Nga Boldnews.al
Shqipëria pret më 18 tetor një vendim për rrugën e saj drejt BE-së, që me shumë gjasa do të jetë një “Jo” për hapje negociatash, referuar asaj që ka ndodhur deri më tani.
Holanda duket se ka vendosur për t´i dhënë një “JO” procesit të hapjes së negociatave dhe këtë e lidh me mospërmbushjen e kushteve nga ana e Shqipërisë në 2018, duke mos u marrë fare me atë që ka ndodhur në 2019.
Gjermania, përmes Bundestagut, përgatiti një rezolutë me 9 kushte apo detyra shtëpie, që ia la në tavolinë jo vetëm Edi Ramës si Kryeministër. Gjermania në qëndrimin e saj vendosi të zgjerojë përgjegjësinë, duke ia faturuar një pjesë të kushteve Prokurorisë, veçanërisht në hetimin e çështjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin zgjedhor. Me pak fjalë gjermanët kanë zgjedhur të mos thonë një “Jo” të thatë, por të skanojnë situatën njëlloj sikundër ndodh me kontenierët që hyjnë e dalin në porte.
Franca ende nuk është shprehur, por edhe vjet ishte një ndër vendet skeptike, që me shumë gjasa edhe këtë vit do të mbajë një qëndrim të njëjtë.
E ndërsa për Gjermaninë, Rama nxitoi të shprehë falenderime, ndoshta edhe për faktin se 9 kushtet apo “detyrat e shtëpisë” mund të ishin 18 apo 27, për Holandën e ka një përgjigje të gatshme që para 1 viti, që ka të bëjë jo me ato çka nuk plotëson Shqipëria, por me problemet e brendshme të anëtarit të BE-së.
Për Francën nuk dihet se çfarë mund të thotë, por me shumë gjasa mund të falenderojë Presidentin Macron, dhe më pas të artikulojë problemet e brendshme si në rastin e Holandës.
Në fakt pavarësisht vendeve që mund të thonë një “Jo” të prerë dhe atyre që mund të mbështesin pa kushte hapjen e negociatave, qëndron një rezolutë e Bundestagut, vendit lider në BE, që e zeza në të bardhë, nuk le vend për interpretime, shfajësime apo justifikime.
Rezoluta gjermane nuk është mjaftuar për të drejtuar gishtin mbi qeverinë e rradhës, në rastin konkret e kryesuar nga Edi Rama, por ka përfshirë të gjithë sistemin, ekzekutivin, legjislativin, drejtësinë.
Përballë rezolutës qëndron Rama dhe pas tij, Rilindja, mazhoranca në Parlament, Prokurori i Përgjithshëm, i votuar me votat e Rilindjes, reforma në drejtësi dhe kaosi i krijuar në sistemin e drejtësisë ku dy gjykata, ajo e Lartë dhe Kushtetuese, janë jashtë funksionit.
Rama ka marrë rolin e një veziri, që është shumë pranë të quajturit Sulltan, sikur herë pas here mos i jepej ndonjë “shuplakë” nga ndërkombëtarët, që janë më të vëmendshëm se shumë prej diplomatëve që shqiptarizohen më shpejt se vetë shqiptarët kur kthehen nga emigracioni me situatën këtu.
Kryeministri udhëzon, emëron, kandidon, reformon sipas idesë së tij, akuzon, sulmon, jep konçensione, përcakton të mirën dhe të keqen, dhe në fund e kalon me një frazë “s´jemi të pagabueshëm, por më të mirë se ne nuk ka”.
Dhe në fund të kësaj, konstaton se ai ka kapur çdo gjë, për meritë ose jo të tij, dhe po synon të marrë kontrollin edhe të Presidencës, përmes një procesi shkarkimi të Presidentit aktual, Ilir Meta.
Modeli i tij nuk është i panjohur, qoftë në politikën shqiptare të fillim viteve 1990, ashtu edhe në atë europiane dhe botërore.
Është një model i ngjashëm në miniaturë me atë të Putin në Rusi, pothuajse i njëjtë me atë të Erdogan në Turqi apo Vuçic në Serbi. E ndërsa në politikën e vogël shqiptare, ai arriti t´a ngrejë dhe instalojë këtë model, qoftë edhe me bekimin e fraksioneve diplomatike, duket se vendi që e suportoi më shumë në fillimet e tij si kryeministër, i ka treguar tabelën “Halt”.
Dhe jo thjesht vetëm për individin që është Kryeministër, por për gjithë sistemin e ngritur prej tij në 6 vjet.
Ndaj dhe rezoluta e Bundestagut është shumë më e rëndësishme se “Po” apo “Jo” e mbledhura nga vende të veçanta të BE-së lidhur me hapjen ose jo të negociatave. Sot ka një dokument, zbatimi i të cilit kalon në filtrin jo të institucioneve në Shqipëri, jo të diplomatëve të atashuar këtu, por të Berlinit, dhe ndoshta më vonë edhe të Vjenës apo Parisit.