Në prani të kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, dhe nënkryeministrit Erjon Bracce, Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur të japë nga Peza, një mesazh për lënien mënjanë të interesave afatshkurtra dhe bashkëpunim për integrimin europian.
Një ditë më parë, Presidenti bëri thirrje për nisjen e një lëvizjeje që do të përmbyste sicc tha ai shtetin e propogandës që mbahej nga paratë e oligarkisë, duke vënë theksin në shtetin e së drejtës që meritojnë shqiptarët.
Ndërsa sot nga Peza, në ceremoninë e 77-vjetorit të Konferencës së Pezës, Presidenti ka ftuar palët në bashkëpunim për një qëllim të madh për shqiptarët, integrimin sa më shpejt në vendit në BE.
“Përkulemi me nderim në këtë vend të shenjtë sepse Pezë do të thotë bashkim, qëndresë dhe besa besë me parrullën historike që lindi këtu dhe që është një amanet që gjithë shqiptarët të bashkohen pa dallim feje, krahine e ideje. për interesin kombëtar.
Peza bëri sakrifica si asnjë krahinë tjetër dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira se Peza u dogj e u përvelua dhe u martirizua si asnjë krahinë tjetër por asnjëherë nuk u dorëzua.
Përkulemi para veprës së partiotit Myslym Peza që ngriti këtë konferencë historike se hodhi themelet e luftës, është historike se ishte edhe konferenca e parë pluraliste që dha mesazhe të fuqishme të patriotizmit.
Jemi në prag të 75 vjetorit të çlirimit të atdheut, që na fton të gjithëve të bashkëpunojmë sa më ngushtë jo vetëm në respekt të histories, por edhe ruajtjes së vlerave e trashëgimisë, në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë që gjithcka ka arritur Shqipëria është se e ka përmes sakrificave më sublime që kanë bërë paraardhësit tanë.
Sot objektivi ynë është integrimi ndaj është koha për të mos e vonuar më për shkak të antagonizmit politik të paprinciptë, por të forcojmë bashkëpunimin duke lënë mënjanë interesat afatshkurtra që e ardhmja evropiane të jetë sa më e afërt”, tha Meta.
Fjala e Presidentit u prit me duartrokitje nga përfaqësuesit e PS-së, Veliaj dhe Bracce, që pavarësisht divergjencave apo përplasjeve që mund të kenë me Kreun e Shtetit, i ka bashkuar Peza në të njëjtën ceremoni