Ilir Kalemaj
Kastrioti, apo Kaçi sic i flisnin rëndom miqtë dhe të njohurit, vinte si rondokop, i shkurtër, dhe me bark, me qafë si të një boksieri dhe përherë energjik. Vetëm disa rrudha që dukeshin si brazdat e një are të palëruar mirë bënin kontrast me atë eufori djaloshare që e shoqëronte gjithnjë. Një mjeshtër i vërtetë i fjalës dhe i rrëfimeve të panumërta, anektodave dhe barcaletave, që e bënin përherë të pëlqyeshëm në muhabete tavoline. Kishte aftësinë për të bërë miq lehtshëm dhe ngjallte besim dhe simpati gati-gati të menjëhershme. Kishte vite që merrej me tregti, ose më saktë me pehlivanllëqe, se kështu i mbante në këmbë aktivitetet tregtare. Ishte energjik, i papërtuar në artin e mashtrimit dhe llafollogjisë, por me shumë pak rendiment kur bëhej fjalë për punë të vërtetë. Ndoshta kjo ishte arsyeja që i kishte dështuar pa nisur mirë nja tre-katër biznese deri tani.
Së fundmi vendosi të hapte një restorant. Kishte hapur një më parë me të kunatin, por ishin prishur dhe cështja kishte përfunduar në gjykatë. Kësaj here po e hapte vetëm, apo thuajse vetëm, pasi me letra ishte në emër të së shoqes, ngaqë vetë nuk i jepte kush kredi. Në fakt edhe për të punuar, bashkë do punonin. Si person të tretë zgjodhi një djalë të ri që e kishte njohur në një vend pune të përbashkët gjatë kohës që bridhte sa te një restorant te tjetri, për t`ja marrë dorën kësaj zeje të re. Në fakt, vet Kaçi më tepër ia mori dorën shpejt hileve sesa vetë zanatit. Ky ishte ai, i papërtuar për allishverishe në çdo kohë. E shoqja, Neti, vinte hollake, me një hundë shkabë, vetulla që rrinin gjithnjë gjysëm pingul dhe me një vështrim qortues që nuk i shqitej. E kundërta e Kaçit, ajo ishte përherë serioze, më tepër nga ç`duhej dhe dukej gjithë kohës me nerva. Nuk mund të thoje që ishte e shëmtuar, madje kishte njëfarë hiri që i kishte mbetur megjithë dyzet vitet që mbante mbi supe, me ato leshrat si në të kuqërremtë që i derdheshin hijshëm supeve. Nuk kishin fëmijë. Si çift formonin njëfarë kimie që më tepër ngajnte me alkimi dhe dukej si një gjë e stisur djallëzisht për këdo që do kishte fatin të punonte me të dy.
***
Kjo i ra për hise Altinit, një emigranti pa letra 20-vjeçar që fati e solli të njihte Kaçin tek punonin bashkë te një pronar picerie grek në lagjen e bregut të Bostonit (South Boston). Tini, siç i flisnin miqtë, ishte në atë fazë të jetës ku uria për të ecur para në jetë, iu përshtat për bukuri me ndjenjën që përjetoi kur preku rrogën e parë në dollarë pak muaj më parë. Kishte paguar plot shtatëmbëdhjetë mijë dollarë që të vinte deri këtu dhe borxhi që ishin zhytur prindërit mbrapa në vendlindje duhej shlyer sa më parë. Vite më vonë, kur fati e solli të njihte disa puntorë kinezë që vinin të shtypur si sardele në kontenjerë anijesh dhe punonin skllavërisht për vite, shpesh dhe dekada me rradhë në kushte ç`njerëzore dhe me pagesa shpesh dhe një apo dy dollarë në orë, falenderonte Zotin që të paktën fillimi i tij nuk kishte qenë i tillë. E kishin ndihmuar fillimisht nja dy shokë të shokëve te të cilët kishte vajtur me rekomandim. Të paktën, ngushëllonte veten, kishte patur një strehë dhe pak ndihmë për të gjetur punën e parë, sado e vështirë që kishin qenë ato orët e gjata për trupin e tij të pamësuar. I dukej vetja si ato makinat që punonin me rendiment të njëllojtë derisa sa konsumoheshin krejt dhe u vinte fundi. Por ngadalë-ngadalë, ia kishte marrë dorën punës, sado me ato peripecitë e zakonshme. Një egjyptian ku kishte punuar fillimisht i kishte mbajtur rrogën e një jave pasi e kishte hequr kotsëkoti.
Çdo rënie nuk të bëka njëqind herë më të fortë por njëqind herë më të stresuar,- po i thoshte një ditë një greku me të cilin punonte, Janit.
