Drejtuesja e Prokurorisë së krimeve të Rënda, Donika Prela, ka dashur sot të mbulojë ‘diellin me shoshë’, duke kërkuar të përgënjeshtrojë lajmin se ajo ka urdhëruar dy prokuriër Nakuçi dhe Doloresa Musabelli, që të dërgonin sa më shpejt në gjyq dosjen e ‘Toyota Yaris’.
Në reagimin e saj, Prela, në tentativë për të mbrojtur veten se nuk e ka shkelur ligjin për pavarësinë e institucioneve, pranon se me anë të shkresës ajo ka udhëzuar dy prokurorët që të dëtgojnë dosjen në gjykatë, duke mbyllur kështu përfundimisht hetimin, për një nga çështjet më të nxehta në shqipëri.
Ja reagimi i plotë i Prelës:
Nisur nga njoftimet e bëra në media, kronikë e transmetuar në televizionin “Neës 24”, sot më datë 24.09.2019 ku është pretenduar se Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, ka urdhëruar më datë 11/09/2019 dy prokurorët e procedimit penal nr. 130 të vitit 2018 për mënyrën e zgjidhjes së procedimin penal dhe për dërgimin e tij në gjykim gjej me vend të sqaroj se:
Më datë 04.07.2018, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 130 në ngarkim të të pandehurve Klevi Cani, Edi Lika ( Eduart Cani), Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Alfred Vladi dhe Elvis Vladi për veprat penale “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grupin e strukturuar kriminal” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334 të K. Penal.
Hetimet në këtë procedim penal lidhen më faktin e ndodhur më datë 24.06.2018, rreth orës 09.40 në Pikën e Kalimit Kufitar të Portit Durrës, ku, nga kontrolli fizik i mjeteve që ndodheshin në karrotrecin Bizarre me targë AA 120SP dhe AFR 559 në pronësi të Klevi Cani, me drejtues shtetasin Agim Ceka, janë konstatuar të fshehura në dy mjete tip “Toyota” shuma të konsiderueshme, me para kartmonedhe e huaj, e prerjeve të ndryshme në total 3.366.700 ( tre milionë e treqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind) euro dhe 80.000 ( tetëdhejtë) mijë franga zvicerane. Në kuadër të hetimeve, më datë 24.06.2018 janë arrestuar në flagrancë shtetasit Klevi Cani, Edi Lika ( Eduart Cani), Agim Ceka, Alban Mollaymeri dhe ndodhen në masën e sigurisë “ Arrest në burg” ndërsa janë në hetim në masën e sigurisë arrest në burg në mungesë dhe shtetasit Alfred Vladi dhe Elvis Vladi.
Për hetimin e kësaj çështje, me shortin e datës 04.07.2018 është caktuar Prokurore Doloresa Musabelliu dhe me Vendimin e datës 04.07.2018, nga ana e Drejtuesit të Prokurorisë është caktuar në grup hetimor për këtë procedim penal edhe Prokurori Ened Nakuçi.
Në lidhje me këtë procedim penal, rezulton se dy Prokurorët kanë kryer veprime të konsiderueshme hetimore dhe kanë konkluduar me Vendim për ngritjen e akuzave, më datë 05.09.2019 për të gjashtë të pandehurit Klevi Cani, Edi Lika ( Eduart Cani), Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Alfred Vladi dhe Elvis Vladi për veprat penale “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “ Pjesëmarrja në grupin e strukturuar kriminal” dhe “ Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334 të K.Penal, fakt për të cilin kanë njoftuar Drejtuesin e Prokurorisë më datë 09.09.2019 dhe njëkohësisht i kanë vënë në dispozicion një kopje të Vendimeve të njoftimit të akuzave.
Nga ana tjetër, nga ana e Drejtuesit të Prokurorisë është konstatuar se katër të pandehurit e arrestuar Klevi Cani, Edi Lika (Eduart Cani), Agim Ceka, Alban Mollaymeri janë në hetim mbi një vit në gjendje arresti në burg, ku në muajin qershor 2019, dy Prokurorët kanë marrë dhe zgjatje të afatit të paraburgimit 3 mujor në gjykatë, afat i cili përfundon më datë 24.09.2019.
Sa më sipër, nisur nga fakti që dosja ndodhej në limitet e afateve të paraburgimit për të pandehurit, dhe kur nga ana e dy prokurorëve ishte konkluduar me zgjidhjen ligjore, ngritjen e akuzave, më datë 05.09.2017, nga Drejtuesi i Prokurorisë është bërë udhëzimi i dy prokurorëve më datë 11.09.2019 (një javë pas zgjidhjes ligjore të dhënë nga prokurorët) për të bërë përfundimin e shpejtë dhe në kohë të procedimit penal dhe dërgimin në gjykim.
Duke marrë shkas nga ky rast, gjej me vend të sqaroj opinionin publik se:
Me ndryshimet e reja ligjore me Ligjin Nr. 97/2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe Kodin e Procedurës Penale ndryshimet e bëra me ligjin nr. 35/2017,
Në këtë kontekst në zbatim të ligjit, nenit 43/ç dhe 48 te Ligjit Nr. 97/2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” pra, në përmbushje të plotë të kompetencave të saj, Drejtuesja e Prokurorisë ka udhëzuar me Udhëzim të karakterit Jo të Detyrueshëm, dy prokurorët për përfundimin e shpejtë të procedimit penal më datë 11.09.2019 për të cilin dy prokurorët kishin disponuar me zgjidhjen ligjore të tij një javë më parë, më datë 05.09.2019.
DREJTUESI I PROKURORISË
DONIKA PRELA
Të arrestuar për çështjen e bujshme “Toyota Yaris” janë shtetasit Alban Mollaymeri, Edi Lika, Klevi Cani dhe Agim Cekaj, ndërsa janë në kërkim nga policia me vendim të gjykatës kushërinjtë Alfred e Elvis Vladi.
Më 24 qershor të vitit të kaluar u kapën në Durrës 3.4 milionë euro në dy mjete “Toyota Yaris” të ardhura nga Belgjika në Shqipëri.