Noterja Miranda Xhemalçiu, e cila noterizoi betimin e Arta Vorpsit për të marrë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ka sqaruar atë që ka ndodhur në zyrën e saj.
Në një prononcim për mediat, Xhemalçiu tha se ishte detyra e saj të noterizonte aktin, ndërsa shtoi se nuk mund të marrë kompetencat e Presidentit.
“E hodhi firmën duke më vënë mua në djeni. Kjo është detyra ime dhe unë nuk mund ta refuzoj. U paraqit me kartë identiteti, verifikova kartën. Nuk u betua mbi Kushtetutë, nuk vuri duart mbi Kushtetutë. Nuk mund të marr atributet e presidentit. Unë mund të verfikoj se kush është person dhe çfarë thotë. Unë legalizoj formën e Arta Vorpsit, por edhe ta refuzoj për mua do të ishte shkelje. Tarifat janë siç e ka vënë ministri. Kjo ka kushtuar 20 mijë lekë të vjetra deklarata, plus taksën e pullës, 26 mijë lekë. Dhe ju po të vini unë jam i detyruar të marr përsipër deklarimin. Kam bërë vetëm vërtetimin e firmës së saj, emër-mbiemër. Nuk vuri dorë mbi Kushtetutë. Bëri vetëm deklarimin emër-mbiemër. Nuk jam unë organi i që bëj këto. Unë mbaj përgjegjësi vetëm për firmën. Unë e lexova patjetër, por legalizova vetëm firmën e Arta Vorpsit. Po t’a refuzoja do të ishte shkelje. Dhe ju po të më kërkoni do e bëj. Unë bëj mbi 10 deklarata në ditë. Çdo gjë është e ligjshme, kjo është procedurë e çdo noteri. Jo moj zemër, ajo erdhi vetë. Ka 6 vite që është klientja ime. Unë s’merrem hiç me politikë. Ajo ka ardhur këtu para 6 vitesh. Kjo është qëllimi i saj si e paraqit. Unë vërtetoj vetëm që ishte firma e Arta Vorpsit. Mund t’jua tregoj edhe juve, neni 62, gërma ë. Unë vetëm këtë bëj”, tha noterja.
Më herët gjatë kësaj të enjteje, me një akt të paprecedentë, Arta Vorpsi është betuar te noterja si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Neni 129 i Kushtetutës e përcakton qartë se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”. Por duke hasur refuzimin e Metës, Vorpsi ka zgjedhur një rrugë krejt të pazakontë.