Jani i pëlqente se ishte kretas, me tipare si malësorët tanë. Kënaqej kur dëgjonte që në Kretë shumë vetë e mbanin koburen në brez si shekuj më parë dhe shpesh këmbë polici nuk dukej në fshat. Ndanin bashkë duhan në kohë të lirë dhe të dy qaheshin nga shfrytëzimi i pronarit greko-amerikan. Sado që këtu nuk kishte fije racizmi, madje Tini ishte bërë menaxher vetëm pak muaj pasi kishte filluar punë dhe me pagesë të lartë, orët e gjata të punës, kërkesa e parreshtur e llogarisë, sfilisja dhe era e brumit ngjitur në lëkurë pas orëve të gjata qëndrimi në këmbë, bënin që tema e tyre e preferuar të ishte ankimi. Ankimi ndaj një jete ku vitet më të bukura kishin kaluar nëpër furrat e picës, skelat e ndërtimit apo larjes së pjatave dhe ku dalja pas mesnate, në fundjavë, shpesh ishte njëfarë marrje me të mirë të vetes, për t`i kujtuar që janë gjallë.
Kishte punuar me shumë vetë të kombësive të ndryshme, disa prej të cilëve i kishte bërë miq për kokë pas një kohe. Abazi prej Algjerie, kokëshkretë dhe i palodhur, gjaknxehtë dhe i pashëm, i martuar me një amerikane dhjetë vite më të moshuar, ishte një prej tyre. Shpesh tregonte aventurat e tij kur kishte qenë në Itali, si për shembull plaga thike që kishte dy a tri në trup. Fshehtas, Tini mendonte se financonte ndonjë nga ato grupet e Xhihadit me pagesa që kryente elektronikisht. Jo se Abazi fliste me të për kësi gjërash, por nga njëra anë tërsëllëma e tij për një vend që e kishte pritur me bujari, madje bërë qytetar për shkak të martesës (e treta për të), dhe mosshfaqja e pikëllimit pas ngjarjes të trishtë të 11 shtatorit, e bënë t`i qëndronte disi larg dhe ta shihte me dyshim. E tërhiqte temperamenti i tij dhe i hahej muhabeti me të por i druhej çmendurisë së tij që i dukej se buronte nga gruaja dhjetë vjetë më e madhe që e kishte bërë rup sup dhe nuk i linte dollarë në xhep. Madje e merrte dhe e sillte vetë në punë që mos t`ia linte peshqesh ndonjë zuske të re, sic i pëlqente të shprehej. Nga urrejtja për gruan, kishte kaluar në ekstremin tjetër dhe tani urrente vendin që i kishte dhënë mundësinë të jetonte atë liri me të cilën nuk po dinte c`të bënte. Kishte ngritur burgun e tij brenda hapësirave të lirisë që e rrethonte.
Avdul azerbaxhanasi ishte një mik tjetër, të cilin e kishte njohur kur punonin pjatalarës. Vetëm kur dita niste të thyhej, niste Tini të gjallërohej dhe të kuvendonte me ata përqark. Avduli i tregonte që në Azerbaxhian secilit të ri, pavarësisht nëse shkonte në universitet apo jo, i duhej të bënte kohë në ushtri. Diferenca e vetme ishte që për ata me shkollë ishte një vit, për ata si puna e tij dy rrumbullak. Jo ushtri thoshte, por burg e shkuar burgut. Ja ç`kishte qenë ajo eksperiencë për të. Regjim spartan, gjumë jo më tepër se gjashtë orë në ditë, së paku njëherë në muaj shërbim roje dyzet e tetë orësh, stërvitje barbare me ushqim për të cilin duhej të rriheshin si kafshë, ngaqë ishte në një sahan të madh dhe secili rrëmbente nga një copë. E njëjta gjë dhe me të pirin, kur një caj i hollë, pa ngjyrë dhe erë të cuditshme ishte eliksiri i ditës së tyre. I hidhnin dhe klor që t`u ulnin temperaturën e brendshme rekrutëve të rinj.
Ndërsa Gomezi, braziliani, ishte kuzhinier i shkëlqyer. Kishin punuar bashkë te një pronar shqiptar që kishte qenë ndër më mizorët që kishte njohur. Gomezi dukej gjithnjë i lumtur dhe i vinte çudi sesi dikush mund të ishte i lumtur në këto kushte. Atij vetë nga momenti që zgjohej deri mbasdite vonë, rrallë qëllonte t`i qeshte buza. Vetëm kur dita niste të thyhej dhe kishin ngelur vec gjashtë-shtatë orë pune, ai niste dhe gjallërohej dhe kulmin e arrinte vonë në mbrëmje, kur të tjerët dukeshin të sfilitur dhe mezi c`prisnin të ktheheshin në shtëpi.
