Vetingu/ Vendimi “i çuditshëm” i KPK: Prokurori Arben Pasho nuk ka probleme, por shkarkohet

Nga Boldnews.al

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) vendosi t’i ndërpresë karrierën gati 30-vjeçare drejtuesit të Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho, pavarësisht se, siç konstaton vetë trupa e vetingut “në vlerësimin e përgjithshëm nuk u konstatuan problematika për secilin komponent të tillë për shkarkim nga detyra”.

Trupa e rivlerësimit, e përbërë nga kryesuese Valbona Sanxhaktari, relator Olsi Komici dhe anëtar Roland Ilia, në 16 Maj 2019, vendosi shkarkimin nga detyra të prokurorit Pasho, me argumentin se ai “ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia”.

Në vendimin e zbardhur, publikuar së fundmi nga KPK, rezulton se trupa e Vetingut e pranon se, gjatë rivlerësimit, nuk ka konstatuar problematika të një niveli penalizues në asnjë prej tre kritereve-pasurisë, integritetit dhe aftësive profesionale.

Pasuria
Në bazë të vendimit të zbardhur të Komisionit të Vetingut, prokurori Arben Pasho rezulton që ka në pronësi një apartament në Gjirokastër, të blerë në vitin 1996, një automjet tip BMË, një gomone me vlerë 2 mijë euro, si edhe llogari bankare me të ardhurat nga pagat familjare.

Gjithashtu, djali i subjektit, O.P. ka në pronësi një apartament në Tiranë, me vlerë 31.600 euro, i dhuruar me testament nga gjyshja e tij (vjehrra e prokurorit), si edhe një truall 168 m2 në Gjirokastër, e dhuruar po nga gjyshja e tij (e cila ka ndërruar jetë në vitin 2014).

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kryer verifikime të thelluara mbi këto pasuri. Për pronat në emër të subjektit dhe bashkëshortes së tij, KPK ka konstatuar se ai ka pasur burime të ligjshme për krijimin e tyre.

Po ashtu, KPK ka verifikuar edhe mundësitë financiare të shtetases S.Z. (vjehrra e prokurorit), e cila i ka dhuruar apartament dhe truall djalit të subjektit, shtetasit O.P. Edhe në këtë rast, Komisioni i Vetingut ka arritur në konkluzionin se shtetasja S.Z. ka pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive, të cilat më pas ia ka dhënë me testament nipit të saj, djalit të prokurorit, O.P.

E vetmja problematikë e konstatuar nga KPK në pasurinë e prokurorit Pasho është “mosdeklarimi” i pjesës takuese të një apartamenti në Vlorë, në bashkëpronësi me familjarët e tij.

Subjekti Arben Pasho ka deklaruar se bëhet fjalë për shtëpinë e prindërve të tij, në të cilën ai prej vitesh ka hequr dorë nga pronësia dhe nuk ka asnjë pretendim. Ky argument është pranuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Në përfundim, për kriterin e pasurisë, Komisioni i Vetingut ka arritur në konkluzionin se: “Në lidhje me vlerësimin e pasurisë së subjektit të rivlerësimit, që rezultoi në disa pasaktësi në deklarim dhe një mosdeklarim të pjesës takuese në një pasuri të paluajtshme, trupi gjykues, arrin në përfundimin se këto problematika nuk përbëjnë shkak të mjaftueshëm dhe nuk arrijnë deri në atë nivel që të përmbushin aplikimin e pikave 1 dhe 3, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016” (shkarkimin nga detyra, shën.red).

Aftësia profesionale
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar disa problematika, kryesisht të natyrës administrative gjatë ushtrimit të detyrës si drejtues i Prokurorisë së Gjirokastrës nga ana e subjektit Arben Pasho.

Këto problematika janë konstatuar, në përgjithësi, gjatë periudhës 2014-2016. Megjithëse në vendimin e Komisionit të Vetingut nuk përmendet, problematikat administrative, të cilat siç pranohet edhe nga vetë trupa gjyqësore nuk kanë cënuar cilësinë e punës, janë konstatuar në një periudhë kur Prokuroria e Gjirokastrës ka pasur një ngarkesë specifike.

Duke filluar nga Qershor i vitit 2014 e në dy vitet në vijim, Prokuroria Gjirokastër ka trajtuar një numër shumë të lartë procedimesh penale, që lidheshin me zonën e Lazaratit.

