Nga Ilir Kalemaj
Irlanda, nga një prej vendeve periferike dhe më të varfra të Bashkimit Europian, është sot vendi i katërt më i pasur për frymë i BE-së (pas Luksemburgut, Suedisë dhe Danimarkës), duke tejkaluar edhe Britaninë e Madhe. Pati një rritje ekonomike dyshifrore përgjatë pjesës më tmadhe të viteve 90-të, duke kulminuar në vitin 2000, ndërkohë që papunësia është mbajtur në mënyrë konstante e ulët dhe taksat për të ardhurat personale u ulën ndjeshëm. Ulje e taksave për kapitalin dhe korporatat dhe aftësitë profesionale të punonjësve të mirëedukuar dhe mirëtrajnuar, bënë që të kishte një nga normat më të larta të investimeve të huaja për frymë në Europë. Edhe pas goditjes që pësoi nga kriza financiare globale dhe ishte një nga dy vendet e para në BE (bashkë me Greqinë që u goditën), arriti ta merrte veten shumë shpejt, edhe falë faktit që nuk i rriti taksat për kompanitë shumë-kombshe që operonin në vend. Një rrugë të ngjashmë të politikave makroekonomike, të kombinuara me politikat e zgjuara fiskale (për shembull i pari vend i Europës Lindore që institucionalizoi taksën e sheshtë), është Estonia.
Vendet Balltike ku Estonia bën pjesë kanë patur probleme të shumta dhe të llojeve të ndryshme, që varionin nga problemet etnike dhe minoritetet deri në ndërvarjen e ekonomisë së tyre në një masë të madhe fillimisht nga Bashkimi Sovjetik dhe sot nga Rusia. Çështja e minoriteteve për këto vende kishte të bënte sidomos me identitetin e tyre kombëtar, por edhe evropian dhe ka qenë një çështje shumë sensitive, po të kihet parasysh se rusët përbënin 28% të estonezëve apo 32% të letonezëve. Për të rifituar legjitimitetin e tyre kombëtar këto vende bënë ligje vençarisht diskriminuese për marrjen e nënshtetësisë duke përjashtuar rusët që kishin mbërritur në vend pas 1945-ës. Kjo natyrisht çliroi një kapital të qenësishëm social po të merret parasysh statusi shoqëror që kishin rusët në rregjimin e mëparshëm dhe të mirat që shoqëronin këto funksione. Ky kapital (me të drejtë apo të padrejtë), u përfitua nga banorët autoktonë që duke përfituar edhe nga ligjet diskiminuese ndaj pjesës tjetër, orientimi i tregtisë drejt vendeve perëndimore dhe zëvendësimi i rublës ruse me monedha vendase, solli një ridimensionim të shoqërisë dhe një transformim shumë më tepër radikal sesa rasti i Sllovenisë.
Nga ana tjetër stabiliteti makrofinaciar ishte dhe është një nga arritjet më të mëdha të këtyre vendeve. Disa autorë e kanë lidhur këtë stabilitet me dëshirën për arritjen e një pavarësie reale (sidomos nga Moska), të këtyre vendeve. Po ashtu, kurba e inflacionit ka qëndruar në nivele të ulta gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, madje në rastin e Lituanisë, ka qenë më i ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Estonia, nga ana tjetër, mund me të drejtë të mburret, për majtjen e një bilanci pozitiv tregtar dhe pasjen e një borxhi publik thuajse të papërfillshëm, duke qenë lider ndërmjet dhjetë vendeve, në këtë drejtim. Por karakteristika kryesore dalluese e këtyre vendeve, vençarisht Estoninë, ka qenë liberalizimi i plotë i ekonomisë, privatizimi i shpejtë dhe rezultativ i industrisë dhe ndërmarrjeve shtetërore. Ato implementuan një terapi ‘shock’ që pati efekte sociale në periudhën afatshkurtër, por që çliroi energji të nevojshme dhe solli një rritje konstante ekonomike në periudhën afatgjatë. Sic shihet, vendet balltike, kanë patur një strategji krejt tjetër në krahasim me modelin neo-korporatist slloven dhe fokusi i tyre ka qenë një ekonomi sa më afër modelit laissez-faire, apo neo-liberalizmit. Gjithsesi, efektet pozitive të këtij cikli reformash janë të dukshme edhe në këtë model dhe sidomos rasti i Estonisë, është me të vërtetë unik, përsa i përket rritjes ekonomike.
