Nga Boldnews
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për shefin e Sigurisë së Portit Detar, Sokol Sula, i dyshuar se ka tentuar të fshehë një ngjarje të rëndë, ku disa persona, në tentativë për të hyrë me forcë në zonën e trageteve, kanë dhunuar dhe kërcënuar me armë disa punonjës të sigurisë portuale.
Në ngjarjen e ndodhur në 25 Shkurt 2019, shtetasi Ylli Agasi dhe dy persona të tjerë kanë keqtrajtuar punonjësit portualë, ndër të cilët edhe shtetasin I.SH., i cili vijon të jetë ende në spital pas dhunës barbare të ushtruar ndaj tij.
Shefi i Sigurisë së Portit të Durrësit, Sula, ka informuar Prokurorinë e Durrësit se, menjëherë pas konfliktit të dhunshëm, është urdhëruar ngritja e post-blloqeve në të gjithë pikat dalëse, por, gjithësesi dhunuesit kanë arritur të largohen me shpejtësi.
Prokurori i çështjes, Arjan Ndoja, në vijim të hetimeve për këtë rast, ka kërkuar nga autoritetet portuale pamjet e kamerave të sigurisë.
Megjithëse pamjet janë kërkuar zyrtarisht me dy shkresa në kohë të ndryshme, Sokol Sula, personi përgjegjës për sigurinë e Portit, nuk i ka vënë në dispozicion. Për këtë arsye, prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e pamjeve, për të hetuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Pas sekuestrimit të pamjeve, prokuroria zbuloi një rrethanë tjetër, e cila e rëndon më shumë situatën.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë rezultoi se, megjithëse ishin ngritur post-blloqe për bllokimin e agresorëve, ata kanë kaluar lehtësisht, me lejen e atyre që kishin për detyrë t’i ndalonin.
Në pamjet e administruara nga Prokuroria dallohet se si agresorët kanë ndaluar automjetin e tyre para një post-blloku, kanë biseduar lirshëm me punonjësit e Sigurisë dhe më pas janë larguar qetësisht, pavarësisht ngjarjes së rëndë.
Pasi janë kqyrur pamjet e kamerave, prokuroria ka ngritur dyshime se, me lejen e Shefit të Sigurisë së Portit, Sokol Sula, agresorët janë lejuar të largohen, duke i shpëtuar në këtë mënyrë ndalimit nga Policia.
Këto dyshime të prokurorisë forcohen më shumë edhe nga fakti që Sokol Sula ka refuzuar dy herë rresht vënien në dispozicion të autoriteteve hetimore pamjet e kamerave të sigurisë.
Ngjarja e 25 Shkurtit 2019 është një ndër më të rëndat e ndodhur gjatë viteve të fundit në ambjentet e brendshme të Portit më të madh në vend, në atë të Durrësit.
Sipas informacioneve të siguruar nga “Boldnews.al” rezulton se pasditen e datës 25 Shkurt 2019, 3 persona të cilët po udhëtonin me një automjet, kanë hyrë me forcë në Portin e Durrësit.
Lëvizja e tyre është kundërshtuar nga punonjësit e sigurisë së Portit. Katër personat kanë goditur rëndë disa prej punonjësve, si edhe i kanë kërcënuar me armë. Më pas ata janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë të dëmtuar rëndë shtetasin I.SH, i cili pësoi hemoragji cerebrale.
Në bazë të veprimeve hetimore, si edhe dëshmisë së personave të dëmtuar, prokuroria ka evidentuar shtetasin Ylli Agasi si personin më aktiv në goditjen e punonjësve të Policisë. Gjithashtu, Agasi rezulton që është personi që ka goditur me grushta dhe sende të forta shtetasin I.SH., i cili pësoi pasojat më të rënda.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, Prokuroria urdhëroi ndalimin e 4 persona, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të goditjes për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje.
Rreth dy muaj pas ngjarjes, Policia arriti të arrestojë personin kyç në ngjarjen e rëndë, Ylli Agasi. Ndërkohë, para tij ishin arrestuar edhe Henri Bekteshi e Rajmond Dashi.