Nga Ilir Kalemaj
Qysh nga libri i famshëm i Gëtes “Vuajtjet e djaloshit Werther” i cili kryen vetvrasje në fund, u demonstrua nga një studim i kryer nga profesori i sociologjisë David Phillips që “efekti Werther” i cili çoi në shumëfishim të numrit të vetvrasjeve asokohe në krejt Europën sa në disa vende europiane u ndalua si libër, në kohërat moderne ka efekt akoma më shkatërrimtar për shkak të efekteve të përhapjes masive të lajmeve të tilla në kohë reale. Për shembull, duke ekzaminuar statistikat e vetvrasjeve nga vitet 1947 deri në 1968, prof. Phillips pa që brenda dy muajve nga publikimi i një lajmi vetvrasje në faqe të parë të një gazete lokale apo kombëtare, rreth 58 më shumë njerëz vranë veten. Pra një numër jashtëzakonisht domethënës që statistikisht përsëritej mesatarisht sa herë kishim një vetvrasje të re. Por studime të ndryshme nuk e limitojnë vetëm te efekti që vetvrasjet kanë te shumëfishimi i vetvrasjeve në versionin copy cat.
Për shembull, pas publikimeve të një lajmi të ri vetvrasjeje të publikuar në faqe të parë në një gazetë kombëtare, rritej në mënyrë alarmante numri i përplasjeve ajrore duke u rritur me plot 1000 përqind. Por jo vetëm aksidentet ajrore por edhe ato me makinë. Studime të ndryshme kanë verifikuar në mënyrë të përsëritur se të njëjtat kushte sociale që i detyrojnë njerëzit të kryejnë vetvrasje, i bëjnë të tjerët të ndërrojnë jetë aksidentalisht. Për shembull, të njëjtat ngjarje stresante që na përcjell media çdo dite dhe çdo orë, të tilla rececione ekonomike, rritje papunësie, rritje të nivelit të krimit, kriza ndërkombëtare që ndikojnë aq fuqishëm në jetën e disave që ta çojnë depresionin drejt një niveli të tillë sa të marrë jetën e vet ose të të afërmëve, në raste të tilla con në psikoza kolektive, në nervozitet që ndeshet në përditshmëri, në shumëfishimin e psiko-vampirëve që i kemi rreth nesh etj. Jo rastësisht çdo ditë lexojmë për krim brenda familjeve që në mënyrë tërësisht të gabuar dhe të përçudnuar ndonjëherë nga gazetarë infantilë përshkruhen si “krime pasioni” duke i dhënë brutalitetit ekstrem dhe marrëzisë nota romantike dhe duke justifikuar shovinizmin mashkullor.
Lajme shpesh makabre të ardhura nga provinca që rrënqethin në mizorinë e tyre, përshkruhen për ditë me radhë në faqe të para të gazetave në përpjekje për të bërë skup dhe rritur lexueshmërinë nëpërmjet fatkeqësisë së tjetrit me një amatorizëm gazetaresk të frikshëm dhe mungesë totale etike, ndërkohë që nuk merrët asfare parasysh efekti domino që mund të ketë, vençarisht aty ku është e mpleksur injoranca me probleme të thella të shëndetit mendor. Ky i fundit, ka njohur rritje të frikshme të problematikës në proporcion të drejtë me uljen drastike të profesionistëve të shëndetit mendor dhe specifikisht të mjekëve psikiatër ku zëmë vend të fundit në Europë për frymë të popullsisë dhe ku një statistikë e botuar së fundmi tregon vetëm 30 të këtillë profesionistë në një vend me rreth tre milionë banorë.
Si shumë profesione të mjekësisë në fakt, Shqipëria i shkollon, por Gjermania dhe vende të tjera europiane i marrin gratis. Natyrisht për shkak të politikave miope publike që investojnë jashtëzakonisht shumë pak në arsim dhe shëndetësi ndërkohë që plani i investimeve orientohet drejt infrastrukturës, ku makutëria e mpleksur me partneritetet pirat-plackitëse (PPP-t e famshme), çojnë në përfitime llokmash të majme nga ana e kolltukofagëve aktualë.
*Shkruar enkas për Boldnews.al