“Nëse nuk merr pjesë me një zgjidhje, atëherë edhe ti je pjesë e problemit”. Është një postulat që e lexon në “Whatsapp”-in e Franko Lerdës sapo nis të komunikosh me të, por është i sjellshëm dhe i përpiktë që në fillim.
Kur e takon, nuk ngjan fare me “arrogantin” e televizionit. I veshur me xhinse, bluzë të bardhë dhe atlete ta shtrëngon dorën fort kur e takon, a thua se po të paralajmëron për pyetjet që do t’i bësh. Po, trajneri i Partizanit është goxha më ndryshe kur bisedon nga afër.
Ka dëshirë të të bindë me çdo kusht se ka një mentalitet fituesi dhe se po i bën gjërat si duhet në Shqipëri. Nuk pranon ta quash arrogant dhe aq më pak ta krahasosh me Kristian Panuçin… “E njoh Panuçin nga afër dhe kam respekt për punën si lojtar, por edhe si trajner. Di që e bën mirë punën e trajnerit, por se çfarë raportesh krijon ai jashtë fushës, pak më intereson. Mos më krahasoni me të. Nuk mund t’i përgjithësoni gjërat se jam italian, apo se mund të ndodhë një episod në një moment të caktuar. Nuk jam fare arrogant. Jam thjesht një njeri që e do punën”, thotë ai në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”.
Natyrisht, flet për Korado Sakonen e larguar, Olsi Ramën, Lorenc Trashin, gjyqtarët shqiptarë… Po, Lerda flet për gjithçka, edhe pse hera-herës driblon si të mundet ndaj pyetjeve që nuk i pëlqejnë…
Mister, sa fjalë shqip keni mësuar?
Disa… Famelinder (faleminderit)… Mire (mirë)… Edhe ndonjë fjalë të keqe, por ajo nuk më vjen ndërmend tani. Shqipja është gjuhë e vështirë. Shumë madje. Por do përpiqem të mësoj sa më shumë.
Si ju duket Shqipëria?
Tirana më mirë. Unë vetëm Tiranën njoh. Nuk kam vizituar asnjë vend tjetër. Kemi qenë shumë të zënë dhe nuk kam pasur mundësi. Kam shumë dëshirë të vizitoj Veriun dhe Jugun e Shqipërisë. Por edhe Durrësi më pëlqen ta shoh nga afër. Sa për Tiranën, po është një qytet i gjallë, shumë interesant dhe mua më pëlqen. Nuk e mendoja kështu para se të vija.
Pse zgjodhët Partizanin?
Sepse pashë një mundësi të mirë. Një provë intriguese në karrierën time.
Ju nuk keni punuar kurrë jashtë Italisë, pse pikërisht Shqipëria?
Sepse disa njohje të mia ma ofruan si mundësi. Takova Gaz Demin dhe Olsi Ramën dhe ramë dakord.
Çfarë mund t’i përmirësoni një skuadre që sapo ka fituar bindshëm titullin kampion?
Ka gjithnjë vend për t’i bërë gjërat më mirë. Natyrisht, jam i lumtur që kam ardhur në një ekip kampion dhe do të bëj më të mirën time.
Si do të jetë Partizani i Lerdës?
Do të përpiqemi të ndërtojmë një skuadër që të imponojë lojën e saj. Të luajë mirë, e sigurt dhe me autoritet në fushë. Partizani do jetë një skuadër me mentalitet fituesi. Është shumë e rëndësishme të përmirësohemi vazhdimisht në këtë pikë.
A i keni lojtarët e duhur për ta bërë këtë?
Po, besoj se i kam.
Janë larguar disa lojtarë të dashur për tifozët si Ibrahimi apo edhe Mensah…
Për merkaton mund të flisni me drejtuesit e klubit. Janë ata që i marrin vendimet.
Po ju nuk ju pyesin fare?
Natyrisht që bisedojmë dhe unë marr pjesë në diskutimet që bëhen për të ardhmen e skuadrës, por në këtë moment vendos Olsi Rama.
Si mund të ndërtoni një ekip siç e doni ju, kur ndërkohë e bën dikush tjetër?
Së pari, ju thashë që unë jam i informuar për gjithçka ndodh. Së dyti, unë jam i ndërgjegjshëm se nuk e njoh mirë kampionatin, rivalët tanë dhe psikologjinë e futbollit shqiptar. Për këtë arsye u besoj plotësisht zgjedhjeve që bën Olsi Rama dhe njerëzit e tij, sepse ata arritën të ndërtonin një skuadër kampione dhe mendoj se në këtë moment kanë njohuri më shumë se unë në këtë aspekt. Me kalimin e kohës, pa dyshim që edhe unë do të them fjalën time, por në këtë moment më mirë të veprojë dikush që ka njohuri më të mira se unë në disa gjëra.
Partizani është kriktikuar shpesh se nuk shënonte gola me shumicë dhe nuk kishte një bomber…
Eh, koncepti i sulmuesit është pak i gjerë. Ka finalizues të mirë dhe ata që punojnë shumë për ekipin. Mirë është të kesh një që i bën të dyja mirë, por është e vështirë. Gjithsesi, do të shohim se çfarë do të bëjnë sulmuesit tanë.
Ju a keni një sulmues me cilësi të tilla?
Ende nuk mund ta them me siguri. Të shohim.
Çfarë i thatë Braunit pas tripletës në Superkupë?
E komplimentova. Ishte e rëndësishme për skuadrën ajo që bëri, por edhe për të. Kur shënon, rritet vetëbesimi, por edhe interesi rreth një lojtari.