Sëmundja mund të parandalohet përmes dy dozave të vaksinës MMR, e cila është në dispozicion falas për të gjithë fëmijët e vegjël
Fruthi është rikthyer në katër vende Europiane që më parë merreshin si shembull për mungesën e kësaj sëmundjeje, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH). Sëmundja nuk konsiderohet më e çrrënjosur në Shqipëri, Republikën Çeke, Greqi dhe Mbretërinë e Bashkuar, raporton News24.“Ne jemi duke bërë lëvizje mbrapa, ne jemi në rrugën e gabuar,” tha Kate O’Brien nga Departamenti i Imunizimit i OBSH. Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe potencialisht fatale që shkakton kollitje, skuqje dhe ethe. Sëmundja mund të parandalohet përmes dy dozave të vaksinës MMR, e cila është në dispozicion falas për të gjithë fëmijët e vegjël.
Rreziku
Vendet deklarohen pa fruth kur nuk ka një transmetim endemik për 12 muaj në një zonë specifike gjeografike. Zonja O’Brien tha se të katër vendet Europiane që kanë humbur statusin e tyre të zhdukjes së sëmundjes kanë një mbulim vaksinimi “jashtëzakonisht të lartë”. “Kjo është zilja e alarmit që po bie në të gjithë botën: Të qënurit në gjendje të arrish një mbulim të lartë kombëtar nuk është e mjaftueshme, kjo duhet të arrihet në çdo komunitet, dhe çdo familje për çdo fëmijë”, tha ajo. Ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se gënjeshtrat në lidhje me vaksinën e fruthit kanë lejuar që sëmundja të përhapet në zona ose komunitete të caktuara.
Të dhënat
Të gjitha rajonet e botës treguan një rritje të fruthit përveç Amerikës, e cila pati një rënie të vogël. Afro 365,000 raste janë raportuar në të gjithë botën këtë vit, tha OBSH, gati tre herë më shumë sesa në gjysmën e parë të 2018-ës. Dr.O’Brien fajësoi keqinformimin për vaksinat dhe u bëri thirrje kompanive të mediave sociale dhe drejtuesve të komunitetit që të japin “informacion të saktë, të vlefshëm, të besueshëm shkencërisht”. Vaksinimi mbron nga sëmundje të tilla, si: hepatiti, fruthi, difteria, pneumonia, shytat, poliomieliti, kolla e mirë, rubeola, tetanozi, diarreja nga rotavirusi, kanceri i qafës së mitrës etj., sëmundje të cilat nëse nuk parandalohen nga vaksinat mund të shkaktojnë paaftësi dhe të çojnë deri në vdekje.
Vaksinimi
Mbulesa vaksinale botërore ka arritur në 86%, pa pësuar ndryshime domethënëse gjatë viteve të fundit. Vaksinimi mund të evitojë përafërsisht 2-3 milionë vdekje çdo vit. Nëse mbulesa vaksinale do të përmirësohej, atëherë do të parandaloheshin edhe 1,5 milionë vdekje të tjera. Të gjithë mund të ndihmojnë për të pakësuar boshllëqet e krijuara në imunizim. Tema e fushatës së Javës Europiane të Vaksinimit është “Vaksinimi nuk është vetën një e drejtë personale por edhe një përgjegjësi e përbashkët”. Vaksinat sigurojnë mbrojtje individuale nga shumë sëmundje të rrezikshme, por përfitimi prej tyre nuk mbaron aty. Kur i gjithë komuniteti është i vaksinuar, nuk mbetet asnjë person që mund të transmetojë sëmundje ngjitëse te personat më të rrezikuar për të shfaqur ndërlikime serioze. Pra, duke u vaksinuar të gjithë së bashku, ne mund të mbrojmë personat më vulnerabël (të prekshëm), përfshirë foshnjat. Çdo person meriton të imunizohet dhe duhet të ndajë përgjegjësinë sociale për të mbrojtur ata që nuk mund të mbrojnë veten.