Nga Boldnews.al
Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) që ndalonte kandidimin e juristes Zhaklina Peto për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, një zhvillim i cili, gjithësesi, nuk ndihmon shumë në plotësimin e vakancave në institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare.
Zhaklina Peto i bashkohet edhe 4 emrave të tjera, Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Regleta Panajoti e Elsa Toska, në total 5, të cilët kandidojnë për dy vende vakante për në Gjykatën Kushtetuese.
Të njëjtët emra, përfshirë edhe dy të tjerë, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari, janë gjithashtu kandidatë edhe për një vend tjetër vakant të shpallur nga Presidenti dhe dy nga Kuvendi.
Në përfundim të këtij procesi, fokusi i të cilit tashmë është vetëm tek emergjenca e plotësimit të numrave në kurriz të cilësisë, pritet të zgjidhen 5 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga 9 poste të institucionit që intepreton dhe monitoron zbatimin e Kushtetutës.
Vendimi i gjykatës për Zhaklina Peton
Tresha e gjyqtarëve të Apelit Administrativ, e përbërë nga Alkelina Gazidedja, Amarildo Laçi dhe Bari Shyti vendosën pasditen e së Enjtes së kësaj jave shfuqizimin e vendimeve nr.108 dhe nr.109, datë 02.08.2019, në bazë të të cilave KED vendosi të mos lejonte kandidimin e Petos.
Zhaklina Peto ka aplikuar për dy poste për në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës në 2 Shkurt 2018, një për vakancë të përkohshme, të krijuar nga dorëheqja e ish-anëtarit Besnik Imeraj dhe një vakancë e plotë, e krijuar pas shkarkimit të Fatos Lulos nga procesi i Vetingut.
Në dy vendime të ndryshme dhe me përmbajtje faktesh të njëjtë, njëri me relator anëtaren Arta Marku, Kryeprokurore e Përkohshme dhe tjetri me anëtarin relator Eriol Roshi, kryetar i Gjykatës Administrative, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi të ndalonte kandidimin e Petos, për shkak të problemeve me pasurinë.
Ligji parashikon që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të kryejë një lloj “mini-vetingu” për aplikantët për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë proces verifikimi, KED ndihmohet nga institucione të tjera, përfshirë Inspektoratin e Lartë të Deklarimin e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Në bazë të kontrollit mbi deklaratën e pasurisë së Petos, ILDKPKI konstatoi se juristja “nuk ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, ka mungesë dokumentacioni për të justifikuar burimin e pasurive, si edhe ka mosdeklarime të pasurisë dhe vlerës së tyre”.
Ndër problematikat e konstatuara nga ILDKPKI ishte burimi i të ardhurave për një apartamenti 130 m2, në vitin 2000, me një vlerë anomalisht të ulët, 3.9 milionë lekë, të blerë me ish-bashkëshortin e saj, Bledi Çuçi, sot Ministër Shteti për Çështjet Vendore.
Gjithashtu, ILDKPKI ka konstatuar problemat në burimin e krijimit edhe të dy apartamenteve të tjerë, njëri me sipërfaqe 110 m2 dhe tjetri dupleks me sipërfaqe 172 m2, në zonën e Kodrës së Diellit, në Tiranë.
Gjetjet e ILDKPKI u kundështuan zyrtarisht nga aplikantja Peto, e cila në një shkresë dërguar KED-së dha argumentat dhe sqarimet e saj.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi të angazhonte një ekspert kontabël. Kjo ishte në një procedurë të pandjekur për kandidatët të tjerë që kishin problemeve me deklarimin e pasurisë, e cila u evidentua si “standart i pa-zbatuar për aplikantët e tjerë” edhe nga Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e cila merr pjesë si vëzhguese në mbledhjet e KED-së.
Pasi u njoh me rezultatet e ekspertizës, e cila në përgjithësi justifikonte asetet e kandidates Peto, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konstatoi gjithësesi se, argumentat e ILDKPKI për dyshimet mbi pasurinë e Zhaklina Petos qëndronin. Për këtë arsye, KED vendosi “ndalimin e kandidimit për vend vakant në Gjykatën Kushtetuese”.
Gjykata Administrative e Apelit ende nuk ka zbardhur argumentat, mbi të cilët ka mbështetur vendimin që është i kundërt me atë që miratoi më parë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Garë e cunguar për Gjykatën Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese, e parashikuar me 9 anëtarë, aktualisht ka në detyrë vetëm një-Vitore Tusha-e cila gjithashtu e ka përfunduar mandatin e saj. Të tjerët u larguan nga detyra pasi humbën betejën me Vetingun, përjashtuar ish-anëtariët Vladimir Kristo dhe Besnik Imeraj, të cilët dhanë dorëheqjen para procesit të rivlerësimit.
