Amarilda Leka e arrestuar nga policia për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të renda”, rezulton me precedentë të ngjashëm të mëparshëm. Leka, dikur ish-sekretare e shtabit elektoral e Milenao Haritos, ish-ministre e Inovacionit në qeverinë Rama 1, është dënuar nga Gjykata e Tiranës për një rast të ngjashëm dy vite më parë.
“Kjo shtetase ka mashtruar shtetasin B. Z., me banim në Tepelenë, duke i marrë 50 000 euro, me pretendimin se ishte juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte pranë trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe në Gjykatën e Lartë për të nxjerrë nga burgu shtetasin A. M., i dënuar me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese që kishte kryer në Memaliaj, në vitin 2015, i cili është duke vuajtur dënimin në IEVP Bënçë, në Tepelenë”, njoftoi policia këtë të premte.
Dënimi
Në vitin 2017, Amarilda Leka e akuzuar se kishte marrë 42.500 euro nga familjarët e të burgosurve në këmbim të premtimit për lirimin e tyre është dënuar nga gjykata e Tiranës me dy vite e gjashtë muaj burg.
E pandehura, e cila ishte ndaluar në vitin 2015 pas denoncimeve ndaj saj dhe është hetuar më vonë në një masë tjetër sigurie, është dënuar në përputhje me kërkesën e prokurorisë.
Leka ka qenë sekretare e shtabit elektoral të ministres Milena Harito, ndërsa të dëmtuarve u prezantohej edhe si e fejuara e djalit të një ministri.
Prokuroria e ka akuzuar Amarilda Lekën se ka kryer veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që kryejnë funksione publike dhe akuzën e kallëzimit të rremë”.
Hetimi ka nisur në datë 01.10.2015 te Prokuroria për Krime të Rënda dhe më pas dosja është transferuar te Prokuroria e Tiranës. Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetases Amarilda Leka dhe të babait të saj.
Kallëzimi rezultoi i rremë dhe autorja doli se ka konsumuar veprën penale “kallëzimi i rremë” dhe “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nuk është provuar deri tani që paratë e marra prej Lekës të jenë dhënë për ndonjë zyrtar shtetëror. Pikërisht pasi ajo nuk mbaronte punë, personat që jepnin paratë i kërkonin ato pas, edhe duke e kërcënuar.
Nga hetimet ka dalë se në datë 30.09.2015, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë ka bërë kallëzim shtetasja Amarilda Leka, e cila ka studiuar për Drejtësi, në lidhje me kërcënime që i janë bërë nga një shtetas i quajtur Z.Gj., me qëllim marrjen e një shume prej 24.500 eurosh.
HETIMET
Marrja e 24.500 eurove
Sipas hetimeve, ka rezultuar se Leka ka njohje me një shtetase, të identifikuar me emrin “S”, e cila ushtronte aktivitet privat si estetiste, në një pallat të ndodhur në rrugën “X”. Fillimisht shtetasja “S” ka ushtruar të njëjtin aktivitet në një ambient të ndodhur në afërsi të restorant “Z”.
Prej pesë vitesh, kallëzuesja Amarilda ka qenë kliente e rregullt e shtetases “S”. Në këto kushte të dyja shtetaset kanë krijuar një marrëdhënie të ngushtë me njëra-tjetrën.
Rreth fillimit të muajit gusht 2015, shtetasja “S”, për shkak të arsimit juridik të kallëzueses, i ka prezantuar kësaj të fundit një rast të një të afërmi të saj, i arrestuar për veprimtari të paligjshme me lëndë narkotike, të quajtur XH.Gj.
Shtetasja “S” i ka kërkuar kallëzues që të takonte me të afërmit e të arrestuarit për të biseduar mbi çështjen. Ditët e para të gushtit 2015, kur shtetasja Amarilda ndodhej në qendrën estetike të shtetases “S”, kjo e fundit i ka kërkuar që të takojë me të afërmit e saj.
Pasi “S” ka komunikuar në telefon për të organizuar takimin, kallëzuesja e ka takuar me këto persona, të cilët kanë qenë vëllai dhe motra e të arrestuarit. Takimi është zhvilluar në një lokal të ndodhur në rrugën “X”.
