“Boldnews” zbardh vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkodrës në ngarkim të 48-vjeçarit Ardian Loci, ish-shoferit të FNSH-së Shkodër, i arrestuar nga policia.
Më 21 Maj të këtij viti, Loci është dënuar me 1 vit e 10 muaj burg, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ me gjykim të shkurtuar.
Ardian Loci, ish-shoferi i FNSH-së në Shkodër, sipas akuzës, dekonspironte aksionet e policisë, duke dhënë informata te një grup që merrej me kultivim kanabisi në Dukagjin.
Hetimet
Nga aktet e dosjes gjyqësore, konstatohet se: Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, është regjistruar procedimi penal nr. 581 të vitit 2009, pasi ka rezultuar se ka persona të cilët fillimisht ishin të paidentifikuar që kanë kultivuar bimë narkotike në disa fshatra të Njësisë Administrative Pult Shkodër në kundërshtim me ligjin.
Me datë 24.08.2016, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër është regjistruar procedimi penal Nr. 1451 lidhur me veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 283/2 i Kodit Penal në bazë të materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Brendshme Tiranë. Nga studimi i akteve rezulton se nga ana e Drejtorisë së Policisë Vendore Shkodër, me datë 24.08.2016 janë organizuar operacione mbi kontrollin e disa vendeve në disa fshatra të Njësisë Administrative Pult, Shkodër me qellim evidentimin e mbjelljes së lendes narkotike të llojit cannabis sattiva, sekuestrimin dhe asgjësimin e saj, sikundër dhe arrestimin e kultivuesve të saj.
Rezulton se procedimi penal Nr. 581/2009, lidhur me veprën penale të ‘Kultivim të bimëve narkotike”, të parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal, ka filluar mbi bazën e informacionit të paraqitur nga Drejtoria e Policisë Vendore Shkodër ( sektori për narkotikët dhe trafiqet), më datë 18.04.2009, me shkresën numër 2538 protokolli. Nga studimi i këtyre akteve rezultonte se më datë 13.08.2009, pas informacioneve të marra në rrugë operative, ishte ushtruar kontroll në vendin e quajtur “Athije”, fshati Xhan, Njësia Administrative Pult, Shkodër dhe gjatë këtij kontrolli ishte gjetur një parcelë sipër fshatit e mbjellë me 58 copë rrënjë të bimës narkotike “cannabis sattiva”. Bimët e mësipërme janë sekuestruar dhe dërguar për ekspertim kimik pranë Drejtorisë së Policisë Shkencore Tiranë, ku në bazë të ekspertimit kimik Nr. 6654, datë 02.09.2009 rezultonte se janë të llojit “cannabis sattiva” në fazën e rritjes. Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, me datë 12.01.2010, hetimet për këtë procedim penal janë pezulluar, për mos zbulim të autorëve të veprës penale. Ky procedim penal më datë 12.02.2016 është rifilluar dhe kanë vijuar hetimet lidhur me veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, të parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal. Për këtë fakt penal, hetimet janë orientuar në lidhje me mbledhjen e provave për ngjarjen dhe autorin e saj, pasi ushtrimi i ndjekjes penale nuk është parashkruar në kuptim të nenit 66/b të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve, ka rezultuar se me datë 07.07.2016, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, ka regjistruar procedimin penal Nr. 1142, lidhur me veprën penale të ‘Kultivim të bimëve narkotike”, të parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal, në bazë të materialeve të dërguara nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ndaj shtetasve Dritan Lisaj, Luvigj Shpati, Fatmir Ara, Gjon Ndresaj, etj.
Telefonata
Në vitin 2016/2017 janë regjistruar në regjistrin e veprave penale, emrat e të pandehurve Ardjan Loci i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal dhe të pandehurit Alfred Rripaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal. Me datë 24.08.2016 sipas informacioneve të referuara nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, rezulton se një shtetas për të cilin dyshohet se është punonjës policie ka njoftuar banorë të këtyre fshatrave mbi faktin se në drejtim të tyre po vijnë për kontroll forca të ndryshme policie.
Në vendimin objekt ankimi janë cituar shumë ngjarje dhe fakte penale të cilat janë regjistruar nga Prokurori pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për të cilat janë kryer hetimet e duke arritur të identifikohen personat të cilët kanë kryer veprime konkrete kriminale në drejtim të kultivimit të lëndës narkotike në shumë fshatra të Shkodrës, të cilat janë cituar shumë qartë dhe në mënyrë të plotë nga ajo gjykatë në vendimin objekt ankimi. Nga të dhënat e marra nga komunikimet telefonike, ka rezultuar të jenë shumë persona të cilët janë identifikuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë, që kanë kultivuar këto bimë narkotike në kundërshtim me ligjin, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë të paidentifikuar.
Nga Prokuroria Shkodër, pasi janë kryer veprimet e domosdoshme hetimore në bazë të nenit 331 dhe 332 të Kodi Procedurës Penale, duke i konsideruar hetimet e plota, më datë 17.07.2017 është dërguar për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, çështja penale nr. 1451 e vitit 2016, në ngarkim të të pandehurve Ardjan Loci dhe Alfred Rripaj.
Nga organi i akuzës, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Shkodër, gjatë fazës së hetimit, bazuar në nenin 93/1/ç të Kodi Procedurës Penale, ka vendosur të ndajë procedimin penal nr. 581 të vitit 2009, në disa procedime, në procedimin për të cilët pasi janë kryer të gjitha veprimet e plota e të domosdoshme hetimore janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Shkodër të rifilluar dhe të bashkuar, kundër të pandehurve: Gjin Lushi, Dritan Lisaj, Ardjan Loci, Nik Lami, Angjelin Shkambi, Fatmir Ara, Gëzim(Gjin) Çakaj, Llesh Qeftaj, Emiljan Qeftaj, Nikë Qeftaj, Rinaldi Qeftaj, Alfred Rripaj, Pal Dushku, Pllumb Dushku, Pllumb Shpati, Luvigj Shpati, Benard Bungaja, Mentor Bungaja, Nikë Bashi, Mark Bashi, Dedë Koçeku, Gjokë Gjergji, Gjon Kodraj, Gjovalin Gravilaj, Ndoc Papshaj, Ndokë Bregu e Gjon Ndresaj. Me vendimin e ndërmjetëm të datës 13.07.2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka veçuar çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Alfred Rripaj, Ardian Loci, Nik Lami,Pal Dushku, Pllumb Dushku, Gjokë Gjergji e Gjon Kodraj dhe ka vendosur vazhdimin e gjykimit të procedimit penal nr.581 të vitit 2009 në ngarkim të të pandehurve.
Rezulton se gjykimi i çështjes në shkallë të parë për të pandehurit Ardjan Loci dhe Alfred Rripaj, nga gjykata e rrethit gjyqësor është bërë me procedurën e gjykimit të veçantë, atë të gjykimit të shkurtuar. Para se të fillojë shqyrtimi gjyqësor, nga të pandehurit Ardjan Loci dhe Alfred Rripaj dhe avokatët e tyre të zgjedhur, në seancën gjyqësore të datës 29.05.2018, është bërë kërkesë që të procedohet me gjykim të shkurtuar që çështja penale në ngarkim të tyre, të zgjidhej në gjendjen që ishin aktet e hetimit paraprak, konform kërkesave të nenit 403 e vijues të Kodi Procedurës Penale.
Dënimi
Gjykata e Apelit vendosi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardjan Loci për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 vjet dhe 9 muaj burgim. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht i pandehuri Ardjan Loci dënohet me 1 vit dhe 10 muaj burgim.