14 milionë € për 4 shkolla/ Bashkia i jep me koncesion shkollat kompanisë Fusha shpk

Bashkia Tiranë ia dha koncesionin e dytë të ndërtimit të shkollave bashkimit të 5 kompanive, të kryesuar nga kompania Fusha shpk. Koncesioni, i vlefshëm për 7 vite dhe me kosto totale rreth 14 milionë euro, parashikon ndërtimin dhe mirëmbajtjen e 2 shkollave të mesme dhe 2 shkollave 9-vjeçare.

Fusha shpk, e cila mbetet e preferuara e Bashkisë Tiranë, ka në total 38 kontrata publike me vlerë mbi 35 milionë euro. Me koncesionin e 4 shkollave ajo mund të fitojë një pjesë nga 2,5 milionë eurot e parashikuara si marzh fitimi.

Sipas njoftimit të Bashkisë Tiranë në Agjencinë e Prokurimit Publik vlerësimi i ofertës është bërë më 8 tetor dhe “nuk ka pasur ankesa”. Tashmë Bashkia do të negociojë kontratën me privatët, për 60 ditë, ndërkohë që ende nuk është caktuar vendi se ku do te ndërtohen shkollat.

Kompanitë fituese të koncesionit

Bashkimi i kompanive Fusha shpk & Alba Konstruksion & ED Konstruksion & A&Engineering & SON Engineering Construction dhe Erzeni shpk fituan koncesionin prej 14 milionë euro për ndërtimin e shkollave.

Alba Konstruksion dhe ED Konstruksion në aktivitetet e tyre, kontratat më të mëdha në punime publike, i kanë në bashkëpunim me kompaninë Fusha shpkA&Engineering ka pasur bashkëpunime kryesisht me SON Engineering & Construction, ndërkohë që Erzeni shpk (me zyra në Shkodër), merret kryesisht me mobilime.

Ku do të ndërtohen shkollat

Dy shkolla – një shkollë e mesme dhe një 9-vjeçare – do të ndërtohen në Njësinë Administrative Nr.8. Sipas dokumentave të siguruara nga Open Data, Bashkia ka menduar në këtë zonë një shesh (Sheshi 8/1: 17,520 metra katror) mes rrugëve “5 maji” dhe “Dervish Luzha”.

Shkolla e tretë (9-vjeçare) është parashikuar të ndërtohet në Njësinë Administrative Nr. 2, e cila ka dy sheshe të parashikuara për ndërtime, një (Sheshi 2/3: 4,093 metra katror) pranë Drejtorisë së Higjienës në Qytetin Studenti dhe tjetri (Sheshi 2/6: 5,425 metra katror) në Sauk pranë rreth-rrotullimit të Saukut.

Shkolla e katërt (shkollë e mesme) do të ndërtohet në Linzë (Sheshi D2: 13,244 metra katror) te ish-Shërbimi Informativ Ushtarak.

LEXO EDHE  VIDEO/ Tërmeti shkatërroi kolonat e 7-katëshit, ekspertët e nxjerrin të banueshëm. Denoncimi i fortë

Kostot e ndërtimit dhe mirëmbajtjes

Prej shesheve të vendosura për t’u ndërtuar, Bashkia Tiranë do të shpronësojë pronat private, me një vlerë totale prej 450 mijë euro. Sipas tipologjive të shkollave, kostoja e ndërtimit të tyre do të jetë 7,5 milionë euro:

  • 2 shkollat në Njësinë Nr. 8 – 3,7 milionë euro.
  • 9-vjeçarja në Njësinë Nr.2 – 3 milionë euro.
  • Gjimnazi në Dajt – 1,5 milionë euro

Pjesa tjetër – prej 6,5 milionë euro – e shpenzimeve nga shuma totale prej 14 milionë eurosh e koncesionit do të shkojë për mobilim dhe mirëmbajtje.

Një nga sheshet ku parashikohet të ndërtohen shkollat me koncesion.

Ndërtimi i shkollave me koncesion

Ndërtimi i shkollave me koncesion u vendos nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj në fund të vitit 2015 me futjen e taksës së infrastrukturës shkollore për qytetarët dhe bizneset e Tiranës. Sipas planit fillestar parashikohej ndërtimi i 17 shkollave me PPP ndërkohë që, me t’u ndërtuar shkolla, barra e pagesave të kostos së tyre do t’i faturohej qytetarëve në formën e një takse.

Kostoja totale sipas Open Data është 50 milionë euro (6,2 miliardë lekë) nga kjo shumë mbi 11 milionë euro do të jenë vetëm fitime për privatët, pasi për çdo shkollë do të kenë normë interesi 6,28 për qind në vit.

Në rastin e koncesionit të publikuar së fundmi, marzhi i fitimit thuhet të jetë 2,5 milionë euro (311 milionë lekë).

Ndërtimi i 5 shkollave të para (3 shkolla në Njësinë Nr. 11 dhe 2 në Njësinë Nr. 9) iu dha për 12,8 milionë euro koncesion bashkimit të kompanive të kryesuara nga Agi Kons në vitin 2018.

Siç Exit.al ka shkruar më parë, mënyra e ndërtimit të shkollave me koncesione është abuzive, pasi Bashkia Tiranë kishte mundësi të zgjidhte ndërtimin e shkollave me huamarrje shumë herë më të lira se sa interesi – në rastin e koncesioneve – prej 6,28 për qind.