Gjykata vendosi 6 muaj burg, të konvertuar me periudhë prove për një vit, për 8 pjesëmarrës në protestën kundër vendpagesës në autostradën Durrës-Kukës me 31 mars të vitit kaluar. Mbrojtja e cilësoi vendimit të padrejtë, ndërsa tha se po dënoheshin për hedhje parrullash.
Pas disa seancave maratonë prej më shumë se një viti e gjysëm, Gjykata e Kukësit ka vendosur të dënojë me 6 muaj burgim të konvertuar në periudhë prove një vit, tetë prej protestuesve kundër vendpagesës në “Rrugën e Kombit”, të cilët nuk pranuan të nënshkruajnë marëveshje fajësie me prokurorinë dhe pretenduan pafajësi.
Tetë protestuesit Ervis Oruçi, Armand Ademaj, Fatos Harulla, Mirdaim Nerguti, Lulzim Popa, Ahmet Tobli, Shpetim Todaj dhe Shaban Selmanaj, janë akuzuar nga prokuroria për veprën penale të “Shkatërrimi i pronës” parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal dhe “Kundërshtimit të punonjësit policisë së rendit publik”, të parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal.
Prokurori i çështjes Edmond Karriqi kërkoi në seancën e zhvilluar me 23 korrik në mbështetje të nenit 378 të Kodit të Procedurës Penale 6 muaj burg të konvertuar në periudhë prove, kërkesë që është pranuar nga gjyqtarja e çështjes Flutura Hoxha në seancën e së enjtes.
Në këtë séancë, nga tetë të akuzuarit ishin të pranishëm vetëm tre prej tyre, pikërisht Ahmet Tobli, Shaban Selmanaj e Lulzim Popa. Në fjalën e tij të mbrojtjes, avokati i të pandehurve Ilir Nerguti ka kërkuar pafajësi për klientët e tij. “Klientët që unë mbroj nuk kanë bërë asnjë veprim të jashtëligjshëm. Prokuroria ka paraqitur si provë materiale pamjet e protestës të transmetuara live nga TV Ora Neës, Neës 24, Top Channel dhe TV Klan. U kërkua nga ana jonë në një seancë të veçantë për t’i parë pamjet filmike të transmetuara nga këto TV. Pamjet janë parë edhe me përseritje dhe me xhirim të ngadalësuar. Nga pamjet filmike rezulton krejt e kundërta nga ato që paraqet prokuroria”, tha Neguti.
Ai pretendoi se të akuzuarit nuk ishin përfshirë në përplasje dhe nuk kishte asnjë provë që i fajësonte. Megjithë pretendimet e mbrojtjes, gjyqtarja e çeshtjes Flutura Hoxha ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorisë duke dënuar me 1 muaj burg secilin prej tetë të akuzuarave për veprën penale të “Shkatërrimi i pronës” parashikuar nga neni 150 I Kodit Penal dhe 5 muaj burgim për “Kundërshtimit të punonjësit policisë së rendit publik”, të parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal. Pra në total secili prej të akuzuarve është dënuar me 6 muaj burgim për një periudhë prove në kohën prej një viti dhe të mos shoqërohen me persona të dënuar gjatë periudhës së provës.
Ndërkohë që tetë të akuzuarit dhe tashmë të denuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Kukesit nuk e kanë pranuar vendimin dhe do e apelojnë në Gjykatën e Apelit në Shkodër.
Në qershor të vitit kaluar, Gjykata e Kukësit shpalli fajtorë 25 protestues të akuzuar për dëmtimin e pikës së pagesës në rrugën Durrës Kukës, gjatë protestës së 31 marsit. Vendimi u mor në një seancë të vetme gjyqësore, ndërsa personat e përfshirë kanë pranuar akuzat e prokurorisë. Gjykata ka dhënë për shumicën e tyre, 20 protestues, dënim me kusht nga 4 deri në 8 muaj, dy u dënuan me kohën e paraburgimit, ndërsa tre të tjerë me gjobë nga 100 mijë lekë. Në këtë rast ishte aplikuar “Gjykimi me marrëveshje” i përfshirë sëfundmi në Kodin e Procedurës Penale, mes prokurorisë dhe të akuzuarve.
Protesta kundër pagesës prej pesë euro për kalim në rrugë u thirr nga Këshilli Bashkiak i Kukësit ndërsa doli jashtë kontrollit kur protestuesit, duke thënë se u provokuan nga policia e cila tentoi të ndalonte afrimin e tyre pranë objektit, sulmuan dhe shkatërrruan vendpagesën.
Arrestimi i tyre u cilësua i paligjshëm dhe opozita e shoqëria civile organizuan disa protesta, përfshi një angazhim disa ditorë para policisë së Tiranës ku të arrestuarit u sollën për masë sigurie për të shmangur përplasje të tjera në Kukës. Megjithatë, përndryshe nga qëndrimi për arrestim të paligjshëm disa nga të akuzuarit kanë pranuar akuzat e prokurorisë dhe gjykata vendosi të pranojë marrëveshjen e arritur.
Autostrada e pagëzuar “Rruga e Kombit” filloi të ndërtohej një dekadë më parë, ka kushtuar mbi 1 miliardë euro dhe nuk ka përfunduar ende në mjaft pjesë të saj. Ndërtimi i rrugës është shoqëruar me akuza për abuzime me fondet me disa qindra milion euro. Pagesa është pjesë e koncesionit për mirëmbajtjen dhe iu dha pas një sërë polemikash në vitin 2016 konsorciumit të kompanive “Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk & “BEE Tech” & “ Violap Ateve” & “Kastrati” sha. Kompania e krijuar për këtë qëllim Albanian Highëay Concession, kontrollohet 50 për qind nga Kastrati Group dhe 50 për qind nga kompania Salillari.