Nga Boldnews.al
“Unë jam Edi Rama. Mos guxo të më kërcënosh djalin në telefon”! ishte teksti i një mesazhi që mbërriti në telefonin e ndërtuesit Petraq Koka, në orët e para të mëngjesit të datën 15 Dhjetor 2017.
Biznesmeni Koka, i cili kishte zhvilluar vetëm komunikim telefonik me një person që i ishte prezantuar si Greg Rama, priste prej këtij të fundit që të ndërhynte për t’i çliruar një leje ndërtimi, e bllokuar në Bashkinë e Tiranës.
Për këtë “ndërhyrje”, Petraq Koka kishte paguar rreth 225 mijë euro tek shtetasi Klodian Ciruna, i cili i ishte prezantuar si mik i kryeministrit Rama dhe djalit të tij, si edhe bashkëpunëtor i drejtuesve të lartë të Bashkisë së Tiranës së drejtuar nga Erion Veliaj.
Para komunikimit me “Edi Ramën”, ai kishte komunikuar në telefon me dikë tjetër, që i ishte prezantuar si Greg Rama. Pas komunikimeve të vazhdueshme me “Gregun”, biznesmeni kishte nisur t’i kërkonte llogari se përse po vonohej leja e ndërtimit, ndërkohë që paratë i kishte dhënë.
Pikërisht, në këtë kohë merr edhe mesazhin me tone kërcënuese nga “Edi Rama”. Biznesmeni Koka nisi të dyshojë se personat me të cilët kishte komunikuar në telefon nuk ishin ata që ai besonte, pra zyrtarët e lartë shtetërorë.
Ai bën një lëvizje të fundi-i dërgon kryeministrit Rama një mesazh në adresën e tij private [email protected] në të cilën e vë në dijeni se dikush po shkruan në emër të tij.
Më datë 27.05.2018, biznesmeni Koka ka marrë përgjigje nga portali zyrtar i Edi Ramës, me tekst: “Nuk kam idenë për çfarë bëhet fjalë dhe nuk kam asnjë lloj lidhje me asgjë që shkruan. Gjithë të mirat”!
Pas këtij komunikimi, ndërtuesi Koka bën një kallëzim penal për mashtrim ndaj Klodian Cirunit, ndaj të cilit dorëzuan kallëzim edhe dy biznesmenë të tjerë, Tomasso Schiavoni dhe Luan Duraj.
Ciruna, 9 vjet burgim
Klodian Ciruna, një mashtrues serial, është dënuar me 9 vjet burgim nga gjykata e Tiranës në fund të Qershorit 2019, pasi rezulton se ka mashtruar 3 biznesmenët, dy shqiptarët ndërtues dhe italiani, pronar i një dyqani peliçesh, në një vlerë totale rreth 500 mijë euro.
Ciruna u merrte përsipër biznesmenëve se do t’i ndihmonte me leje ndërtimi dhe për problem të tjera, duke u sjellë si mik i kryeministrit Edi Rama apo zyrtarëve të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës.
Në disa raste, ai ka komunikuar nëpërmjet telefonit me “viktimat” e tij, duke u paraqitur herë si kryeministri Rama, herë si djali i tij, Gregu dhe, në raste të ndryshme, edhe si drejtues të Bashkisë së kryeqytetit.
“Boldnews.al” ka siguruar vendimin e plotë të gjykatës së Tiranës, në të cilën është shpallur fajtor dhe është dënuar me 9 vite burgim Klodian Ciruna. Procesi ndaj tij është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe, për këtë arsye, dënimi përfundimtar është 6 vite.
Në vendimin e zbardhur gjenden të plota edhe mesazhet që Ciruna u dërgonte të mashtruarve. Detajet më të plota për këto komunikime jep ndërtuesi Petraq Koka.
Mesazhet e plota
Biznesmeni Koka kishte synuar të merrte një leje ndërtimi në Tiranë, që prej vitit 2003, por nuk ia kishte arritur, pasi prona konsiderohej si zonë e gjelbër.
Në vitin 2017, ai, nëpërmjet një biznesmeni tjetër, është njohur me shtetasin Klodian Ciruni. Ky i fundit është prezantuar si njeri i afërt me kryeministrin Edi Rama dhe mund ta ndihmonte me lejen e ndërtimit. Për “ndihmën”, biznesmeni duhet të paguante 180 mijë euro.
Pas disa komunikimeve e kontakteve, shuma është rritur në 225 mijë euro, të cilat ia ka dorëzuar, në çdo rast Cirunit.
Në vijim, është pjesë nga kallëzimi i biznesmenit Petraq Koka para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ku përmenden edhe emrat e zyrtarëve të lartë.
“…Pas dorëzimit të lekëve nga ana ime dhe pritjes për daljen e lejes së ndërtimit filluan mashtrimet nga ana e Klodian Cirunas. Pas disa muajsh nga mashtrimet e tij, diku nga fundi i muajit gusht dhe fillimi i muajt shtator 2017, unë kam ndërruar emrin e firmës, por jo NIPT-in.
