Komiteti i punëve të jashtme i këshillit kombëtar të rezistencës së Iranit
Ndërsa ekonomia shkatërrohet, në Iran po rritet një biznes fitimprurës: shitja e organeve të trupit. Mund të jetë tregtia më e veçantë në botë.
Vitet e fundit, rritja e kostos së jetesës dhe varfëria kanë kontribuar shumë në lulëzimin e këtij biznesi. Ai është bërë një problem sistematik në mbarë vendin.
Veshkat janë ato që kërkohen më shumë, por ky biznes që ka nisur më shumë se një dekadë më parë nuk mjaftohet më vetëm me veshkat por përfshin edhe mëlçitë, palcën e kockave, dhe kornean. Mëlçia është organi i dytë më i shitur. Së fundmi listës i është shtuar edhe plazma e gjakut.
BLERËSIT DHE SHITËSIT
Blerësit janë ata që kanë nevojë urgjente për një transplant organi.
Shitësit janë ata që kanë nevoja urgjente financiare dhe për të cilët tregu i organeve është mundësia e fundit. Shitësit janë edhe meshkuj, edhe femra. Shumica e atyre që janë të gatshëm të shesin veshkat janë të rinj nga 22 në 34 vjeç. Por ka edhe mosha më të mëdha që duan të shesin organet e tyre.
Shumica e blerësve preferojnë të blejnë organe më të reja. Meqë oferta e organeve të të rinjve është e madhe, zakonisht blerësit nuk kanë probleme në gjetjen e asaj që kërkojnë.
Tabela e mëposhtme paraqet shkurtimisht gamën e shitësve të veshkave në fillim të shtatorit 2019[1]
ÇMIMET MESATARE NË NJË TREG NDËRMJETËS- SHTRIRJA E BIZNESIT
Çmimet e organeve nuk janë fikse dhe ndryshojnë vazhdimisht. Çmimet varen nga një numër faktorësh si mosha e shitësit, sa serioze janë kushtet e pacientit, sa e rëndë është gjendja shëndetësore e pacientit, sa urgjente është nevoja për organin dhe sa i dëshpëruar është shitësi. Një faktor tjetër është edhe grupi i gjakut i shitësit. Për shembull, grupet e gjakut O- dhe B+ janë më të kushtueshme.
ÇMIMET MESATARE TË TREGUT NË VITIN 2018
Më poshtë janë çmimet e përafërta për organet e trupit në vitin 2018:
-Veshka: nga 500 milion në 1 bilion rial ($5,000 deri në $10,000)
-Mëlçia: nga 1.5 bilion në 5 bilion rial ($15,000 deri në $50,000)
– Kornea: 2 bilion rial ($20,000)
– Palca e kockës: 1 bilion rial ($10,000)
Statistikat tregojnë se në Iran kryhen afërsisht 3,800 transplante veshkash çdo vit. Rreth 500 prej këtyre vijnë nga dhurues që janë në gjendje vegjetative. Disa nga veshkat dhurohen nga të afërmit për familjarët e tyre që kanë nevojë urgjente për transplant veshke. Rreth 3000 veshka vijnë nga tregtia.
METODAT E SHITJES DHE BLERJES – BIZNESI FITIMPRURËS I NDËRMJETËSIMIT TË SHITBLERJES SË ORGANEVE
Blerja dhe shitja e organeve zhvillohet me metoda të ndryshme.
-SHITJET DIREKTE
Shumë shitës i vendosin të dhënat e kontaktimit të tyre dhe detajet e organit që duan të shesin nëpër muret e ndërtesave pranë spitaleve. Detajet përfshijnë moshën e shitësit, grupin e gjakut dhe organin që duan të shesin. Shumë njerëz u luten kalimtarëve të mos i heqin shpalljet e tyre nga muri ngaqë janë të dëshpëruar dhe kanë nevojë urgjente për paratë. Shitësit zakonisht preferojnë ta kontaktojnë direkt blerësin e mundshëm për t’iu shmangur komisioneve të ndërmjetësuesve.
