Banorët e Matit kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit të Sekës në lumin Zall Gjoçaj, një projekt hidrik që sipas tyre kërcënon mjedisin, furnizimin me ujë të shumë fshatrave si dhe bletarinë dhe blegtorinë në zonën e thellë malore.
Autor: Sami Curri | BIRN |
***
Prej gati 2 javësh dhjetëra banorë të disa fshatrave të zonës së Matit, kanë ngritur një çadër dhe kanë bllokuar rrugën e hapur rishtazi nga një kompani koncesionare për ndërtimin e HEC-it të Sekës në lumin Zall Gjoçaj.
“Kemi jetuar mot dhe jetë në këtë zonë dhe të futet uji në tuba është turp dhe gjynah tek Zoti,” thotë 80-vjeçari Ismail Lala, një prej protestuesve. “Të lësh pa ujë gjithë këto fshatra është turp, është hata e madhe,” shtoi ai.
Ngjashëm me Ismailin banorët e zonës tremben se ndërtimi i hidrocentralit do të shterojë burimet ujore të zonës duke prekur mijëra familje në 13 fshatra – të cilat mbijetojnë falë bujqësisë dhe bletarisë, si dhe do të nxjerrë jashtë funksioni disa mullinj me ujë të cilët ato i përdorin për bluarjen e misrit dhe grurit.
Protestuesit ankohen se ato nuk janë konsultuar nga kompania dhe autoritetet përpara fillimit të punimeve për ndërtimin e hidrocentralit dhe kanë marrë dijeni vetëm kur kanë parë makineritë e rënda.
“Kjo masakër që po bëhet është e pa pranueshme për ne,” shprehet kryeplaku i Zall Gjoçaj Adem Gjokola.
“Pas gjithë atyre protestave që kemi bërë, letrave drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore, jemi vendosur këtu në çadër, për mos e lejuar kompaninë për të vazhduar punimet.”, shtoi ai.
I pyetur nga BIRN, administratori i kompanisë Seka Hydropower, Sokol Muceku i kundërshtoi akuzat e banorëve për mungesë të konsultimeve publike, duke nënvijëzuar që koncesionari kishte angazhuar një kompani të specializuar për t’i realizuar ato.
“Janë përdorur të gjitha kanalet e komunikimit në televizionin lokal dhe në shtypin e shkruar për të lajmëruar dëgjesën,” tha Muceku. “Kompania italiane ka nënkontraktuar një firmë, të specializuar në fushën e mjedisit dhe janë marrë të gjitha hapat e nevojshme,” shtoi ai.
Prej vitit 2002 dhe deri më 2018-n, qeveria shqiptare firmosi 183 kontrata koncensionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve. Mes këtyre kontratave është dhe ajo e lidhur në vitin 2013 nga Ministria e Energjisë me kompaninë koncesionare “Seka Hydropower” sh.p.k., për ndërtimin e HEC-eve Sekë dhe Zais.
Fillimisht kompania koncesionare ka qenë në pronësi të shoqërive “Hydro-Project” dhe “Gener 2”, por menjëherë pas miratimit të koncesionit në shtator 2013, kompania ‘Gener 2’ i ka shitur aksionet tek ‘Hydro-Project.’ Hydro-Project sh.p.k është një kompani me investitorë italianë të specializuar në fushën e energjisë hidrike.
Në tetor të vitit 2018-të, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit për objektin: “ndërtimi i Hec-it Sekë dhe Zais, në pellgun ujëmbledhës të lumit të Urakës dhe zallit të Melthit”, në bashkinë Mat dhe bashkinë Mirditë. Për ndërtimin e këtij HEC-it edhe bashkia e Matit ka shprehur dakordësinë, duke arkëtuar edhe taksën e ndikimit në mjedis.
Dhimitër Koleci, nga fshati Melth, tregon se banorët që preken nga ndërtimi i HEC-it në Zall Gjoçaj, janë vënë në dijeni për atë se çfarë do të bëhej kur kanë parë makineritë dhe punëtorët që po punonin për hapjen e një tuneli, që do të devijonte ujin nga zalli i Melthit në Mat, në lumin e Urakës në Kurbnesh të Mirditës.
“Dëgjesa nuk është bërë me banorët e këtyre fshatrave që preken nga HEC-i, që janë pjesë e bashkisë së Matit, por është bërë në Rrëshen dhe kanë shprehur dakordësinë banorë që nuk kanë asnjë lidhje me zonën tonë,” tregon Dhimitri, që për vite ka jetuar në Greqi dhe që çdo verë vjen me familjen në Melth për të kaluar pushimet.
