Kryeministri Edi Rama deklaroi se të pasurit e Shqipërisë duhet të japin një fond nga dividenti i tyre për të zgjidhur hallet dhe problemet e njerëzve më të dobët.
Rama mblodhi rreth 200 sipërmarrës të mëdhenj, një pjesë e të cilëve cilësohen si oligarkë, ku tha se kjo bëhet për të krijuar një shoqëri solidare.
Rama tha se kjo nuk duhet të shikohet si taksë shtesë ndaj biznesmenëve.
Kryeministri u ka kërkuarve të pasurve që të japin 2 % të fitimit të tyre për atë që e quajti “Shqipëria solidare”.
Kjo është hera e parë që një Kryeministër në 30 vjet tranzicion politik në Shqipëri, mbledh biznesmenët e mëdhenj dhe i kërkon të japin kontributin e tyre pë rata që Rama i cilëson si njerëzit më të dobët.
Kur mori detyrën e Kryeministrit, Rama përjashtoi nga skema e ndihmës ekonomike me mijëra familje shqiptare, disa prej të cilëve mund të ishin futur në mënyrë abuzive, ndërsa deklaronte se një skemë e tillë nuk zgjidhte problemet.
Ndërkohë që sot, i njëjti Kryeministër kërkon ngritjen e një skeme të ngjashme të ndihmës ekonomike, këtë rradhë në formën e lëmoshës, duke iu kërkuar biznesit derdhjen e një kontributi financiar për të varfërit.
“Duke parë edhe nevojën që ka shoqëria për të kuptuar më mirë dhe për të prekur më nga afër vlerën që ju mishëroni për këtë komunitet, sikundër për të lehtësuar gjithë këtë barrë të madhe dhe të padrejtë mbi figurën e sipërmarrësit të suksesshëm, mbi emrat e shumë kujt prej jush këtu që përgojohen si të ishin persona në kërkim, të hapim së bashku një faqe tjetër duke vënë në dispozicion të atyre që janë më të varfër, një mekanizëm të dakordësuar bashkërisht.
Idenë e krijimit të një fondi të “Shqipërisë solidare” për të adresuar bashkë me ju nevoja dhe halle në drejtim të atyre që janë më në nevojë dhe më në hall.
Ideja bazë e këtij fondi nuk është një taksë plus që shkon në buxhetin e shtetit, por një mekanizëm i strukturuar bashkëpunimi midis qeverisë dhe biznesit të madh, apo më saktë midis qeverisë dhe sipërmarrësve të mëdhenj”, tha Rama.
Rama ka folur edhe për mënyrën se si do të funksionojë ky fond.
“Secilit prej jush t’i bjerë një barrë e barabartë, e cila mund të jetë 2% mbi dividentin, jo të kompanisë, por dividentit tuaj.
Mekanizimi nuk do të kontrollohet nga qeveria, por nga ju. Qeveria do të sjellë pranë jush nevojat dhe bashkë me ju, si pjesëtare e një bordi që duhet diskutuar se si do të zgjidhet nga ju dhe si do të bëjë të gjithë procesin, të përcaktojë se cilat janë ato halle dhe ato nevoja të menjëhershme që duhen kthyer në projekt dhe duhen realizuar në terrenin e jetës së përditshme”, u shpreh Rama.