Zaev për New York Times: “Jo”-ja e negociatave më ka shkatërruar edhe personalisht

“Ata ndezën dritat e kuqe dhe na lanë në errësirë. Kush e di ku shkojmë kështu“. Pas refuzimit të negociatave nga Franca, liderët e rajonit shqetësohen për stabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor

Pak muaj më parë, udhëheqësi i Maqedonisë së Veriut i lavdërua nga liderët botërorë anembanë, pasi dha në shembull të rrallë, duke çuar vendin në kompromise si ndërrimi i emrit, shkruan New York Times.

Ai, madje ishte në një listë propozimesh për Çmimin Nobel të Paqes. Kryeministri Zoran Zaev ka një karrierë të bujshme politike që e ka vulosur me zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje tre-dekadëshe  me Greqinë fqinje. Dhe përmes diplomacisë – e cila di të jetë edhe e mundimshme – kishte pasur sukses.

Por ndërsa qëndron ulur jashtë zyrës së tij në Shkup, të gjitha këto i duken pak. Ndryshimi i emrit pritej të hapte rrugën e bisedime për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por muajin e kaluar, Franca votoi kundër, duke argumentuar se procesi i zgjerimit të bllokut duhet të rimendohet.

Kjo e hodhi qeverinë maqedonase në luhatje, dhe për më keq, po shtrëngon status quo-në në një rajon ku ka ekzistuar një paqe “e rëndë” që nga shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë në vitet ’90 dhe luftërat që pasuan.

“Kjo më shkatërroi personalisht, psikologjikisht”, thotë Zaev për New York Times, i cili po tërhiqet nga pozita e tij.

Ky vendim ishte shqetësues jo vetëm për veten dhe vendin e tij, por edhe për stabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor.

“Nacionalizmi dhe radikalizmi mund të ringjallen”, tha ai. “Ekziston rreziku që të hapen përsëri konflikte brenda vendeve”, shton Zaev.

Që nga përfundimi i luftërave ballkanike, konflikti më vdekjeprurës në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore, integrimi i vendeve të ish-bllokut Jugosllav në BE është ëndërr në sirtar.

Por për Zaev, rrugëtimi nuk është vlerësuar drejt. Sllovenia dhe Kroacia tashmë janë në BE. Mali i Zi dhe Serbia po punojnë në reformat e kërkuara para anëtarësimit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut thjesht po përpiqen të fillojnë rrugën e gjatë për t’u pranuar.

Dy vendet e tjera të rajonit, Kosova, dhe Bosnja dhe Hercegovina, nuk janë aq larg, kur kihet parasysh se çfarë kanë kaluar. Qëllimi i procesit të zgjerimit, siç thonë mbështetësit e Zaev, është të sigurojë udhëzuesit për qeverisje më të mirë.

“Ne jemi udhëhequr nga dritat që na janë dhënë nga Evropa“, thotë Zaev. “Tani ata ndezën dritat e kuqe dhe na lanë në errësirë. Kush e di ku shkojmë kështu“.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Evropën Lindore lidh vendet e mëparshme komuniste me Perëndimin, duke zvogëluar ndikimin rus, por tashmë ka shenja se minimi i Maqedonisë së Veriut po bën që liderët në rajon të rishqyrtojnë pozicionet e tyre.

LEXO EDHE  Denoncimi: Bashkia e Korçës mban peng dëmshpërblimin për 288 familje

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me një bllok ekonomik të udhëhequr nga Rusia, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli se marrëveshja mund të rrezikonte ofertën e saj të anëtarësimit.

“Ne duhet të kujdesemi për veten”, i tha ai Financial Times. “Kjo është mënyra e vetme.”

Diplomatët perëndimorë shprehën shqetësime pasi Serbia kreu stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë, ku kjo e fundit prezantoi sistemin raketor S-400 dhe Pantsir-S.

“Ne po flasim për sisteme fantastike”, tha Vuçiç. “Nëse do të kishim S-400, askush nuk do të guxonte të kapërcejë Serbinë.”

Ai njoftoi planet për të blerë armë, duke i thënë televizionit shtetëror se ai nuk do të lejojë që Serbia të “ishte aq e dobët sa ishte në vitet 1990”.

Matthew Palmer, i dërguari amerikan për Ballkanin, paralajmëroi se Serbia mund të rrezikojë sanksione për marrëveshjet e armëve me Rusinë, me dënime që fillojnë nga ndalimet e vizave deri në mohimin e licencave të eksportit.

Konkurrenca me Rusinë nuk e ka ndaluar Presidentin e Francës Emmanuel Macron të vonojë zgjerimin e Bashkimit Evropian. Pozicioni i tij pa dyshim ka të bëjë shumë me politikën e brendshme, dhe dëshirën e tij për të mbajtur nën kontroll nacionalistët.

Bratislav Grubacic, botuesi i “Danas” në Beograd, tha se tashmë ishte kryer dëm i madh. “Nuk është rastësi, Zaev dhe Vuçiç do të shkojnë në Moskë më 4 dhjetor për t’u takuar me Presidentin Vladimir Putin”, thotë ai.

Edhe para vendimit të Francës, kishte shqetësime në rritje për Rusinë, kahja e së cilës po bëhet gjithnjë e më agresive në Ballkan.

Gjatë një interviste tjetër, Srdjan Darmanovic, Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, tha se ndalimi i zgjerimit të NATO-s nuk ishte qëllimi i vetëm i Rusisë.

“Shpesh kam thënë që NATO nuk është objektivi kryesor i Rusisë, por vet BE-ja si union më i butë“, tha ai.

Në pamundësi për t’u mbështetur në Bashkimin Evropian, Vuçiç dhe udhëheqësit e tjerë të Ballkanit kohët e fundit kanë folur për ndërtimin e një bashkëpunimi më të madh rajonal.

Pas shtyrjes së bisedimeve të pranimit, Zaev njoftoi se qeveria e tij do të tërhiqet në janar, për tu zëvendësuar nga një qeveri teknokratike deri në zgjedhjet e prillit.

Kur u pyet se vendosi të ndërmarrë një hap kaq dramatik, ai tha se nuk kishte zgjidhje. “Nëse nuk bëjmë thirrje për zgjedhje, nacionalizmi do të rritet”, thotë ai. “Jam i tmerruar”, përfundon Zaev.