Deri atëherë selam!

Nga Ilir Kalemaj

Kohët e fundit debati mbi reformën zgjedhore po merr një hov edhe më të madh duke u prononcuar si ekspertë, edhe profanë, për shkak të urgjencës me të cilën kërkohet reforma. Jo aq nga aktorët e brendshëm, sa nga ata ndërkombëtarë. Ishte fundja, një nga 9 pikat gjermane. Dhe kur flet gjermani, kërcet jatagani.

Shumë është shkruar dhe është folur këto kohë nga forma e sistemit zgjedhor deri te elementët teknikë që jo domosdoshmërisht prekin sistemin, nga mundësimi i votës së emigrantëve deri te numërimi elektronik dhe pse jo edhe votimi elektronik në formë të pilotuar. Autori i këtyre radhëve ka shkruar dhe prononcuar jo pak për këtë, duke i’u referuar dhe eksperiencave më të mira europiane por edhe shembujve nga rajoni për të parë se çfarë funksionon, çfarë duhet ndryshuar dhe si mund të kufizojmë mundësinë e infiltrimit të parasë kriminale për të blerë vota. Ekipet teknike pranë lidershipeve politike të paktën pranë partive të mëdha me siguri dhe në konsultim me ndërkombëtarët i kanë të qarta disa ide paraprake por mungon si rëndom vullneti politik dhe konsensusi bipartizan.

Duke lëçitur librin e fundit te Edward Aspinal dhe Ward Berenshot të titulluar “Demokracia për shitje: zgjedhjet, klientelizmi dhe shteti në Indonezi” fillon dhe sheh se sa një sistem zgjedhor i deformuar, mund të shtrembërojë dhe vetë kulturën politike dhe të korruptojë lirinë e zgjedhjes. Ndryshimet në sistemin zgjedhor pas diktaturës të gjeneral Suhartos që u përmbys me revolucion popullor, gradualisht mbollën farën e korruptimit të ardhshëm ku zgjedhjet u bënë luks vetëm i atyre që kishin mundësi të blinin rezultatin. Shumica e kandidatëve vet-financojnë fushatat e tyre dhe blejnë kandidimin te partitë që i vendosin në lista. Një network sekserësh është në funksion të kandidatëve për të shpërndarë “zarfet” qysh në të gdhirë të ditës së votimit në mënyrë që kjo të ketë ndikim të drektëpërdrejtë dhe të menjëhershëm te zgjedhja para kutive të votimit.

Kjo lloj praktike, sikundër argumentojnë me të drejtë autorët, nuk deformon vetëm vullnetin zgjedhor por korrupton vetë sistemin politik pasi gjëja e parë që do të bëjnë të zgjedhurit në këtë mënyrë është të nxjerrin paratë e investuara dhe pse jo atë që e konsiderojnë fitim të munguar. Kjo në vetvete siç kanë argumentuar politologë të shumtë që janë marrë me vendet në zhvillim e kthen sistemin politik në të mirëfilltë neo-patrimonial dhe klientelist ku premtimi i të mirave direkte të tilla si vende pune për militantë, shpërblime për sekserë dhe tendera për oligarkë kthehen në karakteristika bazë që shtrembërojnë konkurrencën dhe zhvasin pasuritë publike. Kjo bëhet drejtëpërdrejtë me akte të pastra shpërdorimi detyre dhe korrupsioni pasiv vencarisht kur sistemi i drejtësisë nuk funksionon siç duhet ose në forma të ligjëruara që maskojnë interesa thellësisht korruptivë si sistemi i ppp-ve, koncesioneve apo tenderave pa garë dhe me fitues të parapërcatuar.

LEXO EDHE  Basha prezanton në PPE vizionin për Shqipërinë Europiane: Do ta arrijmë këtë me mbështetjen tuaj

Është me rëndësi që palët të bien dakord parimisht për premisat mbi të cilat do të ngrihet sistemi i ri zgjedhor, ku bazë të jetë jo vetëm zbatimi i kodit penal aktual për krimet elektorale por madje ashpërsimi i tij vençarisht për penetrimin e parasë kriminale në proceset zgjedhore, të vendosen rregulla të qarta, të  monitorueshme në mënyrë të pavarur dhe të implementueshme për financimin e partive politike dhe të ashpërsohet ndëshkimi për ata që deformojnë vullnetin zgjedhor. Kjo është dhe alfa e çdolloj fillimi negociate mbi ndryshimet e mundshme që për hir të së vërtetës vendi i ka provuar në të kaluarën të paktën disa prej modeleve duke filluar me mazhoritarin e pastër dhe mandej me atë të korrektuar me proporcional kombëtar e deri te i tanishmi proporcionali rajonal me lista të mbyllura.

Ngelet të provohet edhe proporcionali kombëtar me lista të hapura siç po avokohet me forcë nga një shumësi palësh të interesuara por thelbi ngelet te vullneti politik për mos të deformuar rezultat dhe rënien dakord për rregulla të qarta loje të cilat i vendosin palët politike në start të barabartë. Ndryshe rezultati ka për të qenë gjithnjë i kontestuar, ne do vazhdojmë të endemi si Odiseu në kërkim të Itakës (integrimit europian) dhe konsensuset politike do i ngjajnë gjithnjë e më tepër armëpushimeve që janë gjithsesi të përkohshëm deri në rifillimin e luftës politike. Deri sa vendi të jetë zbrazur krejt nga truri dhe fuqia punëtore. Deri atëherë selam!

*Shkruar enkas për Boldnews.al