Avokati Ledio Braho tha se jemi në një krizë kushtetuese, një vend që s’ka Gjykatë Kushtetuese, që është garante për respektimin e saj. Në studion e “Opinion”, Braho e cilësoi “Sui Generis” situatën që po kalon vendi.
“Kjo mungesë ka ardhur nga reforma në drejtësi, e cila nëse do të ishte bërë normale, sot do të kishim Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese”, tha Braho.
Braho tha se jemi në një vend që KQZ jep pavlefshmëri absolute për një dekret presidencial, që duhet të interpretohet nga Kushtetuesja.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të përcaktojë me vendimin e saj nëse zgjedhjet në 30 qershor janë ose nuk janë kushtetuese.
Kushtetuesja mund të marrë vendimin që të ndërpresë mandatin e të zgjedhurve, pra vendimi të ketë fuqi prapavepruese”, tha Braho.
Sipas tij, mosbotimi i dekretit të Presidentit për datën e re të zgjedhjeve është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë dhe është një veprim i bërë me dashje.