Gomezi kishte punuar në një minierë ari në Brazil që minierë i thënçin…, orë të gjata, punë sfilitëse, sëmundje tropikale që të kërcënonin në çdo kohë. Ishte jo më tepër se njëzet e katër vjec, por jeta e vështirë që kishte bërë nga mosha katërmbëdhjetë vjeç kur kishte filluar punë për herë të parë, kishte lënë vragë të thella në trupin e tij aspak të njomë. I dukej parajsë të punonte në një vend ku e trajtonin me respekt, mbushte barkun dhe mund të çonte një shumë të hollash mbrapa te e jëma që kishte ngelur e ve qysh në moshë të re dhe pesë vëllezërit dhe motrat më të vegjël, të gjithë të papunë dhe me sytë nga toka e premtuar.
***
Për atë vetë, këto lloj punësh nuk është se e lodhnin, më tepër e lodhte ajo monotonia e ndjesisë së përsëritjes, mungesës së një hapësire lirie të cilën mund t`ja kushtonte vetes apo Elonës, një tiranse simpatike me të cilën kishte filluar të frekuentohej së fundmi. Elona fillimisht e kishte refuzuar, me shpresë se do zinte ndonjë nga ata amerikanët simpatikë dy metrosh dhe shpatullgjerë. Por këmbëngulja e tij, si dhe fakti që amerikanët s`ta varin po nuk u ofrove vetë e para,— çka Elona nuk mund as ta imagjinonte një gjë të tillë,— dhanë më në fund frytet e shpresuara. Rrinte pak me të, se nuk kishin kohë, të dy punonin me orë të gjata, shkonin dhe në shkollë, për fat të keq në vende të ndryshme. Lona ishte me familjarët e saj, të cilët e inkurajonin me çdo mënyrë që t`i hidhte grepin ndonjë pasaniku vendas dhe rrezik t`u binte damllaja të merrnin vesh që shoqërohej me Tinin, një barkthatë emigrant nga vendi mëmë.
Fshehurazi ata frekuentoheshin. Për dreq kur ishte me të, sadoqë flirtonin gjatë, ngacmoheshin, putheshin, ledhatoheshin, asnjëherë nuk kishte gjetur kurajon të shkonte më tej. Bllokohej, i merrej fryma, i dridheshin disi këmbët, njëlloj si atëherë në gjimnaz kur ndjenjat djaloshare nuk shkonin përtej platonikes. As vetë nuk e kuptonte se pse. Zakonisht, marrëdhëniet intime për të ishin mjaft të rëndësishme në një lidhje, madje shpesh ai mburrej në shoqëri për aftësinë për t`i shpënë femrat në shtrat thuajse menjëherë. Ndoshta kishte rënë kokë e këmbë brenda pa e kuptuar. Ndoshta kjo vajzë e trembte dhe këtë nuk donte ta pranonte kurrsesi.
Por andrallat e punës, sfidat e ndryshme që sillte një jetë e mbushur me punë, lodhje, oportunitetesh që hapeshin në çdo cast e bënin të pamundur që ai t`i kushtohej ndjenjave të tilla momentale, fluide, të paqëndrueshme. Iu rikthye vrik punës, fill pas një zënke të zakonshme, kur ajo i thoshte një ata të shtëpisë kishin vendosur ta çonin në një shtet tjetër për të studiuar. Ndoshta për ta hequr prej aty ku zërat kishin filluar të përhapeshin për një lidhje mes të dyve. Iu bashkangjit ekipit të Kaçit, sic i pëlqente ta quante këtij të fundit, pra atij vetë dhe të shoqes, Netit, në këtë ndërmarrje të re që për të qe një sfidë por edhe mundësi për të fituar më tepër.
***
Nuk kaloi shumë kohë dhe krisjet e para filluan. E shoqja e Kaçit nisi t`i qahej për burrin, sesi ajo dhe i vëllai e kishin ndihmuar, sesi ai ishte mitoman, bridhte pas fustaneve dhe ajo qyqarja, ndonëse në kulm të moshës, ende pa mbushur dyzetat, detyrohej të punonte si skllave e mbyllur aty. I kërkonte atij shpesh informacion mbi të shoqin, nga shkonte pas pune, ku venin për të kthyer ndonjë gotë e kështu me rradhë, ndërsa Kaçi vetë, shpesh i qahej për të kunatin, duke thënë se ishte shkaktari për grindjet që ata kishin në çift. Ta hajë dreqi, ec e merre vesh këtë punë!- mendonte trishtueshëm Tini kur pinte ndonjë cigare të shpejtë mes turneve. Puna ishte impenjuese, pushimet të shkurtra, oraret të gjata, ndërsa paga mjaft larg asaj që i ishte premtuar. Nëse në fillim Kaçi i kishte thënë që do paguhej me përqindje nga fitimi ditor, dhe atij i qe dukur një ofertë e parezistueshme, po shihte që biznesi kishte marrë rrokopujën, dhe ai ishte e vetmja kolonë që ende kishte ngelur në këmbë.
