Nga Edlira Gjoni
Shqipëria nuk është gati të pranohet në BE! Asnjë dyshim për këtë! Vite drite larg! Por, BE nuk na refuzoi pse nuk jemi gati, por sepse nuk na do!
Dhe si do mësohemi ne me këtë ide?
E çdo bëjmë për të krijuar një realitet të ri?
Disa ndjesi pas arsyeve qesharake të Francës (edhe pse arsye reale kishte plot), për të na treguar si ndjehet për ne:
As “Po” me kushte. As “Jo” e prerë!
As mish, as peshk! (Peshk i madh jo e jo, se ajo është tavë që gatuhet disa mijëra milje më tutje)
Pse na djeg ka shumë refuzimi i Francës? A është ky vendim politik, apo maskim diplomatik për të na treguar edhe një herë mendimin e vërtetë që kanë për ne: “Ç’na gjeti me ju? Si ka mundësi që ndodheni në atë cep gjeografik afër nesh?”. Dhe as e kanë problem që jemi aty!
Ka shumë arsye sot për t’u ndjerë të nëpërkëmbur si shqiptarë. Do isha ndjerë e fyer dhe konfuze edhe po të ishin hapur negociatat pikërisht në këtë vit, sepse i bie që të “shpërbleheshim” për votimet më të papranueshme një-kahëshe që i lejuam vetes e që na njohën “miqtë” ndërkombëtarë.
Por nuk i përkas dot grupit që duartroket se përse nuk na u hapën negociatat. Nuk e bëj dot sepse ata që duartrokasin, janë në majë të kalit duke e kaluar lumin po aq sa qeveria që dështoi.
Nuk duartrokas dot sepse të humburit në këtë mes nuk janë politikanët, por njerëzit e mi të thjeshtë, familjarët, shqiptarët, qytetarët e shtypur. E për këtë gjendje, fajin nuk e ka njëra palë, por mendësia e të dyjave.
45 vjet nuk na lanë të dilnim, e u bënë 30 vjet që nuk pa na lenë të hyjmë siç duhet: të lirë jo vetëm të vizitojmë, por edhe të provojmë mundësitë për të bërë një jetë më dinjitoze. Jo luksoze! Por dinjitoze! Të mos varen familjet nga 3 mijë lekë në muaj ndihmë ekonomike. Të mos ndëshkohet liria e lëvizjes prej atyre që në mungesë të kësaj lirie, provojnë veten e tyre tjetërkund.
Pse izolim dhe jo integrim për kaq njerëz sa kanë ngelur në Ballkan? Pse refuzon BE të flasë më shifra? Sepse nuk i pëlqen që ta shfryjë tullumbacen e stereotipave qesharake për frikën që ardhka nga Ballkani!
15 milionë njerëz kanë ngelur në 6 vendet ende jo-anëtarë.
Nga këta, 7 milionë janë në gjendje pune e 4 milionë janë tashmë në punë. Pra gjithë këto energji, para, biseda të niveleve të larta me produktivitet të ulët, samite e nisma që nga Selaniku e deri në Berlin a në Trieste, u bëkan për 3 milionë njerëz në 6 shtete?
Nga këta do i vijë fundi Europës?
Si t’ua shpjegojë Macron francezëve “lumin” e kërkesave për azil nga Shqipëria? Po mëso të vërtetën, ja kështu nise. As përrua nuk është, jo lumë. As rrëke madje! Një copë vijëze që rrjedh njerëz, jo gjepura është kjo mandatë që e paska zënë Francën me shqiptarët.
E po të ishim në tavolinën e negociatave, nuk do kërkonin azil, por vetëm punë. Po të mos gjenin, do lëviznin tjetërkund, deri sa t’i japin vetes një mundësi, siç bën çdo njeri i civilizuar sot. Pa mbylli pak 67 milionë francezët e tu? Le t’i mbyllte kolonizatorët Franca ca shekuj më parë! Flasin dhe për “mijëra” azilantë! Hipokrizi e klasit të parë!
Po nëse tsunami prej të cilit trembet Europa është 3 milionë njerëz, pse nuk është mbytur ende Polonia? Refuzoi emigrantët sirianë në 2016, po që prej atëherë, 2 milionë ukrainas ka marrë brenda, i ka pajisur me leje qëndrimi e me leje pune, dhe kjo është mënyra që ka gjetur për të mbijetuar në boshllëkun që lanë polakët në punët mekanike kur ikën sapo u doli mundësia për të punuar në Angli.
