Koherenca e munguar për të shpjeguar shtesat dhe pakësimet e pasurisë gjatë dy viteve të karrierës që rezultonin me një bilanc negativ të ardhurash dhe shpenzimesh, e shtyu Kolegjin ta përmbyste vendimin e KPK-së duke shkarkuar nga detyra prokurorin e Krimeve të Rënda, Gentjan Osmani.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli me 31 korrik masën disiplinore shkarkim nga detyra për subjektin e rivlerësimit, Gentjan Osmani – me detyre anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke përmbysur konfirmimin e tij në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
“Trupi gjykues vlerëson se mungesa e burimeve të ligjshme për të justifikuar shpenzimet dhe kursimet për vitet 2011 dhe 2013 e klasifikon subjektin e rivlerësimit në situatën e parashikuar nga neni D, pikat 1 e 3 të Aneksit të Kushtetutës dhe neni 61, pika 3 e ligjit nr. 84/2016, sipas së cilës subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pamjaftueshëm, si një kriter që justifikon zbatimin ndaj tij të masës disiplinore, shkarkim nga detyra,” shprehet Kolegji në vendimin e zbardhur.
Ankimi i Komisionerit Publik, Dariel Sina kundër konfirmimit në detyrë të prokurorit Gentjan Osmani, u shqyrtua nga trupi gjykues i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz anëtarë.
Osmani e ka filluar karrierën në vitin 2003 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe një vit më vonë është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 2014 ai është komanduar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe një vit më vonë ai është kthyer në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Në vitin 2018, Osmani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kandidatura e tij e ka shtuar në listën prioritare të vetingut.
Prokurori është hetuar nga KPK për të tre kriteret e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve – përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin dhe me 2 gusht 2018, KPK ka shpallur vendimin për konfirmim e tij në detyrë.
Trupi gjykues i KPK-së ka konstatuar se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, një nivel të besueshëm të kontrollit të figurës, si dhe një nivel të lartë të vlerësimit të aftësive profesionale.
Megjithatë, Komisioneri Publik nuk ka qenë dakord me përfundimet e KPK-së për sa i përket vlerësimit të pasurisë së subjektit dhe ka paraqitur ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Në ankimin e paraqitur kundër vendimit të Komisionit, bashkëlidhur tij Komisioneri Publik ka paraqitur dhe një denoncim anonim nga publiku drejtuar ONM-së.
Shkaqet e ankimit të paraqitura në Kolegj nga Komisioneri Publik, Dariel Sina lidhen ngushtë me burimet e ligjshme të subjektit dhe personave të lidhur për blerjen e një apartamenti në vitin 2009 në Tiranë me vlerë 67,800 dhe sipërfaqe 72 m2, mungesën e burimeve të ligjshme për shlyerjen e një huaje që ka shërbyer për blerjen e apartamentit në vitit 2011, 2012, 2013. Mungesën e burimeve të ligjshme për shtesën e likuiditeteve në vitin 2009, vit kur është blerë dhe apartamenti. Mosdeklarimin e një makinë Volswagen Golf në vitin 2005, si dhe aftësinë e personave të lidhur për një dhuratë prej 1.5 milionë lekë, që ka shërbyer gjithashtu për blerjen e apartamentit në vitin e 2009.
Ndërkohë në denoncimin që i bashkëlidhur ankimit të Komisionerit hidhen akuza për tre rrethana që lidhen me pastërtinë e figurës, në lidhje me faktin nëse është ushtruar hetim penal ndaj një shtetasi që i ka dhënë në përdorim një automjet Mercedes Benz subjektit, vendimmarrja e subjektit të rivlerësimit mbi një çështje penale, si dhe rrethanat e një udhëtimi në Turqi nga subjekti i rivlerësimit me avokatin e një të pandehuri.
Kolegji me vendim të ndërmjetëm ka verifikuar të tre rrethanat e referuara nga denoncimi anonim dhe në bazë të verifikimit të bërë në disa institucione ka arritur në përfundimin se akuzat e bëra ndaj prokurori Osmani janë të pavërteta.
“Në përfundim të hetimit të kryer për të verifikuar faktet e pretenduara në denoncim, pasi dëgjoi edhe Komisionerin Publik, Kolegji konstatoi se ato nuk u provuan si të tilla prej hetimeve të kryera dhe se për pasojë nuk mund të konsiderohen relevante në lidhje me kontrollin e verifikimin e kritereve të tjera të rivlerësimit, siç kishte pretenduar Komisioneri Publik në ankim,” shprehet Kolegji në vendim.
Trupi gjykues ka shqyrtuar gjithashtu aktet dhe prapësimet e paraqitura mbi pretendimet për ankimin e paraqitur në themel për kriterin e pasurisë. Hetimi i Kolegjit ka hedhur poshtë shumicën e pikave të ankimit të Komisionerit Publik, përfshirë burimet e ligjshme të personave të lidhur për huanë 20,000 euro dhe dhuratën cash prej 1.5 milionë lekë, burimet e ligjshme për blerjen e apartamentit në vitin 2009 si dhe të automjetit Volswagen Golf në vitin 2005.
Megjithatë, nga analiza financiare e kryer nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, subjekti ka rezultuar me diferenca negative në vitin 2011 dhe 2013 – periudhë kur ka deklaruar edhe shlyerjen e huasë me vlerë 20 mijë euro dhe shtim të likuiditeteve në cash.
“Në përfundim të kësaj analize, rezultoi se subjekti i rivlerësimit për vitin 2011 nuk kishte burime të mjaftueshme financiare për të përballuar shpenzimet e krijimin e kursimeve të tij, në shumën 586.542 lekë dhe për vitin 2013 në shumën 1.173.955 lekë,” nënvijëzon shprehet Kolegji.
Kolegji shprehet se subjekti nuk ka qenë koherent në deklaratat e tij përpara trupës gjykuese në lidhjet me shtimet e gjendjes cash gjatë viteve 2005 dhe 2009 dhe kjo mungesë koherence ka pasur si qëllim shpjegimin e balancës negative në vitet 2011 dhe 2013.
“Në përfundim të analizës për këtë shkak ankimi, Kolegji arrin në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasurinë, gjendjen cash e për të përballuar shpenzimet e kryera për vitet 2011 e 2013 në shumën 1.760.497 lekë, duke u gjendur për pasojë përpara parashikimeve të nenit 33, pika 5, germa “b” e ligjit nr. 84/2016,” shprehet Kolegji.
“Për pasojë, përfundimisht ky shkak ankimi konsiderohet i drejtë dhe vendimi i Komisionit për këtë pjesë është i cenueshëm,” shtoi KPK.
Trupi gjykues arriti në konkluzionin se ankimi i Komisionerit Publik qëndronte dhe rezultoi i bazuar për sa i përket shkakut që lidhet me mungesën e burimeve financiare të ligjshme për të përballuar krijimin e pasurisë likuiditet, në formën e gjendjes cash, dhe të shpenzimeve për jetesë e shlyerjen e detyrimit ndaj personit tjetër të lidhur, në vitet 2011 e 2013. Kjo mungesë e çoi Kolegjin në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit Gentjan Osmani nuk ka justifikuar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë në pronësi të tij.
Duke qenë se edhe bashkëshortja e prokurorit me profesion gjyqtare është subjekt rivlerësimi, Kolegji ka nënvijëzuar se vendimi për ta shkarkuar prokurorin “nuk paragjykon të drejtën e saj për një hetim të pavarur, të paanshëm dhe një rivlerësim në përputhje me ligjin nga organet e rivlerësimit.”
/Reporter.al/