodhohen në vend dhe duhet të blihen nga jashtë dhe të paguhen më para të tjera dhe jo lekë, që është monedha shqiptare. Në këtë situatë kënaqen, të blejnë makineri të domosdoshme, d.m.th. autobusë dhe kamionë (plus një pjesë vetura për zotërinjtë e vendit) dhe kufizimin e importimit të biçikletave deri në minimum. Ndërkaq, karrocat, qerret dhe gomerët, konsiderohen se bëjnë një përshtypje prapambetjeje dhe janë të ndaluara në qendër të kryeqytetit për arsye prestigji. Rezultati: bosh dhe heshtje.
Fshesa komuniste ka fshirë shumë gjëra të tjera. Janë bërë mjaft ndërtime në Tiranë gjatë këtyre 20 viteve të fundit, dhe janë ngritur zona të reja moderne banimi. Rrëmuja e rrugicave dhe shtigjeve në periferi të sheshit “Skënderbej” është pothuaj njësoj si përpara. Por çdo gjë që i jepte qytetit ato ngjyra dhe atë joshje është zhdukur: dyqanet e vegjël të panumërta dhe të zotët që rrinin përjashta tyre dhe pinin duhan me çibuk të gjatë të punuar bukur, gratë e mbuluara, që rrinin galiç prane mureve, katundarët, me veshjet e tyre të rralla, që vinin nga malet e larta, rreckamanët e shkretë, dhe bajraktarët krenar me kuajt e bukur, mizëri fëmijësh lypës, aroma e ëmbël e kafes turke, që përhapej prej qindra kafenesh të vogla…..
Gjithë Tirana mbante aromë kafeje në atë kohë. Tashti qyteti nuk ka asnjë aromë. Të gjithë njerëzit duket njëlloj: burrat janë veshur me pantallona të errët dhe këmisha të bardha dhe gratë mbajnë fustane pambuku, por duhet thënë se sipas rrobave nuk të duket se ka varfëri të theksuar. Njeriu nuk ndiqet më as nga turma fëmijësh lypës. Jo pse mungojnë fëmijë. Përkundrazi. Në Shqipërinë e sotme nxitet lindshmëria në të gjitha mënyrat, dhe falë kësaj politike është shtuar popullsia nga një milion në një e gjysmë që pas lufte.
Kryeqyteti ka 135 000 banorë në krahasim me 35 000 në vitin 1945. Sheh fëmijë kudo po ashtu edhe gra shtatzëna. Me shami të kuqe për qafe, dhe me flamur të kuq përpara rreshtit në formë repartesh ushtarake marshojnë të rinjtë, duke kënduar këngë antiimperialiste, dhe quhen “Pionierët e Kuq”./ Memorie.al