Ankthi është një problem psikologjik, gjithmonë e më shumë i përhapur. Historia e sotme në “Ka një mesazh për ty”, sjell në vëmendje këtë problem dhe pasojat e tij.
Sonila ka vuajtur nga ankthi dhe ajo ka ftuar në program, dy nga personat që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë në jetën e saj.
Motra Genta dhe shoqja e saj i kanë dhënë dashuri, forcë mbështetje dhe ajo publikisht ka vendosur t’i falenderojë.
Sonila: Problemi dhe mesazhi im fillon dhe mbaron me shëndetin tim. Para disa kohësh, unë u preka nga ankthi dhe nuk doja ta pranoja tek vetja se ekzistonte tek unë ky problem.
Ardit Gjebrea: Çfarë ndjeje?
Sonila: Po fillimisht ishin simptoma shumë të zakonshme që mund t’i shkaktonte çdo sëmundje tjetër. Fillonte me dhimbje koke, marrje mendsh, të përziera, mungesë oreksi, pagjumësi. Gjithmonë mund të thoje hë se sot jam pak e lodhur, hë se sot jam pak e mërzitur, më dhemb koka nga mërzia, po fle pak që të çlodhem dhe nuk ja kushtoja atë rëndësinë e duhur, domethënë. Po me kalimin e kohës filluan të bëheshin pak më të shpeshta shqetësimet deri sa fillova të ndjeja rrahje të forta zemre, vështirësi në frymëmarrje, dridhje trupi, mpirje të gjymtyrëve, të duarve, të këmbëve, që ndonjëherë më dilnin jashtë kontrollit, sa duart nuk i ndjeja fare, gati paralizë. Shkoja në urgjencë, se situata të detyronte të shkoje në urgjencë. Merrja atë ndihmën e duhur dhe kthehesha në shtëpi me atë idenë jeta vazhdon, pa i kushtuar rëndësinë e duhur. Shkoj vizitohem për merakun tim, bëj të gjitha analizat. Analizat ishin të gjitha në rregull, nuk kishte asgjë që nuk shkonte. Unë them duhet të kujdesem pak për veten, të ushqehem pak më mirë sepse mungesa e oreksit më ka shoqëruar gjithë kohën. Po vazhdoja normalisht jetën, shkoja në punë, dilja. Por e shikoja që dita–ditës ndjeja një lodhje që vetëm shtohej, këputja e trupit. Fillova të dobësohesha, u dobësova jashtëzakonisht shumë dhe mjekja e familjes i thotë mamit: Simptomat që ka vajza jote janë simptomat e ankthit dhe ti duhet ta çosh patjetër tek specialisti sepse ankthi ndoshta në dukje të parë duket diçka që mund t’i ndodhi gjithkujt një ankth i momentit, i një situate të pakëndshme.
Ardit Gjebrea: Ty të kishte ndodhur ndonjë gjë e kësaj natyre?
Sonila: Mua më ndodhte herë pas here nëpër problemet që mund të krijoheshin në familje apo shoqëri dhe duke qenë natyrë shumë e ndjeshme i përjetoja më tepër seç duhet. Kur më tha mami të shkoja tek specialisti unë i thashë jo, nuk kam nevojë për doktor, unë duhet t’ia dal vetë. Thjesht duhet të kujdesesha më shumë për veten dhe e neglizhoja. Por unë nuk arrija t’ia pranoja vetes që e kisha këtë problem. I trembesha dhe opinionit, se ne jemi një popull shumë paragjykues, e kam vujatur në fakt paragjykimin. Kur shkon tek neurologu apo të konsultohesh me psikologun fillojnë ato etiketimet. Pse i çmendur është ky që shkon tek psikiatri, psikologu, neurologu.
Ardit Gjebrea: Nuk kuptojnë problemin dhe është vetëm një etiketim, është i çmendur, por në të vërtetë nuk është kështu.
Sonila: Dhe në fakt ndodhi me disa kështu.
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi?
Sonila: Paragjykimi dhe largimi nga unë në momentin që kuptuan se çfarë problemi kisha unë.
Ardit Gjebrea: Pati dhe një moment që ti mungove dhe një muaj në punë apo jo?
Sonila: Po, kam munguar dhe një muaj nga puna dhe aty unë vendosa përfundimisht se unë duhet të shkoj patjetër tek specialisti. Kuptova se asgjë nuk vlen më shumë në jetë se shëndeti jotë, pastaj vjen gjithçka tjetër.
Ardit Gjebrea: Përballja e parë si ishte?
Sonila: Unë jam e ndrojtur, nuk flas shumë por doktori e kapi menjëherë situatën dhe nuk ishte nevoja të flisja shumë gjatë. Falë tij fillova të përmirësohesha dita-ditës, ndoqa mjekimin që ai më dha, ndoqa këshillat e tij.
Ardit Gjebrea: Sot nuk ke asnjë problem më?
Sonila: Sot kam probleme të vogla, që ende kanë nevojë për pak kurim.
Ardit Gjebrea: Nejse kur kalove dhe këtë ankthin e të ardhurit këtu dhe po ia del kaq mirë, nuk besoj se ka më asnjë problem.
Sonila: Faleminderit!
Ardit Gjebrea: Sa kohë ka kaluar që atëhere?
Sonila: Afërsisht dy vjet.
Ardit Gjebrea: Po ti sot, për kë ke ardhur?
Sonila: Unë në fakt dua të bëj një falenderim motrës dhe mikes sime të ngushtë, sepse kanë qenë gjithë kohës shumë pranë meje dhe asnjëherë nuk ma kanë lëshuar dorën. Ndonjëherë edhe kur më kanë bërtitur, unë mërzitesha atëherë, por tani e kuptoj që ka qenë për të mirën time. Ato nuk më linin edhe kur isha pa qejf. Kishte raste që shoqja ime, Genta, që është sot e ftuar ma jepte ushqimin me zor si të isha fëmijë.
Ardit Gjebrea: Po Olsa?
Sonila: Olsa pastaj…
Ardit Gjebrea: Motra.
Sonila: Ajo është me e vogla e shtëpisë, por në atë periudhë më trajtonin mua si më të voglën. Nuk më linin të bëja shumë punë shtëpie, më plotësonin dëshirat, dilte me mua kudo që ishte. Më lejo të them dhe dy fjalë për dy këngëtare shumë të njohura të muzikës sonë, Irma dhe Eranda Libohova. Janë dy arstiste që i kam adhuruar që fëmijë, jam rritur me zërin e tyre, me këngët e tyre. Gjatë kohës që kam patur këtë problem, unë i kam dëgjuar më shumë se më parë këngët e tyre dhe humbisja në një botë, që më bënte të harroja gjithë problemet që kisha.
Ardit Gjebrea: Fantastike! Sa bukur ta dëgjosh këtë..
Ardit Gjebrea fton në studio motrën dhe shoqen e Sonilës të cilat përloten kur shikojnë në anën tjetër të ekranit shoqen e tyre.
Sonila: Është e rrallë të gjesh sot njerëz që të të qëndrojnë afër në çdo moment dhe unë jam e bekuar që kam dy motra plus një që bëhen tre, që nuk ma kanë lëshuar dorën asnjëherë, as edhe kur unë kam patur momentet më të vështira të jetës sime. Faleminderit që nuk u lodhët dhe asnjëherë nuk e kursyet dashurinë, buzëqeshjen.
Por supriza nuk mbaron këtu, sepse motra e Sonilës tregoi për herë të parë se ishte shtatzënë duke lumturuar pa masë Sonilën dhe Gentën./tvklan.al