Rruga e Arbrit/ Prishen pazaret mes ARRSH-së dhe Gjoka Konstruksion

Prishen pazaret mes ARRSH-së dhe firmës Gjoka Konstruksion, e cila më 31 tetor 2017, u shpall fituese për konccensionin e rrugës së Arbrit.

Pas dy vjetësh, duket se raportet mes kompanisë në fjalë dhe qeverisë kanë pësuar një çarje të thellë, ku palët janë vendosur në pozicione “lufte” me akuza dhe kundër-akuza.

Kështu pas dy vjetësh nga momenti i shpalljes së fituesit, duket se kompania dhe ARRSH, kanë zbuluar letrat. ARRSH akuzon kompaninë se nuk ka kryer punimet për të cilat është paguar, ndërsa kjo e fundit ka shigjetuar drejtoreshën e ARRSH-së.

Dhe shkak duket se është bërë një tjetër tender, ai i rrugës Kardhiq-Delvinë, ku kompania Gjoka Konstruksion, sipas ARRSH, kishte paraqitur të dhëna të rreme për ndërtimin e tunelit, në lotin 7.

Nuk dihet nëse gjithë skandali i zbuluar nga ARRSH për rrugën e Arbrit do të dilte në dritë, sikur Gjoka Konstruksion, mos të synonte ndërtimin e tunelit në një tjetër aks, atë Kardhiq-Delvinë.

Përplasja
Për të realizuar një pjesë të ndërtimeve në “përmirësimin, ndërtim operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit” segmenti numër 3, Zall Bastar Dalje-Ura e Vashës si dhe segmenti Ura e Cerenecit- Bllatë, kompania “Gjoka konstruksion” me administrator Rrok Gjokën ka lidhur një kontratë nënkontraktore me shoqerinë e djalit të tij, “Gjoka 87”, me administrator Erind Gjokën.

Kontrata me afat 12 mujor lidhet pikërisht me punimet e konsideruara si të papërfunduara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, për të cilat janë marrë paratë nga buxheti i shtetit mbi bazën e dokumenteve të rreme.

Për këtë arsye ARRSH kërkoi nisjen e hetimeve për kompaninë e ndërtimit ‘Gjoka Konstruskion’, ndërkohë që në kontratë sipërmarrës rezulton shoqëria ‘Gjoka 87’, ndërsa nënkontraktor kompania e cila dy vjet më parë u shpall fituese e konccensionit për rrugën e Arbrit.
Gjoka 87, me administrator Erind Gjokën, ka vlerësuar si punime të kryera me cilësi të mirë, ato të realizuara nga Gjoka Konstruksion, e cila ka për administrator babain e Erindit, Rrok Gjokën.

Kolaudimi i punimeve është kryer nga shoqëria ‘IKN shpk’ ndërsa mbikëqyrës i punimeve ka qënë shoqëria ‘GR Albania shpk’ dhe ‘Gauff gmbh& CO enginering kg’.

Këto punime janë kolauduar nga datë 27 maj 2019 dhe konsistojnë në realizimin e dy urave dhe tre tuneleve.

Reagimi nga ARRSH
ARRSH thotë se objektet janë të papërfunduara. Sipas ARRSH-së, “Gjoka Konstruksion” ka deklaruar të dhëna të rreme lidhur me punët e kryera prej saj. Në këto kushte, ARRSH i ka kërkuar agjencisë së prokurimit publik nisjen e një procedure hetimi administrativ për kompaninë e ndërtimit “Gjoka Konstruksion”.

LEXO EDHE  Arrestimet e banorëve të Unazës së Re, Erisa Xhixho jep mesazhin e fortë...

Konkretisht sipas raportit të ARRSH mbi verifikimin e punimeve në nënkontratën me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e “Rrugës së Arbrit” faza e parë, segmenti numër 3 Zall Bastar -dalje Ura e Vashës”, punimet e marra përsipër nga operatori “Gjoka Konstruksion” nuk kanë përfunduar sipas kontratës.

Ka zëra punimesh që janë paraqitur si të përfunduara por që në fakt janë të parealizuara dhe punimet në tunele vijojnë akoma. Inspektimi i kryer është realizuar pas një periudhe gati tre mujore nga data e kolaudimit, çka do të thotë se kompania është paguar nga thesari i shtetit për këto punime.

Por grupi i punës i ngritur nga ARRSH doli në përfundimin se asnjë nga tunelet e “Rrugës së Arbrit” nuk ka përfunduar dhe nuk plotëson parametrat dhe standardet e kërkuara.

Punimet e pakryera konsistojnë kryesisht në ndërtim si drenazhim, torkretim me llaç, çimento, vendosje rrjete teli në skarpata zgarë hekuri, sistemi në ndriçim për njoftim evakuimi, sistemi i njoftimit të emergjencave në tunele, sistemi i detektimit të alarmit të zjarrit dhe ai i tokëzimit.

Kompania
Në anën tjetër, kompania në fjalë i është drejtuar Gjykatës, duke akuzuar për korrupsion drejtoreshën e ARRSH-së, Sonila Qato. Kompania hedh poshtë pretendimet e ARRSH-së se ka paraqitur të dhëna fiktive për të fituar tenderin e tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë.

“Çdo aludim mbi dokumentacionin e tillë si Formular Vlerësimi, Situacion përfundimtar punimesh dhe Akt kolaudimi të paraqitur në tender nga Gjoka Konstruksion sha, i cili paraqet të dhëna të rreme e të pasakta është i pavërtetë, i njëanshëm, i mbajtur nga njërëz besnik të zj Qato, të cilët me devotshmëri dhe pa profesionalizëm i kanë shërbyer drejtorit të ARrSh duke hedhur baltë mbi ne si shoqëri për qëllimin e vetëm, kualifikimin e një ofertuesi të regjistruar 1 muaj përpara shpalljes së tenderit me ofertë mbi 500 milion lekë më të lartë”, thuhet në reagimin e “Gjoka Konstruktion”.

Kompania hedh poshtë edhe pretendimin se ka marrë 70 miliardë lekë nga buxheti për punë të pabërë duke shtuar se “e vetmja pagese qe kemi marrë nga buxheti është në fillim të vitit pasi kishim realizuar 25% të punimeve sipas parashikimeve ne kontratë”.

Kjo pagesë nga buxheti, sipas kompanisë, është 2.1 miliardë lekë, nga të cilat deri më sot i kemi kthyer shtetit pothuajse të gjithë këtë shumë në pagesa tvsh dhe tatim fitimi. /BN/