Agron Hetoja i AKU/ Kontratë fiktive? Apartament me çmim të lirë në zonën luksoze të Tiranës

Nga Boldnews.al

Agron Hetoja, ish-Administrator i KESH sha dhe tashmë drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) rezulton pronar i një apartamenti, në një prej zonave më të shtrenjta të Tiranës, të cilën e ka blerë me një vlerë që duket shumë më i ulët se sa çmimet e tregut.

Në formularin e pasurisë, të dorëzuar prej tij në vitin 2013, sapo mori detyrën e drejtuesit të Korporatës Elektro-Energjetike Shqiptare (KESH), Agron Hetoja deklaron se ka në pronësi një apartament me sipërfaqe 143 m2, me vlerë 39 mijë dollarë.

Subjekti Hetoja nuk jep asnjë të dhënë për kohën kur e ka blerë këtë apartament, ndërsa adresa e plotë është redaktuar (mbuluar), në mbrojtje të konfidencialitetit, nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), institucioni që administron formularët e pasurisë së zyrtarëve shtetërorë.

Por, gjithësesi, disa të dhëna mbi vitin e blerjes, zonën ku gjendet apartamenti, si edhe dyshimet mbi një kontratë fiktive për blerjen e tij, mund të zbulohen në mënyrë indirekte nga të dhënat e pakta që ka deklaruar vetë Agron Hetoja.

Për këtë pasuri, pra për apartamentin, subjekti Hetoja deklaron: “Apartament në Tiranë, adresa xxxx (e redaktuar). Sipërfaqe 143 m2, e blerë me 39.000 USD, me kursimet nga puna në FAO në periudhën 1995-2006. E rivlerësuar në vitin 2012 me vlerën 25 milionë lekë të reja”.

Koha e blerjes
Megjithëse Agron Hetoja nuk shënon se kur është bërë pronar i apartamentit 143 m2, ai, në formularin e pasurisë së dorëzuar në vitin 2013, ka deklaruar si burim financiar “të ardhurat nga puna për periudhën 1995-2006”.

Pra, në bazë të këtij shënimi, krijohet bindja se Agron Hetoja e ka blerë apartamentin në vitin 2006, me të ardhurat e punësimit, sipas tij, në pozicione specialisti e më tej menaxheri në disa projekte të strukturës FAO të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Fakti që apartamenti duhet të jetë blerë në vitin 2006 forcohet më tej edhe nga biografia profesionale (CV) e Agron Hetoja, i cili deklaron se ka punuar për FAO deri në vitin 2006.

Zona luksoze
Për shkak të redaktimit të formularit të pasurisë, të realizuar nga ILDKPKI, nuk është e mundur të realizohet publikimi i zonës se ku gjendet apartamenti i Agron Hetoja. Por, një e dhënë indirekte, e siguruar nga shënimet e tij mbi rivlerësimin e pasurisë së realizuar në vitin 2012, tregon shumë.

Sipas vetëdeklarim të Agron Hetoja, apartamenti 143 m2 është rivlerësuar në vitin 2012 dhe vlera e asetit pas këtij procesi ka arritur në 25 milionë lekë të reja. Në bazë të një përllogaritjeje të thjeshtë, vlera e apartamentit të Agron Hetoja, pas rivlerësimit, është 174.800 lekë për metër katror.

LEXO EDHE  I paaftë politikisht, i shërben interesave turke/ Diplomati akuza Ramës

Ky çmim përfshihet në zonën më të shtrenjtë të Tiranës. Në Udhëzimin e Këshillit të Ministrave për çmimet e referencës për apartamentet në vitin 2004, me çmimin mbi 170 mijë lekë të reja vlerësoheshin apartamentet në zonën e ish-Bllokut, në të gjithë gjatësinë e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe “Zogu I”, si edhe në zonat pranë tyre.

Pra, sipas të dhënave indirekte rezulton se apartamenti i subjektit Agron Hetoja gjendet në zonën e ish-Bllokut ose në zgjatimin e bulevardit “Zogu I” – “Dëshmorët e Kombit” , i cili ka të njëjtin çmim reference, më të lartin në Tiranë dhe në Shqipëri.

Çmimi i dyshimtë?
Pasi u analizua koha e blerjes dhe zona ku gjendet me përafërsi apartamenti, atëherë kalohet tek çmimi i blerjes.

Sipas të dhënave të vetëdeklaruara prej subjektit Agron Hetoja, ai e ka blerë apartamentin me sipërfaqe 143 m2, për një çmim prej 39 mijë dollarë amerikanë. Për ta thjeshtuar, Agron Hetoja e ka blerë apartamentin me një vlerë prej 272 dollarë amerikanë/m2 (rreth 30 mijë lekë të reja për metër katror).

Pra, duke iu referuar analizimit të mësipërm, Agron Hetoja rezulton që, në vitin 2006, ka blerë një apartament në zonat më të shtrenjta të Tiranës, për një çmim prej 272 dollarë/m2.

Ky çmim është shumëfish më i ulët se sa vlera reale e tregut edhe në atë kohë. Për të vendosur analizën në rrafshin krahasues, mjafton të përmendet që, në vitin 2004, një apartament në zonën periferike të Laprakës, në Tiranë, kushtonte rreth 350 dollarë/m2.

Pra, duke iu referuar vetëdeklarimit të Agron Hetoja, ai ka blerë një apartament në një zonë shumë të shtrenjtë në qendër të Tiranës, me një çmim shumë më të lirë se sa vlera e një banese në Laprakën periferike.

Këto të dhëna “kërcasin fort”, pasi duket e vështirë që kontrata për blerjen e apartamentit në vlerën 39 mijë USD të jetë me bazë reale. Gjithësesi, Agron Hetoja ka dorëzuar dokumentacionin pranë ILDKPKI, e cila, të paktën deri më tani, nuk ka bërë publike ndonjë dyshim mbi pasurinë e drejtorit aktual të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

“Boldnews.al”, në analizimin e rastit, iu referua kryesisht metodikës së ndjekur nga strukturat e Vetingut, të cilat, për raste të ngjashme, kanë konstatuar problematika dhe kanë vendosur shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, Agron Hetoja, pasi ushtroi për rreth 6 vjet detyrën e Administratorit të KESH sh.a, aktualisht drejton institucionin që mbikëqyr sigurinë ushqimore.