Një rast po aq i suksesshëm sa Estonia, me sipërfaqe dhe popullsi gati të njëjtë por duke ndjekur model zhvillimi krejt të kundërt është Sllovenia, vendi më i suksesshëm i ish- Jugosllavisë. Sllovenia ishte një nga dhjetë vendet që iu bashkëngjitën Bashkimit Evropian në 2004-ën dhe mbi të gjitha, ishte vendi me zhvillimin më të lartë ekonomik ndër to. Kishte një PBB per capita, pothuajse të krahasueshme me Austrinë dhe një stabilitet solid makrofinanciar. Kjo ka disa shpjegime, qofshin këto të karakterit gjeografik, gjeo-politik, historik, e kështu me rradhë. Që në kohën e Jugosllavisë së Titos, Sllovenia ishte ‘në ballë` të republikave të tjera përsa i përket nivelit të mirëqënies sociale, eksportit, bilancit pozitiv tregtar dhe një qeverisjeje gati autonome nga pushteti qëndror. Përveç kësaj, pozita e saj gjeografike, e cila e diferenconte nga vendet e tjera ballkanike dhe afërsia me Austrinë, bënë që sllovenët të identifikoheshin më lehtë me një identitet ‘të përbashkët’ evropian dhe të kërkonin më herët bashkëngjitjen me pjesën tjetër evropiane. Për më tepër, kalimi nga komunizmi në demokraci, në Slloveni, u bë në mënyrë graduale dhe pa eksese. Shtresa e moderuar e partisë komuniste, ia doli të merrte frenat e partisë në dorë që në momentet e para që u shtrua kërkesa për demokratizim dhe përgatiti terrenin për zgjedhje. Nga ana tjetër partia që fitoi zgjedhjet e para elektorale në vend, qe një parti e djathtë dhe ndërmori reformat të guximshme. Po ashtu homogjeniteti i popullsisë dhe largësia me Beogradin, bënë që vendi të shkëputet në mënyrë krejt paqësore nga shteti Jugosllav dhe mos të përjetonte ndonjë nga ato luftërat e përgjakshme civile që e mbajtën rajonin peng për dekada.
Natyrisht, këto ishin vetëm disa nga arsyet kryesore që bën të mundur një tranzicion të butë të këtij vendi dhe një kalim gradual drejt një ‘kapitalizmi social’, të ngjashëm në njëfarë mënyre me atë të vendeve nordike. Modeli tipik qe u ndoq nga Slloveni perkufizohet si neo-korporatist. Kjo gjithashtu ndodhi, sepse partitë e qendrës së majtë arritën të ri-grupoheshin dhe duke formuar një aleancë me sindikatat dhe një pjesë të mirë të biznesit, arritën të fitonin të gjitha zgjedhjet e tjera të njëpasnjëshme elektorale. Natyrisht, kjo edhe për shkak të kushteve sui generis të Sllovenisë, e cila ka një popullsi mjaft të vogël (më pak se dy milionë banorë) dhe trashëgoi një baze të mirë infrastrukturore nga rregjimi i mëparshëm. Duke qenë se industritë ishin thuajse plotësisht funksionale dhe duke qenë shtet i vogël, me një ekonomi tregu funksionale, partitë e majta në Slloveni ndërtuan gjithashtu një profil efikas social që në momentet e para dhe këmbëngulën për nevojën e nja stabiliteti politik të vendit. Kjo gjë gjeti edhe konsesusin e një pjese të mirë të popullsisë, të cilët ishin përfitues të këtij sistemi i cili ngrihej mbi nevojën e pasjes së një reforme graduale, pa shkaktuar tërmete sociale. Për t`i rënë shkurt, mund të themi që modeli i reformës që ndoqi Sllovenia, megjithëse krejtësisht specifik për këtë vend (krahasimisht me vendet e tjera që u antarësuan në 2004-ën), rezultoi plotësisht i sukseshëm dhe u kurorëzua me futjen e para pak viteve të këtij vendi në Eurozonë.
