Nga Nebil Çika
Vjosa Osmani është pa dyshim fituesja e madhe e zgjedhjeve ne Kosovë. Edhe pse LDK u rendit e dyta Vjosa ishte dhe mbetet politikania që spikati në këto zgjedhje më shumë se kushdo tjetër. E nominura vetëm pak ditë para nisjes së fushatës zgjedhore si kandidate për kryeministre e LDK, Osmani bëri diferencën duke i rikthyer partisë dikur dominuese në politiken e Kosovës jo vetëm linjën politike por dinjitetin e humbur pas vdekjes së liderit historik Ibrahim Rugova. Ajo arriti në pak kohë të drejtimit të fushatës ti ndezë LDK –së shkëndijën Rugovjane të të bërit politikë që pothuaj po shuhej në ketë parti. Sigurisht që rezultati nuk ishte ai që pritej por me siguri kjo nuk erdhi për shkak e as për faj të Vjosës, përkundrazi.
Tani pas përfundimit të zgjedhjeve gjithsekush mund të bëjë një bilanc me gjak të ftohtë dhe me siguri do të dalë në përfundimin se brenda mundësive në dispozicion Vjosa Osmani ka arritur maksimumin personal si politikane.
Vjosa mori përsipër barrën e rëndë të udhëheqjes së fushatës së LDK në kushte të pa barabarta me rivalët e saj. Së pari ajo ishte e vetmja kandidate e shpallur për kryeministër që nuk ishte kryetare e forcës politike që përfaqësonte, gjë që e vështirësoi dhe e dobësoi disi mundësinë e përpalljes së saj me kapacitet të plotë me ta. Me pak fjalë Vjollca udhëhoqi një ekip elektoral të pa përcaktuar tërësisht nga ajo por edhe nga drejtuesit e partisë, kryesisht garda e vjetër e LDK. Do të kishte qënë shumë më ndryshe nëse Isa Mustafa do te ishte tërhequr në Kuvendin para zgjedhjeve dhe Vjosa do te kishte qënë përveç kandidate për kryeministre edhe kryetare e LDK. Zgjidhja që i dha LDK kësaj çështje me dy koka një kryetar partie dhe një tjetër kandidat për kryeministër nuk dukej e duhura dhe e vlerësoj si një nga arsyet që rezultati zgjedhor nuk shkoi në raport të drejtë me mundësitë dhe sidomos me pritshmërinë e publikut nga Vjosa Osmani.
Nga rezultati i zgjedhjeve shihet qartë që LDK ka humbur ndjeshëm në disa zona bastion historik si Gjilani, Vushtrria komuna të drejtuara nga LDK madje drejtues të rëndësishëm të saj ndërkohë që është rritur dukshëm në komuna të tjera. Logjikisht pritej që në këto komuna bastion LDK si parti që vinte nga opozita të shtonte vota gjë që çuditërisht nuk ka ndodhur. Kjo ka ngjallur dyshimin e artikuluar edhe me herët nga opinioni publik për mundësinë e “sabotimit” nga brenda LDK-së të Vjosa Osmanit, suksesi i së cilës pritej të ndryshonte shumë gjëra në politikën dhe veçanërisht në drejtimin e ri të saj. Ka dy mundësi apo dy arsye të rezultateve të dobëta të LDK në këto zona bastion të saj: Ose rezultati të jetë lënë qëllimisht i tillë nga drejtuesit e Komunave rivalë të Vjosës në LDK ose ata që kanë punuar aq keq si drejtues të komunave dhe njerëzit nuk kanë votuar Vjosën dhe LDK-në për shkak të tyre. Të dy mundësitë me apo pa dashje janë një “sabotim” i Vjosës nga brenda partisë së saj. Megjithatë rezultati kokë më kokë me Albin Kurtin e VV një politikan i futur në garë më shumë mundësi, kushte kohë e hapësirë politike e elektorale se Vjosa ajo ka arritur një sukses personal të pa parë në këto zgjedhje dhe është pa dyshim fitimtarja morale e politike e tyre. Sigurisht që ky rezultat i saj nuk është surprizë. Udhëheqja e LDK u detyrua të nominojë Vjosën për kryeministre falë aftësive politike, morale e intelektuale që ka demonstruar si politikane e njeri gjatë gjithë kohës së aktivizimit të saj në politikë. Qëndrimet e saj shpesh herë kundër vendimeve të drejtuesve të partisë por gjithnjë në linjë ideologjike e morale me filozofinë Rugoviane e kanë spikatur atë tek baza e LDK dhe elektorati i djathtë në Kosovë gjë që është shprehur në vota personale që ajo merr si më e votuar e LDK në zgjedhje politike për disa zgjedhje rresht. Mendoj dhe besoj se edhe me këtë rezultat që gjithsesi e kthen LDK-në në qeverisje roli i Vjosës në LDK mbetet parësor por ai duhet të garantohet duke i dhënë edhe de jure drejtimin e saj. Nuk e di sa do të jenë të gatshëm rivalët e saj në LDK ta pranojnë këtë realitet por fakti që ata zgjodhën ta nominojnë për kryeministre por jo ta zgjedhin njëhershmi edhe kryetare partie, duke ja dobësuar disi pozitat në garën zgjedhore si dhe dyshimet që lidershipi i saj elektoral u sabotua nga brenda LDK, më bën disi skeptik.
Gjithsesi këmbëngul që Vjosa ishte një fituese e madhe, jo vetëm për veten e saj por edhe për LDK-në dhe Kosovën gjë që e bën rolin e saj pas këtyre zgjedhjeve edhe më me rendësi. Po pres me kërshëri të shoh hapat e mëtejshëm politik të saj dhe shpresoj që ajo vetë dhe baza e LDK-së të mos lënë të shkojë dem ajo që kanë bërë në këto zgjedhje nën drejtimin e Vjosës. Rruga e saj nuk filloi e sigurisht s’mbaron këtu. Por për të arritur kullmin e pritshmërisë së saj asaj i duhet të punojë me kapacitet të plote gjë që në këto zgjedhje nuk ju mundësua rrethanat apo edhe nga vetë partia e saj.
/gazetaminerva/