Ndryshimet kushtetutese të vitit 2016, si pjesë e Reformës në Drejtësi, parashikojn që 9 anëtarët e Gjykatës të zgjidhen sipas formulës-3 emërohen nga Presidenti i Republikës; 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë.
Në kohë të ndryshme gjatë vitit 2018, të detyruar nga shkarkimet e anëtarëve në detyre prej procesit të Vetingut, 3 institucionet e ngarkuara nga ligji shpallën thirrjet për 8 vende vakante, duke qenë posti i 9-të mbahej nga Vitore Tusha, e cila, megjithëse me mandat të përfunduar, qëndroi në detyrë pasi kaloi me sukses procesin e rivlerësimit.
Për këto 8 vakanca aplikuan në total rreth 40 juristë, të cilët vlerësonin se përmbushnin kriteret formale për të kandiduar për në Gjykatën Kushtetuese. Një pjesë e aplikantëve dorëzuar kërkesat e tyre për më shumë se një vend vacant.
Në Prill 2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nisi procesin e verifikimit formal të kandidaturave. Një pjesë e aplikantëve njoftuan KED-në se kishin humbur interesit për garën për në Gjykatën Kushtetuese, nisur nga fakti që, prej aplikimit të tyre e deri në nisjen e procedurave të verifikimit, kishte kaluar një kohë e gjatë dhe se ishin angazhuar në sipërmarrje të tjera.
Ndërkohë, KED zhvilloi verifikimet për kandidatët e tjerë, nga të cilët, në fund mbetën vetëm 7 kandidatë. Konkretisht, në garë janë; Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Fiona Papajorgji, Regleta Panajoti, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe, së fundmi, edhe Zhaklina Peto, e cila i bashkohet garës me vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ.
Por, edhe këto kandidatë të mbetur janë të grupuar vetëm për 5 vende vakante – 3 të shpallur nga Presidenti dhe dy nga Kuvendi. Ndërkohë, aplikantët që iu përgjigjën thirrjes së Gjykatës së Lartë u skualifikuan të gjithë. Ndërkohë, Gjykata e Lartë është vetë e bllokuar, pasi ka vetëm 1 anëtar në detyrë, Ardian Dvoranin, dhe institucioni nuk ka aftësinë për të shpallur thirrjen për vakancat në Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti i Republikës ka shpallur dy vakanca për në Gjykatën Kushtetuese në datën 7 Shkurt 2018. Për këto dy vakanca tashmë janë në garë 5 prej kandidatëve të mbetur. Nga këta 5 pritet të dalin dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, Presidenti ka shpallur edhe vakancën e tretë që parashikon ligji në 4 Mars 2019. Për këtë thirrje janë në garë 4 kandidatë, ku njëra prej tyre, Arta Vorpsi, ka aplikuar edhe në dy thirrjet e para të kreut të Shtetit.
Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur 3 vakanca. Aplikantët e njërës prej thirrjeve u skualifikuan të gjithë dhe në garë kanë mbetur kandidatët për dy thirrjet e tjera.
Konkretisht, Kuvendi ka shpallur thirrjen e parë për një post vakant në Gjykatën Kushtetuese në 12 Shkurt 2018. Nga aplikantët që i janë përgjigjur kësaj thirrjeje, janë në garë për një post 2 kandidatë, të cilët gjithashtu kanë aplikuar edhe në thirrjet e Presidentit.
Kuvendi ka shpallur thirrjen e dytë për aplikime për një post vakant në 4 Mars 2019. Nga aplikanët e kësaj thirrjeje, janë në garë 3 kandidatë, të cilët gjithashtu kanë aplikuar në thirrjet e Presidentit.
Në përfundim të këtij proces tejet të ndërlikuar procedurial për aplikimet, KED pritet të nisë vlerësimin me pikë për kandidatët. Ligji parashikon që kandidatët për secilën thirrje të renditen sipas pikëve dhe më pas të emërohen nga Presidenti dhe Kuvendi, ndërkohë që Gjykata e Lartë nuk ka kandidatë.
Ligji për “Organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” parashikon që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi harton listën e kandidatëve për çdo thirrje, duke nisur nga ai me pikët më të larta e në vijim.
Listat u dërgohen institucioneve që kanë bërë thirrjen, e konkretisht Presidentit dhe Kuvendit. Në rastin e Kuvendit, kandidatët duhet të miratohen me 3/5 e deputetëve.
Ligji ka parashikuar edhe një mekanizëm zhbllokues, në rastet kur Parlamenti nuk arrin 84 vota dhe kur Presidenti nuk ushtron të drejtën e tij për të emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Në këto raste, kandidati që është renditur i pari në listën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për një vend vakant të caktuar, zgjidhet automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Në situatën aktuale, Gjykata Kushtetuese, në rastin më të mirë, do të ketë 6 anëtarë, nga të cilët 5 pritet të zgjidhen nga procedurat e zhvilluara nga KED dhe një është anëtarja në detyrë me mandat të përfunduar, Vitore Tusha.