Ato ditë të ngadalta fillimjave kur Kaçi kishte shkuar deri në Keip Kod ku shkonte shpesh të peshkonte me miqtë e vet, ose ndoshta ishte hedhur deri te kazinoja e Foksvudit në shtetin fqinj, pa bërë zë, ai kishte ngelur veç me Netin, e cila sot për çudi jo që nuk po hapte gojë ndaj të shoqit, por seç kish marrë një nur tjetër. Ishte veshur jo si për punë, por si për ballo. Pale, kishte vënë dhe një palë vëthë, si ato të arixhofkave në ditë pazari dhe herë pas here i hidhte ca vështrime që ai i shuari nuk po i merrte vesh. Kur i ra në të që Nerti po flirtonte me të, në fillim i erdhi si përzjerë, pastaj frikë, pastaj kërshëri dhe në fund nisi të ëmbëlsohej disi, ndoshta edhe nga efekti i asaj vere të uruar me të cilën po e gostiste.
Nisi ta zhvishte ngadalë, dhe poshtë rrobave nuk po i dukej aspak keq. Ishte te të dyzetat por tregonte disi më e re dhe me një kontrast si dita me natën me Kaçin që dukej i zhubravitur pjesën më të madhe të kohës. Kishte veshur një të mbathura të zeza dhe recipeta të kuqe, si dhe çorape rrjetë, një stil ky paksa i tepruar për të mendoi për një çast, por pastaj ju dha momentit me gjithë vrullin që mund të ketë një 20-vjeçar që kishte ca kohë që nuk kishte qenë në një marrëdhënie. Aq sa dukej e rënë dhe pak si e lodhur në jetën e përditshme, aq agresive dhe me eksperiencë ju shfaq ajo në ato pak minuta përjetim të nxehtë erotik që shpërthente duke mbushur gjithë atë vend me një afsh të nxehtë, si të purpurt, dhe që e largoi disi nga realiteti gri i çasteve njolloj me të cilat i duhej të ndeshej cdo ditë deri sa të vinte ora dhe të thyente qafën për në atë copë dysheku që e priste në shtëpinë-hotel të zhveshur dhe aspak ndjellëse.
Menjëherë pas aktit, u ftoh. Mezi sa priste të çlirohej nga ajo dhe çdo përkëdhelje e acaronte. I premtoi vetes se kjo do ishte hera e fundit. Në fund të fundit, ç`bënte ai me këtë grua që mund të ishte mamaja e tij në moshë?! Por edhe ideja që Kaçi mund ta merrte vesh, e tmerronte. Jo aq se kishte frikë mos e largonte nga ky vend i urryer pune, më parë ai largohej vetë. Por ideja që kishte shkelur besën ndaj këtij burri që gjithsesi nuk njohte pikë morali. Dhe me kë, me dikë për të cilën ai nuk kishte as respektin dhe as dëshirën minimale për të ndenjur një minutë më tepër. Madje prania e saj e acaronte. U cua, ndezi një cigare dhe tha ashtu si shkujdesur:
-Të lutem asnjë fjalë. Kjo të mbetet mes nesh.
Neta e pa me mospërfillje, me habi disi të shtirur dhe filloi të vishej. Nuk denjoi as të kthente një përgjigje, gjë e cila me tepër e ngrohu se e ftohu. Më mirë të më urrejë,- nisi të mendonte,- sesa të më kthehet në ato kuçkat posesive që nisin e të bëjnë shantazh duke të nxirë jetën. E keqja më e vogël!
***
Ditët shtyheshin ngadalë, si shiu monoton vjeshtak që sapo ka zënë të bjerë. Ndonëse Neta nuk foli, burgu i ndërgjegjes po i ngushtohej, hapësira e lirisë po i rrudhosej dhe rrobat e turpit po i zinin frymën. Vendosi të ikte, ashtu papandehur, pa fjalë, madje duke mos marrë as rrogën e fundit. Një vet-ndëshkim i papërfillshëm për një gabim fillestar. Ai as që duhet të kishte filluar punë këtu. Ky partneritet kishte shkuar huq dhe kishte marrë për lesh qysh në fillim.
*Shkruar enkas për Boldnews.al