Së fundmi kemi vendet e Evropës Qëndrore (Hungaria, Çekia, Sllovakia dhe Polonia), të quajtura dhe ndryshe ‘vendet e Vishegradit’, kanë ndjekur një via media ndermjet dy modeleve të mësipërme dhe kanë provuar një lloj kombinimi të politikave, për arritjen e një kohezioni më të madh social, por duke stimuluar ndërkohë rritjen ekonomike në mënyrë konstante. Po ashtu, raporti i forcave politike në këto vende ka qenë pak a shumë i ekuilibruar ndërmjet dy blloqeve të mëdha, (qendrës së djathtë dhe asaj të majtë), çka bën të mundur një ndërthurje të politikave. Por nga ana tjetër, mund të prodhojë edhe mungesë stabiliteti politik, me periudha zgjedhore të crregullta dhe efekte anësore në aspekte të tjera të jetës së këtyre vendeve. Mjafton të përmendim këtu rastin e Çekisë, ku secila nga blloqet kryesore politike ka nga njëqind vende, në parlamentin 200- vendësh, apo rastin e Hungarisë ku tensionet politike po bëjnë thuajse të pamundur reduktimin e deficitit tregtar (mjaft më të lartsë se norma e lejuar e BE-s), apo autoritarizmin në rritje së fundmi në Hungari dhe Poloni. Gjithsesi, këto vende kanë ndjekur një politikë makroekonomike përgjithësisht të qëndrueshme, duke filluar nga vitet 90-të dhe me reforma shpesh të formës ‘shock’ si në rastin e Republikës Çeke, por e kombinuar me programe bujare për kategoritë më të prekura nga kjo reformë. Sesa rezultative ka qenë kjo politikë e përkthyer në realitet, kjo ngelet për t`u diskutuar, pasi shpesh ka bërë që në vend të programeve të mirëfillta politike, partitë të operojnë mbi baza politikash populiste. Pavarësisht kësaj, procesi ka prodhuar kryesisht efekte neutrale,- por përgjithësisht me një trend pozitiv,- dhe ka bërë të mundur përparimin e sigurtë të këtyre vendeve drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Vlen për t`u theksuar, se këto vende nuk kanë patur probleme në drejtim të homogjenitetit të popullsisë (me përjashtim ndoshta të një minoriteti të konsiderueshëm rumun në Hungari) apo probleme që lidheshin me identitetin e tyre evropian. Ndryshe nga vendet balltike, të cilat ishin vazhdimisht nën presionin e fortë rus, që pengonte madje edhe hapur integrimin e tyre në NATO, apo nxirrte stërkëmbësha në marrëdhëniet eksport-import për të ndaluar rimërkëmbjen e shpejtë ekonomike të këtyre vendeve (dhe për pasojë vononte në mënyrë indirekte integrimin në BE), vendet e Vishegradi-t, ishin më të rehatuara në këtë drejtim. Ato kanë qenë gjithnjë të shkëputura nga presioni direkt i Moskës dhe që në kohën e ‘Pranverës Çeke’ gëzonin njëfarë lirie gjysëm-autonome që iu jepte dorë të lirë në implementimin e reformave graduale. Ndryshe nga rasti jonë psh., që përmbysja e rregjimit diktatorial, e zuri me industri të atrofizuar, dyqane të boshatisura dhe forcë puntore të pakualifikuar (më teknologjinë moderne), çka bënte një rifillim thuajse nga zerua të rimbërkëmbjes ekonomike, këto vende, ashtu sikundër edhe ato të analizuara më sipër gjetën një terren pjellor, ku mund të bazoheshin për t`u ‘ringjallur’ ekonomikisht dhe të implementonin sistemin e ekonomisë së tregut. Modeli shqiptar nuk ka pse të vazhdojë “ecjen në shtigje të panjohura” por mund të adoptojë një strategji zhvillimi të mirëmenduar, të konsultuar me ekspertë dhe rezultative në planin afatgjatë për të frenuar emigracionin masiv, rikthyer shpresën dhe zhvilluar vendin.