Prela-Braho/ “Pazare” për Veting dhe SPAK? Dosja “184” prej Korrikut në Dibër

Nga Boldnews.al

Një ndër dosjet më të nxehta hetimore të viteve të fundit, ajo me numër 184, ku gjenden përgjimet e zyrtarëve të lartë të përfshirë në procesin e “tjetërsimit” të votës në favor të Partisë Socialiste, prej një muaji gjendet në Prokurorinë e Dibrës.

Burime konfidenciale të “Boldnews.al” deklaruar se prokurori i çështjes, Klodian Braho, me “bekimin” e drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, ka shpallur mos-kompetencën dhe ka dërguar dosjen hetimore në Prokurorinë e Dibrës, në mesin e muajit Korrik 2019.

Vendimi i drejtuesve të Krimeve të Rënda (Prela dhe zëvendësit të saj, Braho) është marrë në një kohë kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë po shqyrtonte kandidaturat për Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) dhe kur prokurori Klodian Braho priste të përballej me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Donika Prela dhe Klodian Braho ishin pjesë e 23 aplikantëve për në SPAK, të cilët u morën në shqyrtim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e prokurorisë së posaçme.

Në përfundim të këtij procesi, Donika Prela e pa veten jashtë listës prej 15 kandidatësh për SPAK, me shumë mundësi, për shkak se ajo pritet të përballet me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pas konfirmimit të dyshimtë në detyrë nga shkalla e parë e Vetingut.

Ndërsa prokurori Braho mori vlerësim pozitiv nga anëtarët e KLP, të cilët i dhanë viston për të vijuar garën për në SPAK. Por, disa ditë më pas, ai do të duhej të përballej me seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Pikërisht, në periudhën nga miratimi i kandidaturës për SPAK, tek përballja me Vetingun, siç thonë burimet nga Krimet e Rënda, ai ka marrë vendimin për të shpallur mos-kompetencën për dosjen “184”.

Në vijim, Klodian Braho u konfirmua në detyrë, por me një vendim 2 pro dhe 1 kundër të Komisionerëve të KPK-së.

Çfarë sjell “moskompetenca”?
Vendimi për shpalljen e “moskompetencës” për dosjen “184” duket se është strategjik, pasi, nga njëra anë “amniston” zyrtarët e lartë të përfshirë brenda saj dhe nga ana tjetër u jep mundësinë Donika Prela e Klodian Braho që të shpresojnë në një mbështetje qeveritare për kalimin përfundimtar të Vetingut dhe për përfshirjen në SPAK të prokurorit të çështjes.

LEXO EDHE  Ndërkombëtarët kërkojnë qeverisje PS-PD?

Dosja “184” është regjistruar në Prokurorinë për Krime të Rënda në Qershor 2019, pas një kallëzimi të Partisë Demokratike, e cila deklaronte se zyrtarë të lartë shtetërorë ishin përfshirë në procesin e vjedhjes dhe blerjes së votave, gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale për bashkinë e Dibrës.

Në disa përgjime të kësaj dosjeje, të publikuara kohët e fundit nga gazeta gjermane “Bild”, rezultonin biseda të funksionarëve të lartë shtetërorë me zyrtarë lokalë, për të siguruar vota në mënyrë anti-ligjore në favor të Partisë Socialiste.

Në përgjime gjendeshin bisedat e ministrit të Industrisë së asaj kohe, Damian Gjiknuri, kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja, ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri, deputetit Xhemal Qefalia dhe një mori zyrtarësh të tjerë policorë e lokalë.

Të gjithë këta zyrtarë janë subjekt i hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda, pas ndryshimeve proceduriale penale, në vijim të miratimit të Reformës në Drejtësi.

Por, duke shpallur “mos-kompetencën”, Prokuroria për Krime të Rënda, praktikisht, ka arritur në përfundimit se zyrtarët e lartë të përfshirë në dyshimet për shit-blerje votash, nuk kanë kryer vepër penale.

Me shpalljen e moskompetencës, Prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve për funksionarëve të lartë, duke u mjaftuar me hetimin e disa zyrtarëve të vegjël lokalë.

Ndërkohë, shpallja e mos-kompetencës dhe kalimi i saj në Prokurorinë e Dibrës, ka edhe një pasojë tjetër. Në krye të prokurorisë së qytetit veri-lindor është Esmeralda Keshi (Cami), një familjare e Arben Keshit, zyrtarit të Ministrisë së Brendshme, i cili ishte pika kryesore e kontaktit ndërmjet funksionarëve të lartë shtetërorë me administratën lokale për “menaxhimin” e votave.