Shantazhi për rastin “Pula”, institucionet e Drejtësisë nuk guxojnë t’i kundërvihen Qeverisë

Nga Boldnews.al

Sulmi qeveritar ndaj një prokurori dhe një gjyqtareje në Durrës zbuloi se Reforma nuk ka parashikuar mjete efikase për mbrojtjen e zyrtarëve të Drejtësisë përballë shantazheve politike.

Prokurori Arjan Ndoja dhe gjyqtarja Besiana Garxenaj nuk kanë në dispozicion asnjë mjet ligjor në mbrojtje të integritetit të tyre profesional e personal, të cënuara nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendësit të tij, Erion Braçe, menjëherë pas arrestimit të kreut të Kadastrës Durrës, Liridon Pula.

Ndërkohë, strukturat më të larta apo ato përfaqësuese të interesave të prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk ekzistojnë ose ato që janë në funksion, kanë zgjedhur “paktin e heshtjes” për të mos u përballur me furinë e fundit qeveritare.

Prokurori Ndoja u cilësua si “i lidhur me bandat kriminale” fillimisht nga Edi Rama, i cili nuk e përmendi nominalisht, duke ia lënë këtë detyrë zëvendësit të tij, Erion Braçe, që e identifikoi me emër e mbiemër këtë “prokuror të lidhur me grupet më të rrezikshme”.

Braçe u tregua disi më i butë me gjyqtaren Garxenaj në një dalje publike nga foltorja e Kryeministrisë, paraditen e së shtunës, duke lënë të kuptohet se ajo është mashtruar nga prokurori Ndoja.

Në këtë situatë, juristë të ndryshëm mendojnë se prokurori, por edhe gjyqtarja, mund të referojnë materiale në institucionin e Prokurorisë në ngarkim të zv.kryeministrit, nën akuzën për “Ushtrimi ndikimi të paligjshëm”.

Gjithësesi, ky referim mund të dështonte pa filluar, për të paktën dy arsye:

– Së pari, duke e marrë fjalë për fjalë nenin 245/1 të Kodit Penal, është vështirë të gjenden parashikimet ndëshkuese për rastin kur politikanët, nga foltoret politike, ushtrojnë presion publik mbi prokurorët apo gjyqtarët;

 – Së dyti, edhe nëse do të gjendej një hapësirë ligjore për nisje procedimi penal ndaj Braçes, do të jetë shumë e vështirë të gjendet një prokuror që të kryejë hetimin, nën këtë trysni politike që po funksionojnë organet e drejtësisë (prokurori Ndoja nuk mund ta kryejë vetë hetimi për shkak të “konfliktit të interesit”).

Dy zyrtarët e Drejtësisë në Durrës janë në kushtet e ndalimit ligjor në rast se do të vlerësonin të reagonin publikisht ndaj deklaratave të Edi Ramës dhe Erion Braçes.

Ligji për Prokurorinë, në nenin 9 të tij, parashikon se “Prokurorëve u ndalohet të bëjnë deklarata ose të japin mendime për veprimtarinë e organeve të tjera”. Shkelja e këtij neni shoqërohet me masa disiplinore, deri në shkarkim nga detyra.

Një parashikim të tillë ka edhe Statusi i Gjyqtarëve, i cila, në nenin 26 të tij, parashikon se “Gjyqtarit i ndalohet të bëjë deklarata në lidhje me proceset…”.

Ligji për Prokurorinë, në nenin 38 të tij, parashikon si kompetencë të Prokurorit të Përgjithshëm edhe “përfaqësimin e institucionit me të tretët”. Referuar këtij përcaktimi, Prokuroria e Përgjithshme mund të jetë një ndër organet që duhet të reagojnë për sulmet ndaj prokurorëve të caktuar, si në rastin e fundit.

LEXO EDHE  ‘Ku janë këta dashnorët e bregdetit’/ Malltezi denoncon batërdinë e ndërtimeve (FOTO)

Por, askush nuk ka pritshmëri që Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku të vendoset kundër qeverisë. Jo vetëm kaq, por Marku ka dëshmuar në shumë raste që ajo e vendos veten në situata sfiduese me vartësit.

Ajo sulmoi publikisht dhe urdhëroi nisjen e hetimit penal për prokurorët e dosjes së Saimir Tahirit, kur, për shkak të firmës së saj të paligjshme, u ekstradua drejt Italisë shtetasi Nezar Seitaj, i njohur si “financieri i Habilajve”.

Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku sulmoi hapur dhe publikisht ish-drejtuesin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, kur në media dolën përgjime të dosjes “184”, që ngrinin dyshime për implikimin e zyrtarëve të lartë socialistë në vjedhjet e blerje votash.

Arta Marku identifikoi “përgjegjës” prokurorin e çështjes “184” për transferimin e dosje nga Krimet e Rënda drejt Dibrës, megjithëse ishte vetë ajo që kishte vulosur në fund transferimin e rastit në prokurorinë periferike.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka kompetencë specifike për të dalë në mbrojtje të prokurorëve dhe, natyrisht, ka zgjedhur heshtjen deri më tani. Gjithësesi, “një burim nga KLP”, i cituar nga “Birn” thotë se “të hënën do të organizohet një mbledhje urgjente për të trajtuar reagimin mbi qëndrimet politike”.

Deri mesditën e së Dielës, në faqen zyrtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk kishte asnjë njoftim për thirrjen e kësaj mbledhjeje.

Unioni i Prokurorëve, një organizëm që është ngritur formalisht për mbrojtjen e prokurorëve, është jo-funksional prej më shumë se dy vitesh.

Nga ana tjetër, edhe mekanizmat për mbrojtjen e integritetit të gjyqtarëve janë jo-efikasë. Aktualisht nuk ka Kryetar të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, post që i takon kryetarit të Gjykatës së Lartë, funksion i cili nuk ekziston këto kohë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka asnjë reagim apo “njoftim me burime” për ndonjë qëndrim të pritshëm ndaj situatës së krijuar me gjyqtaren e Durrësit, Garxenaj.

Shoqata dhe Unioni i Gjyqtarëve, dy organizma paralele në mbrojtje të interesave të gjyqtarëve, gjithashtu nuk janë ndjerë për sulmet, shantazhet e presionet ndaj koleges së tyre të Durrësit.

Reagimi më i fundit i këtyre shoqatave daton para disa muajsh, kur ato kundërshtuan në Gjykatën Kushtetuese (që nuk ekziston) vendimin e qeverisë për heqjen e pasaportave të shërbimit.

Nën këtë situatë trysnie, shumë njerëz besojnë se Gjykata e Apelit të Durrësit do të kthejë në liri Liridon Pulan, për të shmangur në këtë mënyrë linçimin politike të gjyqtarëve të tjerë.