Arena Kombëtare/ Stadiumi i ri mbi gjakun e punëtorit dhe “kullën orgji” të politikanëve

Nga Boldnews.al

Sot politika është në histerizëm. Të gjithë në stadiumin e ri, si “patriotë” të flaktë që për  90 minuta brohorasin për Kombëtaren e Futbollit, detyrojnë kameramanët të përqëndrohen në fytyrat e stërpara të tyre dhe shfaqen me simbolet e vendit. Mbulojnë me propagandë një vepër që ka marrë jetë njerëzish, rrëmbyer mbi 60 milionë euro dhe ku bëhet “orgji politike” mbi një kullë.

Jemi në stadiumin me tre emra si; “Arena Kombëtare, “Air Albania” apo “Qemal Stafa”. Por ky objekt i mallkuar, që sot lartëson më shumë politikën sesa qëllimin për të cilin është ngritur, nuk shihet dot me sy nga familjarët e 40-vjeçarit të ndjerë Naim Idrizi. Ai është  “dëshmori” i vërtetë i kësaj vepre. Vdiq me 30 mars të këtij viti teksa punonte në atë stadium. Nuk i mbijetoi plagëve të rënda dhe u dërgua i vdekur në spital, edhe pse policia dhe strukturat e tjera të shtetit në fillim u kujdesën që kjo ngjarje të mbahej e fshehur.

Asnjë cimbim i vogël për kompaninë “Alb-Star” që kryente punimet. Edhe pas interesimit të “Boldnews.al” mbi këtë kompani injoroi kërkesën për informacion, duke vijuar sërish punimet, ku vetëm pak ditë mbeti e pezulluar, sa të harrohej ngjarja e dhimbshme e humbjes së një jete punëtori të varfër e fatkeq.

Asnjë brejë ndërgjegje për bosët e vërtetë të një stadiumi që i ngjan një “molle të ndalueme” për shumicën qytetare. Vjedhje, jetë të humbura, histori e varrosur nga fadromat dhe bashkëpunim mes “armiqëve qeveri-federatë”, të cilët kur u jepet mundësia për afera, bëhen miq e shkuar miqve. Mjafton që çdo objekt të ketë brenda idenë kryeministrore, por çdo gjë tjetër mbulohet.

Nuk dihet se si ka qenë hëna kur kryeministri Edi Rama skicoi atë stadium sipas dëshirës së tij, që epiqendra është kulla, ndërsa stadiumi mbetet si “aksesor” mbështetës i saj. Ai objekt sot është gati për të pritur ndeshjen me kampionët e botës, Francën. Gjithë kërshëri është edhe çasti se kush do shënojë i pari në këtë stadium, kjo më shumë për statistikë, pasi ai që shënoi, edhe pse me “hernie diskale” dhe me mjekër të gjatë bardhoshe ishte Edi Rama.

Në pasditen e së premtes për gati 30 minuta ai u shfaq live në ERTV dhe disa televizione lëpirake, lokale e kombëtare, që trensmetonin imazhet. “Akustika është fantastike”-thonte piktor kryeministri- “Duhet të jepni shpirtin në fushë”-u sugjeronte ai futbollistëve që dukeshin se ishin nxjerrë nga regjimi me pahir, vetëm për të qenë dekor për propagandën e kreut të qeverisë. Në fund ai provoi dhe shënoi, ku edhe portieri që sot mburren shqiptarët Thomas Strakosha, hidhej në një krah, që ai top që mezi preku fundin e rrjetës të quhej “goli kryeministrit”.

LEXO EDHE  Vdekja e shqiptarit në burgun grek, familjari hedh dyshime të forta: Mund ta kenë vrarë gardianët

Nuk kishte si të mungonte Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, që krah kreut të qeverisë hapej gjoksit edhe ai, duke treguar “trimëri” sesi kishin arritur në kohë rekord të kryenin punimet, cilësinë e stadiumit, apo praninë e madhe të tifozëve. Ata do të jenë të shumtë, por jo krejtësisht qytetarë sportdashës, apo pjesës së grupimeve të tifogrupeve të njohura. Jo, sot është dita e polikejve, familjarëve të tyre, miqësisë, shoqërisë, “kurvërisë” që bërtasin “O sa mirë me qenë Shqiptarë…”. Ata e kanë siguruar të drejtën për të qenë të pranishëm në këtë ndeshje. Biletat ishin malli në duart e “Don Dukës”, sikurëse e ka konsideruar shpesh nënkryeministri Erion Braçe.

Kur flitet për futboll, nuk mungojnë asnjëherë Duka dhe Braçja. Cimbimet mes tyre vijuan edhe në ditët e fundit. Nënkryeministri u bë bishë e vërtetë kur Federata Shqiptare e Futbollit nuk do e quante më “Stadiumi Qemal Stafa”, por “Air Albania”. Këtu Braçja nuk fal kur bëhet fjalë për herojtë dhe dëshmorët e atdheut të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mjafton që ata të kenë qenë me ideale komuniste dhe ai si një pinjoll i denjë bëhet bishë nëse u preket sadopak imazhi. Por ky nënkryeministër nuk u ndje kur fasada e stadiumit e cila ishte edhe “Objekt i Kulturës që ‘mbrohej’ nga Shteti” u shkërmoq i gjithi. Nuk pati qoftë edhe një cicërimë të vogël kur një 40-vjeçar humbi jetën përgjatë kryerjes së punimeve dhe askush nuk mbajti përgjegjësi.

Atij nuk i del inati se përse stadiumi nuk quhet “Qemal Stafa” por me emër komercial si “Air Albania”, edhe kjo një kompani ajrore e cila lindi dhe po rritet me frymën e të “madhit” Edi Rama. I ra disa herë “bilbilit” nënkryeministri, por askush nuk ja dëgjoi reagimin, por u mjaftuan me shpikje allafederatë që tribuna të mbante emrin “Qemal Stafa”, ndërsa tre sektorët e tjerë, emrat e futbollistëve të njohur që ka nxjerrë vendi.

Sonte është momenti që ai stadium të mbushet me politikanë, drejtorë, biznesmenë, familjarë e të njohur të tyre, të ftaur special dhe këngëtarë qokash si A.Gjebrea që të rrëmbejnë mijëra euro për shfaqje të cilat argëtojnë bosët e vendit. Argalisuni mbi paranë publike, shkilni gjakun e “herojve” të vërtetë si ai i 40-vjeçarit punëtor dhe ngijuni me paranë publike, pasi sportdashësit sot i përzutë nga stadiumi dhe i latë nëpër ekrane për të duatrokitur jo sportistët, por politikejtë!