Në takim shtetasit “Z” dhe “J” i kanë treguar kallëzueses rrethana mbi çështjen e vëllait të tyre dhe i kanë kërkuar që t’i ndihmojë. Ajo u është shprehur se do ta shihte mundësinë për t’i ndihmuar.
Sipas shtetases Amarilda, “S” i ka thënë asaj (kallëzueses) se kishte kliente një gjyqtare dhe do ta bisedonte çështjen me të.
Por, për shkak të lidhjeve fisnore që “S” kishte me shtetasit Z.Gj. dhe të afërmit e tij, ajo i ka kërkuar kallëzueses që të prezantohej kjo e fundit sikur ishte personi i cili kishte njohje me gjyqtaren dhe që do të vepronte për të mundësuar ndihmën e kërkuar.
Në të vërtetë, sipas kallëzimit, shtetasja Amarilda nuk kishte njohje me gjyqtaren, nuk kishte dijeni për personin për te cilin bëhej fjalë, por kishte mësuar nga shtetasja “S” se njëra prej klientëve të saj ishte me funksion gjyqtare.
Amarilda ka pranuar dhe në vijim në takimet me familjarët e të arrestuarit është prezantuar si person që njihte gjyqtaren dhe do të mundësonte ndihmën për personin e arrestuar.
Sipas kallëzimit, në bisedat me “S”, kjo e fundit i ka thënë kallëzueses se kishte biseduar me gjyqtaren dhe se për t’i ofruar ndihmën e kërkuar duhet t’i paguanin shumën 24.500 euro. Kallëzuesja u ka thënë familjarëve të të arrestuarit për këtë shumë, të cilët kanë pranuar.
Amarilda ka vazhduar në kallëzimin e bërë duke u shprehur se në datën 10 ose 11 gusht 2015, shtetasit “Z” dhe “J” i kanë dorëzuar në një zarf shumën 24.500 euro. Dorëzimi është bërë në një bar-kafe, përballë ambienteve të shoqërisë “A”.
Sipas kallëzimit, Amarilda shumën ia ka dorëzuar “S”. Nga bisedat në vijim shtetasja “S” i ka thënë kallëzueses se ia kishte dhënë paratë gjyqtares. Familjarët e të arrestuarit kanë pritur për një periudhë rreth 3 javë.
Para rreth 10 ditëve, shtetasi Z.Gj. ka filluar të kërcënojë kallëzuesen me shprehje “Do të vras” dhe ka përdorur shprehje ofenduese të ndryshme. Kërcënime të tilla kryheshin një ose dy herë në ditë.
Pas këtyre rrethanave, kallëzuesja ka biseduar disa herë me “S”. Kjo e fundit i ka thënë se kishte biseduar me klienten e saj gjyqtare, ku i kishte kërkuar që t’i kthente paratë. Sipas “S”, gjyqtarja i është përgjigjur se do t’ia kthente paratë për disa ditë. “S” i ka treguar shtetases Amarilda se gjyqtarja që ishte kliente e saj ishte pikërisht personi që kishte marrë shumën 24.500 euro.
Rastet e tjera
Nga këqyrja e telefonit të shtetases Amarilda Leka, në rubrikën e mesazheve janë konstatuar mesazhe të dobishme për hetimin. Konkretisht, përdoruesi i numrit të telefonit 06xxxxxx ka dërguar mesazhe, në të cilat shpreh fjalë kërcënuese, për shkak të një shume prej 8000 eurosh që shtetasja Amarilda duhej t’i kthente.
Në përgjigje shtetasja Amarilda është shprehur se ka shkuar te një njeriu i saj për të marrë paratë dhe për të “mbyllur këtë punë”. Bashkëbiseduesi vijon me mesazh, ku ndër të tjera shprehet “S’kam taksirat që të më bësh ti gol 8 mijë euro”.
Gjatë shpjegimit si person nën hetim, shtetasja Amarilda ka pranuar që dhe në një rast të tretë ka marrë një shumë prej 18.000 eurosh për të ndërhyrë në lidhje me një çështje penale me të arrestuar shtetasin A.K., që sipas kallëzueses zhvillohet në Gjykatë të Lartë.
Këtë shumë ia ka dhënë të njëjtës sekretare të Gjykatës së Lartë, të quajtur “X”, e cila ia ka dhënë gjyqtarit të çështjes.