Nga Boldnews.al
Një hetim i nisur me shumë sforco politike arriti të krijojë një situatë të paprecedentë ndërmjet prokurorëve, në atë të ashtëquajturën dosja e “lobimit rus” të Partisë Demokratike.
Dy nga prokurorët, Gjergj Tako dhe Ervin Karanxha, vendosën në fundjavë të merrnin të pandehur për “falsifikim formularësh” kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-sekretarin e Përgjithshëm, Arben Ristani dhe ish-financierin, Ilir Dervishi.
Prokurori tjetër i dosjes, Kolë Hysenaj, nuk e ka firmosur dokumentin bashkë me dy kolegët e tij. Burime nga Prokuroria e Tiranës deklarojnë se Hysenaj nuk ka qenë dakord që hetimit të mbyllej vetëm me këtë akuzë, duke qenë se Basha e të tjerë po hetoheshin edhe për “pastrim parash”.
Në të njëjtën linjë me Hysenajn duket se është edhe drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Në një prononcim mediatik, Imeraj nuk e fshehu nervozizmin.
“Për hetimin e kësaj çështjeje ka urdhër për ngritjen e një grupi hetimor me tre prokurorë, të cilët janë: Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako. Për arsye shëndetësore, nuk kam qenë në punë këto ditë, por konstatoj se dy prokurorët, Karanxha dhe Tako, kanë vendosur apriori dhe kanë marrë iniciativë të vetë-shpallen prokurorë të çështjes, duke e përjashtuar kolegun e tyre”, citohet Elisabeta Imeraj.
Ndjesi kontroverse
Vendimi i dy prokurorëve duket se është një zgjidhje e mesme, pavarësisht pakënaqësive të të gjitha palëve të përfshira.
Kryetari i Partisë Demokratike u mundua ta injoronte faktin se ai është marrë në cilësinë e të pandehurit.
Partia Demokratike, në një deklaratë publike, ritheksoi qëndrimin se hetimi është stisur politikisht.
“Partia Demokratike vlerëson faktin se, pas 2 viteve të mbajtjes së kësaj çështjeje hapur për qëllime propagande qeveritare, çështja është dërguar në gjyq. Tashmë shqiptarët do të kenë mundësi të njihen me dokumentat e plota, ku do të provohet se Partia Demokratike ka bërë transparencë të plotë të financave të saj, si edhe i ka deklaruar në përputhje me ligjin”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh në një postim në rrjetin social “Twitter”: “Teksa shqiptarët presin të ngrihet SPAK, është e papranueshme që prokurorë të caktuar të bëjnë amnisti për vepra penale kaq të rënda. Gjykata nuk duhet ta pranojë dhe ta rikthejë për hetim. Kjo dosje duhet të hetohet nga SPAK, jo nga KÇK (Kap çfarë të Kapësh)”, thotë Balla.
Basha drejt SPAK?
Qëndrimi publik i Taulant Ballës duket se është një lloj orientimi që zyrtari i lartë i Partisë Socialiste po i jep sistemit të drejtësisë, për trajtimin e rastit.
Në fakt, ekziston një skenar, sipas të cilit Lulzim Basha mund të shndërrohet në subjekt të SPAK-ut. Gjithçka do të varet nga mënyra se si do të trajtohen “procedurialisht” në gjykatë përplasjet brenda grupit të prokurorëve.
Gjyqtari paraprak mund të vendosë që çështja të kalojë për gjykim me akuzën e ngritur nga dy prokurorët, pra atë të “falsifikimit të formularëve”. Por, ekziston mundësia që gjyqtari paraprak të vendosë kthimin e akteve për vijimin e hetimeve, për shkak se prokurorët nuk kanë qenë të unifikuar ose për “kleçka” të tjera proceduriale.
Kthimi i akteve për hetim në Prokurori krijon premisat që kryetari i Partisë Demokratike të shndërrohet shumë shpejt në subjekt hetimi të SPAK-ut.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka deklaruar se brenda muajit Nëntor 2019 do të emërojë prokurorët e SPAK-ut. Me krijimin e saj, të gjitha çështjet që janë aktualisht nën hetim nga prokuroritë e rretheve dhe që janë kompetencë e Prokurorisë Speciale, do i përcillen asaj për shqyrtim.
Çështja e “lobimit rus”, nëse do të rikthehet për hetim, do të jetë kompetencë e SPAK-ut, pasi Lulzim Basha ka qenë deputet në momentin kur dyshohet se ka kryer veprën penale.
“Falsifikimi…”, sa qëndron?
E gjithë situata u ndëlikua procedurialisht, për faktin se akuza e ngritur ndaj Lulzim Bashën për “falsifikim formularësh” mund të rrëzohet lehtësisht në gjykim.
Prokuroria e Tiranës e akuzon Bashën se nuk ka deklaruar pranë KQZ-së financimet për një fushatë lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për zgjedhjet e vitit 2017.
Sipas të dhënave të bëra publike fillimisht nga revista “Mother Jones” dhe më pas nga përgjigjet e letër-porosive drejtuar autoriteteve amerikane, rezulton se kompania lobuese “Muzin Capitol” është paguar 675 mijë USD për një fushatë lobimi për Partinë Demokratike.
Nga dokumentat, rezulton se Partia Demokratike ka paguar vetëm 25 mijë USD. Ndërsa rreth 650 mijë USD të tjera janë paguar për ‘Muzin Capitol” nga një kompani tjetër, “Biniata Trade”.
Prokuroria e Tiranës, pas korrespondencës me Drejtorinë e Pastrimit të Parave dhe institucione të tjera ligjzbatuese, nuk ka siguruar të dhëna që të konfirmojnë se Partia Demokratike ka kryer pagesën e 650 mijë USD në llogaritë e “Muzin Capitol”.
Me dokumentat në dorë, ku shënohet se janë paguar 675 mijë USD për Partinë Demokratike, por në mungesë të provave që të vërtetojnë se pjesa më e madhe e pagesës është kryer nga subjekti politik, Prokuroria e Tiranës ka ngritur vetëm akuzën e “falsifikimit të formularëve” të dorëzuar pranë KQZ-së.
Këto formularë plotësohen nga financierët e partive dhe jo nga kryetarët. Pra, për këtë akuzë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mund të shfajësohet nga gjykata.