Pas bisedave dhe dorëzimit të parave shtetasit Klodian Ciruna, kam filluar komunikimet me një numër telefoni, ku unë e kam shkruar “Bashkia” dhe numri është 0695399176, ku një person nga ky numër më është prezantuar si Joni Baboçi dhe një herë, po nga ky numër telefoni, më është prezantuar një shtetas si Genci Kojdheli, Drejtor i Bashkisë.
Unë kam dyshuar se ç’ne një numër telefoni me dy emra dhe më kanë thënë që ‘këtë numër e përdorim të dy’.
Nga ky numër telefoni, për ndyshimin e emrit të shoqërisë që unë bëra, më kanë kërkuar një shumë prej 30.000 Euro, duke më bërtitur se ‘pse e bëre këtë ndryshim pa na njoftuar neve, pasi ne kemi nisur dosjen për firmë për marrjen e lejes së ndërtimit dhe tani duhet të fillohen procedurat nga e para’.
Unë kam negociuar që këtë shumeëprej 30.000 Euro ta bënin 20.000 euro. Ma pranuan këtë shifër dhe unë kam shkuar tek zyra e shtetasit Klodian Ciruna dhe i kam dhënë shumën prej 20.000 Euro. Pas dorëzimit të kësaj shume, shpresova se u zgjidh dhe ky ngërç dhe jam larguar, duke pritur nga momenti në moment që unë të merrja lejen e ndërtimit.
Ndërkohë që unë lekët i kisha paguar, leja e ndërtimit po vonohej. Unë kam filluar sms me të gjithë numrat që unë disponoja dhe që më ishin prezantuar si personat që do të më zgjidhnin punë.
Hyn në lojë “Greg Rama”
Gjatë kësaj kohe, nga muaj tetor 2017, më ka ardhur një sms nga numri 0698473341, i cili më është prezantuar si Gregor Rama, djali i kryeministrit. Duke besuar se qenka dhe ky personazh në mes për punën e lejes time, kam krijuar një besim në vetvete, duke menduar se po mbaroj punë.
Nga personi me numrin 0698473341 kam marrë shumë premtime për rikostruksionin e Pallatit të Kongreseve, Rrugën e Qeparoit, por duhej që unë të bëja ndonjë pagesë tjetër.
Nga premtimet që më kanë bërë, nga 15.12.2017 deri në muajin shkurt të vitit 2018 mua më ka marrë shtetasi Klodian Ciruna shumën prej 25.500 Euro dhe në total, nga ana e shtetasit Klodian Ciruna, mua më janë marrë 225.500 Euro.
Duke parë se unë po merrja vetem mashtrime nga ana e shtetasit Klodian Ciruna dhe nga personi Gregor Rama, i cili më ka dalë me numër telefoni 0698473341, une kam filluar t’i ngacmoj dhe duke iu kërkuar paratë e mia. U kam thënë se nuk dua më leje ndërtimi, por më ktheni lekët pas.
Ndërhyn “Edi Rama”
Në muajin Dhjetor, diku rreth datës 15 të vitit 2017, po nga numri i telefonit 0698473341, më ka ardhur një sms herët në mëngjes, me tekst me fjalë fyese dhe ofenduese; ‘Pse më kërcënon djalin etj, unë jam Edi Rama nga ky numër’.
Nga janari 2018 është ndërruar numri 0698473341 që prezantohej si Edi Rama. Nga një numër tjetër, 0699100322, kam marrë sms të tjera nën emrin e kryeministrit Edi Rama.
Më datë 26.05.2018, në adresën [email protected], unë kam dërguar një e-mail me tekst; “Z.Edi Rama, Përshëndetje! Ndjesë për bezdinë. Më duket kam rënë pre e një mashtrimi, nëpërmjet Klodian Cirunës nga Vunoi. Dikush më shkruan me numër telefoni 0699100322, më thotë që jam Edi Rama. Kam përshtypje që dikush, i vënë nga Ciruna, po abuzon me emrin tuaj. Mund të ma vlerësoni vuajtjen, për hatër dhe të një bashkëpunimi të suksesshëm që kemi patur në Bashkinë Tiranë, pas ndonjë keqkuptimi që prodhoi më mbas. Të uroj tur të mbarë në zonën e Beratit. Petraq Koka”.
Më datë 27.05.2018 më është kthyer përgjigje nga portali zyrtar i Kryeministrit Edi Rama, me tekst: “Nuk e kam idenë për çfarë bëhet fjalë dhe nuk kam asnjë lloj lidhje me asgjë që shkruan. Gjithë të mirat”!
Dyshimi im qëndron se, pas marrjes së këtij e-maili nga z.Kryeministër, unë nuk kam asnjë lloj sms apo shkëmbim me numrat që më janë prezantuar si z.Kryeministër.
Duke qenë se jam ndjerë i mashtruar nga Klodian Ciruna, une kam vajtur në Bashkinë e Tiranës dhe kam marrë kontakt me z.Ditjon Baboçi, me detyrë Drejtor i Urbanistikës në Bashkinë Tiranë, si edhe me Arbian Mazniku, nënkryetar i Bashkisë Tiranë.
U kam treguar të gjithë historinë time dhe më kanë kërkuar që unë të bëj denoncim për mashtrim ndaj shtetasit Klodian Ciruna, pasi këto shtetas nuk kanë lidhje dhe nuk e njihnin fare shtetasin Klodian Ciruna”.