BLERJA DHE SHITJA PËRMES NDERMJETESUESVE
Megjithatë, ndërmjetësimi i shitblerjes së organeve është shndërruar në një biznes fitimprurës për një numër njerëzish. Puna e tyre është të identifikojnë njerëz të dëshpëruar që kanë nevojë urgjente për një organ për një familjar të tyre ose që kanë nevojë urgjente për paratë që mund t’i sjellë shitja e një organi.
Ndërmjetësuesit punojnë veçanërisht në tregjet e veshkës dhe mëlçisë. Aplikacionet Instagram dhe Telegram janë platformat e tyre të parapëlqyera. Ndërmjetësuesit kanë krijuar gjithashtu faqe interneti ku u kërkojnë shitësve të regjistrohen e të vënë detajet e tyre që të mund t’i gjejnë blerësit. Të dyja palët i paguajnë komision ndërmjetësuesit.
Njëra nga faqet është http://koliyecenter.mihanblog.com/.
(Koliyeh në farsi)
Përveç funksionimit me anë të internetit, ndërmjetësit shpesh shkojnë nëpër spitale të mëdha dhe bisedojnë me të afërmit e pacientëve që kanë nevojë për transplant në mënyrë që ta vlerësojnë statusin e tyre financiar dhe t’u bëjnë një ofertë. Ndërmjetësit shpesh marrin një komision prej 50 përqind të shitjes.
RRUGICA “FARHANG HOSSEINI,” E NJOHUR SI “RRUGA E VESHKAVE” NË TEHERAN
Në Teheran, rrugica Farhang Hosseini (në qendër të qytetit) njihet si Rruga e Veshkave. Ndërtesa qendrore e Shoqatës së Mbështetjes për Pacientët e Veshkave ndodhet në mes të kësaj rrugice.
Në vitet e mëparshme, të gjitha anët e kësaj rrugice mbusheshin me letra format A4. Në të gjitha muret viheshin etiketa plot me numra telefoni e reklama shitjeje. Disa njerëz e shkruanin mesazhin e tyre në mur ose në një copë letër me stilolaps ose marker. Disa i pikturonin reklamat në mur. Mesazhi në të gjitha muret e ndërtesave të kësaj rruge ishte i njëjti: njoftime shitjeje e blerjeje për veshka, mëlçi, madje edhe kornea. Në njoftime gjendeshin edhe numrat e telefonit dhe grupet e gjakut të shitësve. Disa njoftime përmbanin data. “Veshkë A +, në shitje, dhjetor 2018 …,”, “28-vjeçar, atlet, grupi i gjakut O negativ… me çfarëdo çmimi që të doni”… Shumë prej shitësve këmbëngulnin që nuk donin të merreshin me ndërmjetësues por donin të kontaktonin direkt me blerësin.
Në dy-tre vitet e fundit, në vend të njoftimeve në letër, muret mbushen me vija të mëdha e të trasha me ngjyra të ndezura si e kuqja, emrin e shitësit të veshkës dhe numrin e kontaktit të tij/saj. Në të gjithë rrugicën, nuk mund të gjesh asnjë derë, mur, apo garazh ku nuk janë të shkruar numra telefoni të shitësve të organeve.
Disa kompani kanë vendosur zyrtarisht reklama të mëdha në muret e kësaj rrugice. Për shembull: “Kompania Alvand, blerje dhe shitje e veshkave pa ndërmjetësues; numri i telefonit”
“Shiten veshka të të gjitha grupeve të gjakut: O, B, O-, O+ etj.”
MË POSHTË JANË FOTO TË RRUGICËS FARHANG HOSSEINI.
Një mur në rrugicën Farhang Hosseini i mbushur me njoftime për shitje e blerje
Ky njoftim lexon: “Shitet veshkë. Grupi i gjakut: O+”
Një mur në rrugicën Farhang Hosseini i mbushur me reklama për shitje e blerje