Një sherr banal duket se është motivi i plagosjes së Mariglen Hoxhës dy vite më parë në zonën e “Komunës së Parisit”.
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 4 vite burg Dejvis Rustemajn, i cili së bashku me tre persona të tjerë në një kryqëzim te Komuna e Parisit janë konfliktuar me shtetasin Mariglen Hoxha, duke dalë nga makina në momentin që semafori ishte i kuq.
Pas konfliktit, Rustemaj ka përdorur edhe armën e zjarrit duke plagosur Hoxhën, makina e të cilit largohet me shpejtësi duke u futur me të kuqe. Gjatë gjykimit, të rinjtë kanë mohuar se ngjarja ka qenë e menduar, duke thënë për hetuesit se gjithçka ka nisur pas një shenjë që Mariglen Hoxha i kishte bërë nga makina, shenjë të cilën Rustemaj dhe shokët e tij e kishin përkthyer si “do të rrah”.
Ndërkohë, si shkak për ngjarjen e 3 gushtit 2017, të dyja palët pranojnë se është agravim i një sherri që vëllai i Hoxhës kishte pasur disa ditë para ngjarjes me personat e tjerë në sheshin “Nënë Tereza”. Kujtojmë se ngjarja në atë kohë bëri bujë për shkak të orarit dhe vendit ku ndodhi. Shumë qytetarë e panë përplasjen e të rinjve, ndërsa një nga provat e Prokurorisë është edhe një video e siguruar nga një qytetar, i cili ishte pas makinave të qëndruara paralel në semafor.
QYTETARI
Në lidhje me ngjarjen, para hetuesve ka dhënë dëshminë e tij qytetari B. M., i cili ka dorëzuar edhe pamjet e videos së bërë nga kamera në makinën e tij, nga ku është fiksuar targa makinës ku ndodhej Rustemaj dhe shokët e tij.
“Më datë 03.08.2017 rreth orës 19:30, ai ka dalë nga banesa e tij në lagjen “Ali Demi”, së bashku me bashkëshorten, me automjetin e tyre të markës “Mercedes Benz” me targe BOM 8888 dhe kanë qenë duke shkuar në një restorant meksikan, që ndodhet te Komuna e Parisit. Në orën 19:50, ai ka qenë me automjet te semafori i Komunës së Parisit, ka parë një automjet të markës BMW X5, me ngjyrë të zezë, me targe AA 055 MO, i cili ka ndaluar në krah të djathtë të një automjeti të markës “Mercedes Benz”, ngjyra e bardhë.
Nga mjeti BMW kanë zbritur disa djem dhe njëri prej tyre ka qëlluar me pistoletë në drejtim të pasagjerit të Benzit. Në këtë moment, Benzi i bardhë është larguar me shpejtësi, ndërsa personat që kanë zbritur nga mjeti BMW janë larguar me shpejtësi në drejtim të lulishtes ‘1 Maji’”, shkruhet në vendim.
TË HETUARIT
Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria ka hetuar dhe marrë të pandehur 5 persona të tjerë të akuzuar për “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”. Konkretisht, Geri Aliaj alias Ilger Qose, Klajdi Kodra dhe Ardit Xhaferri për “Moskallëzim krimi” dhe Anxhelino Cervenaku e Bedri Noka për përkrahje.
Të gjithë këta persona janë gjetur fajtor nga Gjykata e Tiranës për akuzat e ngritura nga Prokuroria. Pas ngjarjes, nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se Dejvis Rustemaj, është larguar nga qyteti i Tiranës, i ndihmuar nga i pandehuri Angjelino Cervenaku./Panorama/