I shërbeu qeverisë/ Donika Prela shpreson në mbështetje politike për promovim në detyrë

Nga Boldnews.al

Donika Prela shpreson në një mbështetje politike për t’u ngjitur në karrierë, vetëm pak javë pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë refuzoi që t’i jepte viston për t’u promovuar si pjesë e Prokurorisë Speciale-SPAK.

Drejtuesja e Krimeve të Rënda, e cila me pasivitetin e saj, u ka shërbyer më së miri eksponentëve qeveritarë për të “shpëtuar” nga problemet me ligjin penal, tashmë synon që të emërohet prokurore në Apel ose në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ligji për Prokurorinë, ai për SPAK, si edhe Rregullorja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë parashikojnë të njëjtat parime dhe kritere për ngritjen në karrierë të prokurorëve.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), gjatë shqyrtimit të kandidaturave për SPAK, e theksoi se përzgjedhja e prokurorëve që do të ishin pjesë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, është e njëjtë me atë të ngritjes në detyrë.

Në përfundim të procesit, KLP përzgjodhi 15 kandidatë për SPAK, ku mungesa kryesore ishte ajo e kreut të Krimeve të Rënda, Donika Prela, e cila, megjithëse kandidoi, nuk u vlerësua për të qenë pjesë e strukturës së posaçme hetimore.

Në këtë mënyrë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në Korrik 2019, rrëzoi kërkesën e Donika Prelës për “ngritje në detyrë”.

Por, drejtuesja aktuale e Krimeve të Rënda duket se nuk heq dorë nga kërkesat e vazhdueshme për ngritje në detyrë.

Ajo tashmë synon të emërohet si prokurore në nivel Apeli ose në institucionin qëndror të Akuzës, pavarësisht se aftësitë e saj profesionale nuk u konsideruan të mjaftueshme për të qenë pjesë e promovimit në SPAK.

Donika Prela është në krye të Krimeve të Rënda prej muajit Maj 2018, pas një vendimi pa bazë ligjore të mikeshës së saj, Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.

Prela arriti të konfirmohet në detyrë nga shkalla e parë e Vetingut, pavarësisht problematikave të shumta në të tre kriteret-atë të pasurisë, të integritetit personal dhe aftësive profesionale.

LEXO EDHE  Dy shkeljet flagrante të Bernd Borchardt

Komisioneri Publik ankimoi vendimin e konfirmimit në detyrë, marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në Shkurt të këtij viti. Aktualisht, Donika Prela është në pritje të caktimit të datës për shqyrtimin e rastit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e Vetingut.

Në krye të Krimeve të Rënda, Donika Prela konsiderohet si përgjegjësja kryesore për dështimin e një serie hetimesh ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë.

Nën drejtimin e saj, është bllokuar thuajse totalisht vijimi i hetimeve për dosjen “339”, ku identifikohen lidhjet e grupeve kriminale me eksponentë të lartë të maxhorancës për vjedhjen/blerjen e votave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.

Po ashtu, Donika Prela është një prej personave që ka nënshkruar “degdisjen” e dosjes “184” në Dibër, në tentativë për të shpëtuar zyrtarë shumë të lartë qeveritarë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në një mekanizëm për të siguruar vota për Partinë Socialiste, në mënyrë të paligjshme, gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale në Dibër, në vitin 2016.

Nën drejtimin e Donika Prelës, grupi hetimor i çështjes “Tahiri” u gjend nën presion, duke reduktuar në maksimum veprimet hetimore kundër ish-ministrit të Brendshëm, nën akuzë për trafik narkotikësh dhe bashkëpunim me grupin kriminal “Habilaj”.

Me ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të Donika Prelës, ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Gent Osmani, aktualisht i shkarkuar nga Vetingu, devijoi hetimet për vëllain e Fatmir Xhafaj, duke hetuar personat që i dhanë zë akuzave publike të Albert Veliut ndaj Agron (Geron) Xhafaj, për përfshirje në trafik narkotikësh.

Pas këtyre “shërbimeve” në favor të maxhorancës qeverisëse, Donika Prela synon të sigurojë një “promovim” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i përbërë në shumicë nga anëtarë të zgjedhur nga shumica socialiste ose njerëz të afërt me mikeshën e saj, Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku.