Ka dështuar seanca gjyqësore në ngarkim të ish-drejtorit të ALUIZNI-t Tiranë, Ferdinand Shehu, të cilit iu bllokuan 1.5 milionë euro në llogari bankare dy javë më parë.
Në këtë seancë, Shehu kërkonte rikthimin e pasurisë. Seanca e sotme, ka dështuar për shkak të mosparaqitjes së prokurorit që ka në dorë këtë çështje.
Burime për Dosja.al bëjnë me dije se në seancën e sotme në Gjykatë, Shehu është shprehur se kërkon rikthimin e parave të bllokuara, pasi sipas tij, këto nuk janë para të pista, por para të fituara nga shitja e hotelit të tij.
“Sekuestrimi i parave të mia është i paligjshëm. Paratë e mia, janë të fituara me djersë. Dua paratë e mia mbrapsht”, është shprehur Shehu.
Më 1 gusht 2019, Policia e Shtetit njoftoi se kishte arrestuar ish-drejtorin e ALUIZNI-t gjatë kohës që qeveriste PD, e nuk vonoi edhe pak që ai vetë të mohonte arrestimin.
Shehu ka shërbyer për gati 6 vite si drejtori i ALUIZNI-t për Tiranën. Ai u shkarkua nga Shaban Memia, ish-kreu i ALUZNI-t për shkak të fshehjes së të kaluarës së tij komuniste, ku kishte qenë për 4 vite hetues. Në versionin e tij fillestar, Shehu thoshte se paratë i kishte fituar nga shitja e hotelit.