Lustracioni dhe Vetingu

Nga Ilir Kalemaj

Shqipëria është një nga vendet e rralla të ish-Europës Lindore që tentoi me gjysëm-zemre dhe kurrë nuk implementoi purifikimin apo lustracionin i cili do bënte të mundur katharsisin shoqëror nëpërmjet prerjes umbilikale me regjimin totalitar. Kjo natyrisht do të lejonte një tranzicion më të shpejtë, një shoqëri më të shëndoshë dhe pa trauma, një shtet me instituticione më të forta dhe të pavarura dhe një veting qysh në krye të herës.

Në fakt, lustracioni është përshkruar si “një kushëri i vetingut” (Thoms, Ron dhe Paris 2008) ose një variacion rajonal i reformës së personelit, i cili e ka origjinën në Evropën Qendrore dhe Lindore (David 2011). Lustracioni nuk është një rast i vettingut. Në fakt, vettingu dhe lustracioni ndryshojnë në përcaktimin e faktorëve që sjellin implikime në punësimin publik. Qendrat e vetingut që vlerësojnë integritetin personal dhe kapacitetin, marrin parasysh një sërë faktorësh dhe sjelljesh që lidhen me të tashmen dhe të kaluarën, siç janë vlerësimet e punës në të shkuarën, shmangia e taksave, mungesa e besnikërisë, korrupsioni në të tashmen etj. Në të kundërt, kriteret qendrore të lustracionit përqendrohen vetëm në të kaluarën.

Ndërsa vettingu synon kryesisht të reformojnë situatën e personelit në shtet, lustracioni rregullon vetëm punësimin ose emërimin e personave që ishin të përfshirë në regjimin e kaluar në disa pozicione të përcaktuara në shtet. Lustracioni kërkon të vendosë shkëputjen e regjimit aktual me të kaluarën. Kjo nënvizon rolin kalimtar të lustracionit. Ndërsa vetingu është kryesisht një tipar operacional i demokracisë, megjithëse herë pas here aplikohet në mjedise kalimtare, lustracioni është ekskluzivisht një tipar i demokratizimit.

LEXO EDHE  Reforma zgjedhore/ Cilin sistem mbështet opozita? Flet aleati i Bashës

Në të vërtetë, lustracioni në kuptimin e tij origjinal është një term kryesisht policesk që nënkupton zbardhjen e arkivave të policisë sekrete të epokës komuniste. Ligjet e lustracionit janë ligje kalimtare të punësimit publik që, përveç metodave të tjera, përdorin procedura të lustracionit për të rregulluar mundësinë e përdorimit të anëtarëve të ish-aparatit shtypës në pozicionet publike në demokracinë e re (David 2011).

Shqipëria dështoi qysh në krye të herës të kalonte një ligj të veçantë për lustracionin, të pastronte administratën publike dhe të forconte institucionet, gjë që do të mundësonte një shtet të së drejtës funksional, një demokratizim të shpejtë dhe të suksesshëm brenda një tranzicioni me afat dhe ndarje dhe balancë pushtetesh që do të korrektonin në kohë dhe ekseset e sistemeve politike të dështuara në periudhën paskomuniste. Është ende në kohë për të kryer një veting në radhët e gjyqësorit që mos të jetë i infektuar nga të njëjtat plagë që e kanë shoqëruar në këto tre dekada si arbitrariteti, korrupsioni endemik dhe kapja nga ekzekutivi.

Gjithashtu veting në kuadër të dekrimininalizimit të organeve ligjvënënëse dhe ligjzbatuese në nivel qëndror dhe lokal, një Autoritet Qëndror për Anti-Korrupsionin, një luftë sistemike dhe e pandërprerë ndaj burimeve të paligjshme të financimit të krimit dhe pastrimit të produkteve financiare kriminale në ekonomi. Kjo kërkon padiskutim vullnet shtetëror që për momentin Shqipëria nuk e ka. Vetëm një qeveri që e kupton, e dëshiron, di ta bëjë dhe ka vullnet për ta kryer një proces të tillë, do të ishte ogur i mirë për një rifillim ndryshe.