Ministrja e Drejtësisë “fshehu” luksin pas procedurave

Nga Boldnews.al

Rreth 48 orë pasi në media u publikuan shpenzimet luksoze të Etilda Gjonajt, Ministrja e Drejtësisë vendosi të reagonte, njëlloj si avokatët që nuk kanë çfarë t’u bëjnë provave kundër klientëve të tyre-merren me procedurat.

Në një status në “Facebook”, Etilda Gjonaj prezantoi atë që konsiderohet “e vërteta e saj” për udhëtimet dhe hotelet luksoze që ka realizuar e zgjedhur me paratë publike.

Në këtë reagim të parë, dallohet qartë që ministrja është në siklet të madh. Ajo ka shkruar një tekst të gjatë, me 15-16 paragrafë, tek i cili, vetëm në pak rreshta ka shpjeguar në mënyrë të mjegullt se përse ka zgjedhur udhëtimet dhe hotelet e kushtueshme.

Pjesa tjetër janë leksione “falas” që jep ministrja për gazetarinë investigative, si edhe “përvuajtjet” e saj për sulmet “si nënë, si grua e si familjare”. Këto përvuajtje, përveçse synojnë të ngrejnë ndjeshmërinë e shoqatave të grave, nuk kanë asnjë lidhje me investigimin mediatik.

Faturat e publikuara nuk lidhen me udhëtimet private e familjare të Etilda Gjonajt, por me shpenzimet e luksit të ministres së Drejtësisë.

Por, subjekti i këtij shkrimi është shpjegimi se ku çalon “mbrojtja proceduriale” që znj. Gjonaj i ka bërë shpenzimeve të saj për dhoma në hotele të shtrenjta në kryeqytetet më të rëndësishme të Europës.

Në deklaratën e saj zyrtare, Gjonaj deklaron “…media do të konstatonte letësisht se procedurat për shërbimet e udhëtimit në bazë të VKM nr. 914, dt. 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave për prokurimin publik, prokurohen publikisht nëpërmjet sistemit elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik”.

Kjo VKM është e detyrueshme të zbatohet nga çdo institucion publik. Natyrisht, edhe Ministria e Drejtësisë nuk bën përjashtim në zhvillimin e procedurave të prokurimit për biletat e avionëve.

Pra, procedura, të cilës i referohet Ministrja, ka lidhje vetëm me biletat e avionëve. Por jo me prenotimin e dhomave të hoteleve. Dhomat e hotelit nuk i cakton agjencia turistike, por kërkuesi.

Ndaj, të synosh të gjesh mbështetje tek praktikat e prokurimit publik për përzgjedhjen e hoteleve të shtrenjta, nuk është argument.

Ministrja e Drejtësisë, në deklaratën e saj, synon të justifikohet se shpenzimet luksoze nuk mund të konsiderohen “abuzim”, përsa kohë “këto procedura janë gjetur në përputhje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin përfundimtar, të depozituar në Ministrinë e Drejtësisë më 31.07.2019”.

Edhe ky argument çalon dhe nuk mund të justifikojë shpenzimet luksoze të ministres së Drejtësisë, të publikuara së fundmi.

Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon procedurat, mbi të cilat mbështeten shpenzimet e udhëtimit. Më thjeshtë, KLSH kontrollon nëse ka pasur një ftesë nga një autoritet i huaj ose një vizitë zyrtare. Nëse po, KLSH vijon kontrollin mbi planin e vizitës, personat që kanë marrë pjesë, procedurat e ndjekura sipas rregullave të prokurimit publik, kopje të biletave dhe faturave të hotelit për kohën e qëndrimit gjatë vizitës jashtë Shqipërisë.

LEXO EDHE  Paralajmëron analisti: Mund të kemi vr*sje politike

Nëse këto procedura dhe dokumenta janë në rregull, atëherë KLSH konstaton se ato janë ndjekur në përputhje me ligjin.

Por, KLSH nuk ka dhe as nuk mund të ketë aftësinë dhe kapacitetet për të zbuluar nëse hoteli i përzgjedhur nga stafit për ministren ose nga vetë ministrja është luksoz apo jo.

Po ashtu, KLSH nuk mund të identifikojë nëse ministrja ka pasur alternative të tjera, me më pak shpenzime hotelerie, për udhëtimet e saj.

Pas “procedurave”, ka edhe një fakt, që bie ndesh me deklaratën e ministres Gjonaj. Një prej akomodimeve më të shtrenjta të saj është ai i muajit Maj 2019, kur drejtuesja e Drejtësisë ka fjetur një natë në Romë, në një dhomë 700 euro.

Për këtë detaj, ministrja Gjonaj, në deklaratën e saj, jep këtë shpjegim: “Nëse media do të verifikonte dhe kërkonte shpjegim, do të arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit (700 euro) nuk është për një natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është fjetje dy net. Për të shtuar që fatyra e publikuara nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por edhe të të gjithë delegacionit që më ka shoqëruar mua në delegacionet që merrte pjesë në këto aktivitete…”.

Me një “lojë fjalësh”, ministrja, kur përmend “delegacionet”, ka kaluar nga udhëtimi në Romë tek vizitat e tjera në përgjithësi.

Duket si një tentativë për të mbuluar shpenzimin 700 euro për dhomën e saj të hotelit në Romë, duke përdorur masivitet njerëzish.

Në fakt, dokumentat janë fare të qartë dhe e nxjerrin zbuluar ministren në dy pika:

1. Së pari, dokumenti tregon që znj. Gjonaj ka qëndruar vetëm një natë në Romë, ku ka paguar dhomën e hotelit 700 euro (fatura shkruan qartë se ministrja ka bërë regjistrimin në hotel-check in në datën 21 maj dhe ka lëshuar hotelit-check out-në datën 22 maj).

Llogaritë janë shumë të thjeshtë. Ministrja Gjonaj ka qëndruar vetëm një ditë në hotel dhe ka paguar 86500 lekë (rreth 706 euro).

2. Znj. Gjonaj shprehet që këto shifra përfshijnë edhe shpenzimet për delegacionin që e shoqëronte. Fatura e hotelit të Romës flet për një dhomë, e regjistruar në emrin e Etilda Gjonaj. Atëherë, dy mundësi janë-ose ministrja e Drejtësisë ka fjetur bashkë me stafin e saj në një dhomë, gjë që duket e pamundur-ose znj. Gjonaj është mundur, pa argument të dokumentuar, të justifikojë shpenzimin luksoz.