Presidenti i Republikës dorëzoi sot në Kuvend, atë që e konsideroi si informacion sekret, të hartuar nga SHISH, lidhur me djegien e godinës së Parlamentit, në datën 8 qershor, ditë kur opozita kishte organizuar protestën e saj kundër Kryeministrit Edi Rama.
Në të njëjtën datë, Presidenti njoftoi se do të anullonte mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, duke u shpreh në seancën dëgjimore të 9 shtatorit para Komisionit Hetimor parlamentar, se me këtë veprim shmangu një përplasje civile, por i dha edhe kohë palëve që të reflektonin.
Ndërkohë, TCH, përmes gazetarit Muhamet Veliu, duke iu referuar dy burime të pavarura nga njëri tjetri, që e kanë parë këtë dokument, jep detaje nga përmbajtja e këtij raporti.
Bëhet fjalë për një informacion të përmbledhur në pak rreshta nga ku SHISH informon, se agjentët e infiltruar brenda strukturave organizative të protestave të opozitës, kanë mundur të sigurojnë informacionin se në protestën e 8 Qershorit, do të përfshihej një grup paramilitar i ardhur nga Kosova apo trevat e tjera etnike shqiptare. Ky grup në përbërje të tij kishte njerëz me formim ushtarak, me misionin final, djegien e Kuvendit të Shqipërisë.
Dokumenti sekret nuk jep të dhëna se kush ishin këta persona, kush i kishte paguar apo financuar mbi të gjitha nëse ishin të armatosur dhe me çfarë mjetesh do të mund të çanin rrethimin policor të Kuvendit.
Dokumenti thuhet se nuk i jep përgjigjie pyetjeve të tilla.
Në fakt, protesta u zhvillua pavarësisht lajmit që u shpërnda pak minuta përpara nisjes së saj, mbi anullimin e zgjedhjeve, dhe nuk pati incidente. Nëse ky grup paramilitar i identifikuar nga agjentët e infiltruar do të kishte skenarin e zbuluar, atëherë nuk kishte pse të ndalej, pasi PD nuk po protestonte për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, por kërkonte dorëheqjen e Edi Ramës nga posti i Kryeministrit.
Në kronikën e Top Channel, një televizion nën kontrollin e Kryeministrit Edi Rama, bëhet një paralelizëm mes asaj që mund të ndodhte në 8 qershor dhe skenarit të 14 shtatorit 1998, kur u fol se persona të armatosur të krahut të FARK kishin marrë pjesë në sulmin kundër institucioneve dhe marrjes me dhunë të Kryeministrisë.
14 shtatori i 1998 ishte pasojë e 12 shtatorit 1998 ku u ekzekutua pranë selisë së PD-së, deputeti Azem Hajdari, ndaj dhe krahasimi mes dy skenarëve, njëri hipotetik, nuk mund të qëndrojë.
Çështja është që përderisa SHISH ka pasur informacione mbi këto grupe paramilitare, të cilat i ka ndarë me agjensi homologe apo ligjzbatuese në Shqipëri, atëherë pse nuk ka vepruar Policia e Shtetit për të ndaluar këto persona.
Nëse ata janë identifikuar si shtetas të Kosovës, aq më tepër paramilitarë, atëherë Policia e Shtetit, ka pasur të gjithë mundësinë që qoftë para protestës, ashtu edhe pas saj, të ndalonte personat e dyshuar.