Pas një operacioni policor në verën e vitit 2014, u arrestuan mbi 100 persona nga Lazarati dhe u zbuluan sasi gjigande të lëndës narkotike canabbis sattiva. Pjesa më e madhe e të arrestuarve ishin për “kultivim narkotikësh”, hetimi i të cilëve ishte kompetencë e Prokurorisë së Gjirokastrës.

LEXO EDHE  Droni zbulon parcelën me drogë, 250 bimë deri në 3 metra të larta

Por, megjithë problematikat administrative të konstatuara në punën e subjektit Arben Pasho, KPK shkruan në vendimin e saj se: “Nga vlerësimi tërësor i kriterit profesional janë konstatuar mangësi dhe problematika, por trupi gjykues vlerëson se ato nuk janë deri në atë masë që të plotësojnë qëllimin e nenit E të Aneksit të Kushtetutës, apo pikës 4, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016” (shkarkim nga detyra, shën.red)

Kontrolli i figurës
Komisioni i Vetingut ka shqyrtuar dy denoncime në adresë të prokurorit Arben Pasho, si edhe raportet me shtetasin I.M.

Për dy denoncimet, KPK nuk ka konstatuar elementë, të cilët cënojnë cilësinë e hetimit dhe nuk e kanë ngarkuar me përgjegjësi prokurorin Arben Pasho.

Një vëmendje të veçantë i është kushtuar raporteve të prokurorit Pasho me shtetasin I.M. Në vitin 2016, subjekti Pasho ka marrë hua nga shtetasi I.M. shumën prej 14.000 euro, të cilat i duheshin për shkollimin e djalit të tij, O.P., në Hollandë.

Kjo hua është shlyer më vonë nga një kredi që ka marrë prokurori Pasho, si edhe nga të ardhurat e tij të tjera. Komisioni i Vetingut ka konstatuar se subjekti I.M. ka pasur mundësi financiare për të krijuar shumën 14 mijë euro, të cilat ia ka dhënë hua prokurorit Pasho.

Gjithashtu, KPK ka konstatuar përgjithësisht të ligjshme burimin e parave, me të cilat prokurori Pasho ka rikthyer shumën e marrë hua.

Trupa e Vetingut ka kryer verifikime mbi procedime penale që mund të ketë pasur në Prokurorinë e Gjirokastrës ndaj shtetasit I.M., i cili është një biznesmen në qytetin jugor.

Në bazë të të dhënave të siguruara, rezulton se në ngarkim të shtetasit I.M., në periudhën 2014-2016, ka pasur tre referime për nisjen e procedimit penal për “pastrim të produkteve të veprës penale”, në cilësinë e administratorit të një kompanie private, për “ndërtim të paligjshëm” dhe “shpërdorimi i tokës”.

Pasi ka shqyrtuar rastet dhe trajtimin e tyre në Prokurorinë e Gjirokastrës, KPK ka arritur në konkluzionin se: “Nga vlerësimi i materialeve në dosje, por edhe nga shpjegimet e subjektit në rezultatet e hetimit dhe në seancën dëgjimore, nuk është vërejtur ndonjë rrethanë që favorizon drejtpërdrejt shtetasin I. M. dhe nuk është provuar ndonjë ndikim i mundshëm i subjektit të rivlerësimit (Arben Pasho) në këto procedime penale”.

Në vlerësim të provave të administruara, “trupi gjykues krijoi bindjen se subjekti i rivlerësimit nuk ka cënuar asnjë nga parimet e parashikuara në nenin DH të Aneksit të Kushtetutës, apo të pikave 2 dhe 3, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016” (shkarkim nga detyra, shën.red)., thuhet në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi ka verifikuar 3 kriteret, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në përfundim shprehet për prokurorin Arben Pasho se nga vlerësimi tërësor i kriterit profesional janë konstatuar mangësi dhe problematika, por trupi gjykues vlerëson se ato nuk janë deri në atë masë për shkarkimin e tij nga detyra.

Por, vetëm një paragraf më poshtë të vendimit të të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është shënuar fjalia që penalizoi prokurorin Arben Pasho.

“Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në vlerësimin e përgjithshëm të tri kritereve arrin në përfundimin se pavarësisht se nuk u vlerësua që problematikat e konstatuara për secilin komponent përbëjnë më vete shkak për shkarkim nga detyra, duke u analizuar në tërësinë e tyre, në vlerësim të Komisionit, konsiderohet se subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia”.

E, pikërisht me argumentin teorik të “cënimit të besimit të publikut”, Komisioni i Vetingut vendosi përfundimisht shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho.