Nga Boldnews.al
Gjykata për Krime të Rënda vendosi të dënojë Saimir Tahirin me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, duke ndryshuar në këtë mënyrë kërkesën e Prokurorisë, e cila e akuzonte për veprat e rënda penale të trafikut të narkotikëve dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Gjykata për Krime të Rënda vendosi gjithashtu që Tahiri të mos shkojë në burg, duke ia konvertuar dënimin në “Shërbim prove”.
Vendimi për Saimir Tahirin u dha pas një diskutimi maratonë në Dhomë Këshillimi, zgjedhje e cila shkaktoi habi tek profesionistët e fushës.
Procedurialisht, Gjykata ka afat maksimal 20 ditë për të dhënë vendimin, pasi ka dëgjuar palët. Por, treshja gjykuese e Saimir Tahirit, e përbërë nga Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, vendosën që të tërhiqeshin për vendim menjëherë pasi dëgjuan mbrojtjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i bashkë-pandehuri në arrati i Saimir Tahirit.
Diskutimi që zhvilloi trupa gjykuese në Dhomë Këshillimi për më shumë se 10 orësh, krijoi mundësinë e spekulimeve mbi vonesën e gjatë për shpalljen e vendimit.
Varianti më i thjeshtë është që gjykata ka shpenzuar pjesën më të madhe të kohës në Dhomë Këshillimi për të arsyetuar vendimin që ajo shpalli në orët e vona të mbrëmjes së të Enjtes.
Por, nguti për të dhënë vendimin brenda ditës dhe sidomos vonesa shumë-orëshe për shpalljen e tij, krijoi dyshime të forta se gjyqtarët kanë qenë nën presion jashtë-gjyqësor për të dalë në konkluzion.
Duke ndjekur hipotezën e shantazhit mbi trupën gjykuese, atëherë analizohet se kush e ka pasur forcën dhe mundësinë për të bërë presion, qoftë edhe pozitiv, mbi tre gjyqtarët që nuk kanë kaluar ende në procesin e Vetingut.
Prokuroria përjashtohet nga ushtrimi i presionit mbi gjykatën. Jo vetëm për faktin se prokurorët janë palë në proces, por edhe për shkak se grupi hetimor nuk ka treguar aspak “dhëmbët” në këtë proces gjyqësor.
Dosja që Prokuroria i dërgoi gjykatës kundër Saimir Tahirit kishte boshllëqe të shumta, të cilat krijonin përshtypjen se institucioni i Akuzës, në fakt, nuk kishte asnjë dëshirë që ish-ministri i Brendshëm të dënohej për akuzat e rënda.
Kjo “dëshirë” e prokurorëve, mesa duket është lexuar lehtësisht nga gjykata, e cila vendosi t’u rrëzojë akuzat e rënda dhe të ndryshojë cilësimin e veprës penale për dënimin e Tahirit
Kush tjetër mund të bënte presion mbi gjykatën? “Rruga e Elbasanit”? Dy përfaqësues të Ambasadës Amerikane kanë ndjekur me vëmendje seancat gjyqësore në procesin “Tahiri”. Madje, këta përfaqësues kanë qëndruar në pritje të lodhshme para Gjykatës për Krime të Rënda, deri sa trupa gjykuese shqiptoi vendimin për ish-ministrin e Brendshëm.
Ambasada Amerikane, prej kohësh, kërkon arrestimin e “peshqve të mëdhenj” në Shqipëri. Saimir Tahiri ishte dikur “peshk i madh”, pasi sot është një “peshk” që noton në ujëra të cekëta. Megjithatë, monitorimi i seancën prej përfaqësuesve të Rrugës së Elbasanit, për shumëkënd është një formë presioni mbi gjykatën. Një presion, që jo domosdoshmërisht është negativ. Por, gjithësesi, mbetet presion.
Dhe, natyrisht, shantazhuesi më i madh i gjyqtarëve është dhe mbetet Edi Rama (me anën e mesazheve të dërguara prej pasuesve të tij besnikë).
Dhoma e Këshillimit, për pjesën më të madhe të publikut që nuk ka pasur rastin të përballet, nuk është aq hermetike sa mundohen ta tregojnë autoritetet.
Dhoma e Këshillimit, ku gjyqtarët tërhiqen në qetësinë e tyre për të shqyrtuar provat dhe përgatitur vendimin, nuk ka imunitet nga mjetet e komunikimit, nga valët e telefonisë së lëvizshme, nga mesazhet elektronike, e të tjera
Pra, nuk përjashtohet mundësia që trupa gjykuese mund të ketë qëndruar gjatë në Dhomë Këshillimi për të pritur “mesazhin” që përcaktonte fatin e Saimir Tahirit.
Mesazhi, edhe nëse nuk ka ardhur fizikisht, u është lënë të kuptohet gjyqtarëve. Dhe treshja e Krimeve të Rënda zgjodhi rrugën e mesme në vendimin e saj- rrëzoi akuzat për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafik dhe organizatë kriminale, duke e ndihmuar në këtë mënyrë edhe Edi Ramën që të shmangë njollën se mbajti afër ministrin-kampion-trafikant.
Nga ana tjetër, vendimi i gjykatës e ndihmon po Edi Ramën që t’u shitet partnerëve ndërkombëtarë si kryeministri që nuk ndërhyn në vendimet e gjyqësorit dhe se Reforma në Drejtësi po funksionon.
Ndaj, duket qartë se hipoteza për presion e shantazh mbi trupën gjyqësore, qëndron mbi kryet e gjata të Edi Ramës.