“Ne nuk kemi pasur asnjë dijeni.”, shtoi ai.
Sipas banorëve të fshatit Zall Gjoçaj, ndërtimi i HEC-eve Sekë dhe Zais, në pellgun ujëmbledhës të lumit të Urakës dhe zallit të Melthit, do të ndikojë jetën e 9 mijë banorëve të zonës të shpërndarë në 13 fshatra, sepse sipas tyre do të shterojë burimet nëntokësore të cila përdoren për vaditje.
Në Melth dhe Zall Gjoçaj kanë mbetur shumë pak familje. Kryesisht bazë të ekonomisë së tyre kanë blegtorinë dhe bletarinë. Mes pyjeve të larta dhe të dendura ndodhen shumë koshere me bletë. Falë klimës dhe kushteve shumë të mira për vendosjen e bletëve në këtë zonë, arrihet që të merret 2-3 herë mjaltë nga bleta.
“Bleta kërkon që të ketë burime të shumta ujore,” shprehet Baftjar Lala, i cili ka vite që merret me bletarinë.
“Këta e marrin ujin e fusin në tub, çajnë malin dhe e fusin në tunel e çojnë në Urakë, pastaj e marrin edhe lumin e Urakës e fusin në tub, për më shumë se 25 kilometra a më shumë devijohet rrjedha e lumit, ku është uji për bletën dhe bagëtitë pastaj,” shtoi Lala.
Administratori i kompanisë koncesionare, Sokol Muceku i tha BIRN se një pjesë e prurjes do vazhdontë të rridhte në shtratin e lumit dhe nuk prekej nga projekti i i hidrocentralit.
“Prurja ekologjike prej 200 litrash në sekond do të jetë gjithmonë në shtratin e lumit,” tha ai.
“Nuk kemi punë fare me burimet e ujit të pijshëm, sepse punimet tona nuk shkojnë deri tek burimet pasi janë në kuota më lart dhe nuk kemi punë fare,” shtoi ai.
Banorët frikësohen gjithashtu se me hapjen e rrugës për ndërtimin e hidrocentralit do të nxiten edhe prerjet e paligjshme të pyjeve.
“Këto pemë që janë këtu nuk do të jenë më me hapjen e rrugës, do i presin,” parashikon Abdi Toçi. “Ajo pak natyrë që ka ngelur e pa prekur, këta e sharrojnë siç kanë bërë në Lurë,” shtoi ai.
Zona Lurë – Dea ku shtrihet një pjesë e tubacionit, bën pjesë në listën e zonave të mbrojtura si monument natyre, së bashku me kanionet e Flimit dhe të Urakës si monumente gjeonatyrore.
“Përse për ujin? Për të ndaluar një masakër që po tentohet të bëhet në një zonë të mbrojtur që duhet ta mbrojë shteti,” përgjigjet Urim Pasha, i cili është rikthyer në vendlindje pas shumë vitesh në emigracion.
Muceku e pranoi që një pjesë e tubacionit prekte parkun kombëtar, por shtoi se zona ishte shpallur e mbrojtur pas miratimit të projektit.
“Kur kemi nisur procedurat nuk ka qenë park kombëtar. Më vonë një pjesë e zonës u shtua në park kombëtar dhe ne nuk kemi pasur dijeni fare që do të shtohej,” tha ai. “Pas marrjes së lejes mjedisore dhe pas daljes së lejes së ndërtimit një pjesë ku shtrihet tubacioni është shpallur park kombëtar,” shtoi Muceku.
Një javë më parë protestuesit u përplasën me policinë dhe një pjesë e tyre janë marrë në pyetje në Prokuori, të akuzuar se bllokojnë punimet e firmës koncesionare. Tensioni pati dhe të martën gjatë një seancë në Gjykatën Administrative, ku po shqyrtohet padia e banorëve kundër koncesionarit.
“Jemi në vitin 2019-të, më thuaj a ka logjikë që të rrish këtu në çadër, në të ftohtë,” shprehet Pasha, duke nënvijëzuar se përballja me kompaninë vjen nga shqetësimi për pasojat që do të sjellë projekti.
“Kemi boll halle dhe probleme, tani të rrimë edhe në çadër,” përfundoi ai. /BIRN/