Njerëzit lëvizin! Dhe bëjnë shumë mirë!
Kjo retorika europiane për të na detyruar të mos kërkojmë me meritë një mundësi më të mirë për veten, i ngjan sjelljes komuniste të viteve të diktaturës, kur jo kushdo nga fshati mund të mblidhte plaçkat e të shkonte në qytet, për të jetuar më mirë. Jo! Qytetarët e donin qytetin për veten. Nga fshati donin produktet dhe punët e krahut.
Edhe sot Franca e do Europën për veten, por nga ne do nënshtrimin, emigrimin dhe punët e kategorive më të ulëta, e edhe këto, të kontrolluara nga Franca.
Është shtëpia e saj, le të vendosë rregullat që do! Por neve të mos na japë leksione demokracie apo teatro zë-ngushtësie.
Cila është hera e fundit që një zyrtar i lartë francez ka vizituar Shqipërinë? Cila është hera e fundit që Franca ka mbledhur të dhëna reale për shqiptarët, numrin, rrezikun tsnunamik që mbartekmi me vete?
Laj thaj, Franca 4 dhurata të mëdha na ka bërë që nga lufta e dytë botërore: Enver Hoxhën, Sali Berishën, Edi Ramën dhe mbylljen e negociatave dy vite radhazi!
Por, asnjë nga rreshtat e mësipërm nuk justifikon gjendjen katastrofale të politikës në Shqipëri, të shtetit të kapur nga krimi e krimit të kapur për fyti nga shteti. As të reformës në drejtësi që e mbysin me radhe palët, mamitë e kurdisur keq që vijnë nga PD, PS e LSI, sa herë bebja e çuditshme dhe ilegjitime e reformës në drejtësi mundohet të dalë në dritë.
As nuk justifikohen dot veprimet anti-shqiptare në Novi Sad, në 21 Janar, në 30 Qershor, në Krrabë, në Gërdec, ku të doni! As nuk justifikon bojkotin e shëmtuar e të përsëritur të opozitës, që na bëri njerëz me bisht sa herë ngre çadra, djeg mandate a djeg vendin.
Asgjë nga katastrofa e ngrënies së vetes përmes PPP-ve, propagandës, krimit, drogës, vjedhjes së vendit ditën me diell nuk justifikon. Por e keqja është se pasojat për të gjitha këto nuk i vuan politika, por populli.
Mos-hapja e negociatave ka zero ndikim tek Edi Rama e njerëzit rreth tij, tek Lulzim Basha e shpura në pritje për tituj, as tek Ilir Meta e fëmijët e tij në Londër.
Mos-hapja e negociatave ka ndikim tek familjet që nuk u dalin llogaritë për asgjë, e që dinjiteti nuk i ndihmon dot më gjatë që ta mbajnë kokën mbi ujë.
Shqipëria ndëshkohet për 3 arsye madhore: (1) krimin e organizuar, (2) për politikën e keqe dhe (3)për lodhjen e Bashkimit Europian nga zgjerimi.
Si përkthehet kjo në vija shumë të trasha:
1) Shqiptari i thjeshtë ndëshkohet për krime që nuk i ka bërë ai
2) Për politikanë që nuk i ka votuar vetë
3) Për lodhje nga një zgjerim ku vetë, nuk ka bërë kurrë pjesë!
Në këto kushte, në vend të Ramës do e kisha pyetur mikun e tij të pikturave, Makron dhe mikeshën e barcaletave, Merkel:
“Kjo “Jo” për negociatat, është për politikanët, apo për shqiptarët? Nëse është për popullin, ç’keni me të? Nëse është për ne, pse dreqin na shtrëngoni dorën sa herë gabojmë”?
Nuk ka përralla integrimi! Europa nuk aplikon një standard të vetëm. E lëviz standardin sipas qejfit. Nëse na gënjen mendja se progresi në Serbinë agresore është shpërblim apo në Malin e Zi me një emër në politikë prej 30 vitesh është mirënjohje, atëherë kemi parë ëndrra me sy hapur!
Shqipëria nuk është gati të pranohet në BE! Asnjë dyshim për këtë! Por, BE nuk na refuzoi pse nuk jemi gati, por sepse nuk na do!
Dhe si do mësohemi ne me këtë ide?
E çdo bëjmë për të krijuar një realitet të ri?
Schengen Ballkanik që ekziston?
Mos o Zot! Na ruaj nga aneksimet dhe antishqiptarizmat e radhës!