Nga Boldnews.al
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ndau përkohësisht “rrugët politike” me kandidatin e tij për në Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri, pasi Partia Demokratike në opozitë publikoi dokumente zyrtare italiane, të cilat dëshmojnë se ai është dënuar në vitin 2003 për shpërndarje dhe trafik narkotikësh.
Pas Ramës, mediat pro-qeveritare po flasin gjithnjë e më shumë për mundësinë e zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Shkodrës, duke e konsideruar si të kryer faktin që Pjetri nuk do të jetë në krye të qytetit verior, të paktën deri sa të sqarohet ligjërisht situata e tij.
Por, rasti “Valdrin Pjetri” mund të hap edhe një rebus ligjor e politik, nëse ai vendos që, pas pak ditësh, në 19 Gusht 2019, ditë kur përfundon mandati i Voltana Ademit, të kërkojë që të marrë zyrën e kryetarit të Bashkisë.
Ky rebus politiko-ligjor ka dy opsione.
Opsioni 1
I pari dhe më i thjeshti, për aq sa mund të quhet “i thjeshtë”, është dorëheqja vullnetare e Valdrin Pjetrit nga mandati i fituar në votimet mono-partiake të 30 Qershorit. Në një situatë normale, Presidenti Ilir Meta, në rast dorëheqjeje të Pjetrit, duhet të caktonte një datë të re për votimet brenda 45 ditëve.
Por, Meta nga ana e tij i konsideron nul votimet e 30 Qershorit. Ai shfuqizoi datën e zgjedhjeve, në përpjekje për t’u dhënë mundësi palëve politike që të gjenin një marrëveshje, pas muajve të tëra konfliktualiteti.
Meta dekretoi datën 13 Tetor si ditën e zgjedhjeve lokale. Ndaj, një dorëheqje e mundshme e Valdrin Pjetrit nga mandati i fituar në 30 Qershor, me shumë mundësi, nuk do të ndikojë tek Presidenti për të dekretuar zgjedhje të parakohshme në Shkodër.
Zgjedhjet, sipas Metës, janë në 13 Tetor dhe çdo rezultat i dalë nga procesi i votimit të 30 Qershorit, përfshirë edhe “fitorja” e Valdrin Pjetrit, nuk ekzistojnë (janë absolutisht të pavlefshme, nul).
Pra, dorëheqja e Pjetrit nuk sjell asnjë të re në dekretet e Metës. Bashkia e Shkodrës, në vlerësimin e kreut të Shtetit, duhet të shkojë në zgjedhje lokale në 13 Tetor, si çdo njësi tjetër e pushtetit vendor.
Por, “13 Tetori” nuk njihet nga Partia Socialiste në maxhorancë, për të cilën zgjedhjet lokale janë zhvilluar në 30 Qershor dhe ajo ka fituar 60 nga 61 bashkitë. Pra, me shumë mundësi, Partia Socialiste do të presë një dekret të Metës për “zgjedhje të parakohshme” vetëm në Shkodër, në rast dorëheqjeje të Valdrin Pjetrit.
Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e njeh dekretin e Metës për 13 Tetorin. Institucioni menaxhues i zgjedhjeve refuzoi regjistrimin e disa partive opozitare (LSI, PAA dhe PR) në limitin e fundit kohor, në 4 gusht 2019. Pra, edhe për KQZ-në nuk ka zgjedhje në 13 Tetor.
Në konkluzion të opisionit të parë, dorëheqja e Valdrin Pjetrit nuk sjell asnjë zgjidhje, të paktën nëse palët vijojnë të mbajnë të njëjtat qëndrime deri më tani.
Opsioni 2
Opsioni i dytë është edhe më i ndërlikuar. Valdrin Pjetri vendos të marrë mandatin e kryebashkiakut të Shkodrës në 19 Gusht. Ndaj tij ka akuza publike për shkelje të ligjit të “Dekriminalizimit” dhe falsifikim formularësh, për shkak se nuk ka deklaruar dënimin e tij për shpërndarje dhe trafik narkotikësh në vitin 2003, në Firence të Italisë.
Por, në fazën aktuale, akuzat janë vetëm publike dhe shërbejnë si indicje për Prokurorinë e Përgjithshme që të zhvillojë verifikimet e thelluara mbi rastin e tij.
Në verifikimet e nisura, të paktën sipas deklarimeve publike, Prokuroria do të duhet të komunikojë dhe të presë materialet zyrtare nga autoritetet italiane, para se të dalë në një vendim ndalimi ose jo për Valdrin Pjetrin.
Ky proces verifikimi mund të kërkojë një afat që shkon përtej datën 19 Gusht 2019. Pikërisht, në këtë datë, Valdrin Pjetri, i bindur në “pafajësinë” e tij, mund të zgjedhë që të marrë mandatin e kryebashkiakut.
Por, në këtë moment, hyn në lojë “faktori politik”. Ligji për “Organizimin e qeverisjes vendore” parashikon se “ushtrimi i mandatit të kryetarit në Bashkisë fillon në çastin kur bën betimin..”. Ky akt solemn bëhet para Këshillit Bashkiak.
Në rastin e Shkodrës, Këshilli Bashkiak i dalë nga votimet e 30 Qershorit, është i gjithi një-ngjyrës-socialist.
Pra, Valdrin Pjetri duhet të presë mbledhjen e Këshillit Bashkiak, i cili nga ana e tij duhet të presë “lejen” e Edi Ramës për t’u organizuar.
Për sa kohë nuk ka një vendim zyrtar për ndalimin ose jo të Valdrin Pjetrit, linja drejtuese e Partisë Socialiste duhet të gjejë një justifikim të fortë për të penguar mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Ligji për “Qeverisjen Vendore” parashikon se Këshilli Bashkiak duhet të mblidhet brenda 20 ditëve nga shpallja e rezultateve prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mbledhja e parë thirret nga sekretari i tij ose nga Prefekti.
Ky afat 20 ditor për Bashkinë e Shkodrës, përfundon në 19 Gusht. Në rast se asnjë nga subjektet e ngarkuar nga ligji nuk thërret mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak, atëherë këshilli mblidhet vetë brenda 10 ditëve.
Nëse në mbledhjen e thirrur vetë, nuk marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve, ajo shtyhet për tre ditë deri në 3 herë, pra, gjithësej 9 ditë.
Ky zgjatje afati ligjor (10 ditë për sekretarin e këshillit bashkiak apo prefektit pas 19 Gushtit, si edhe maksimumi 9 ditë për mbledhjen e këshillit nga anëtarët e tij, në total 19 ditë), mund t’i japë kohë Edi Ramës dhe Partisë Socialiste për të pritur rezultatet e mundshme të verifikimit nga Prokuroria e Përgjithshme për Valdrin Pjetrin.
Në përfundim të këtij afati ligjor, i cili ka si limit 7 Shtatorin, nëse Prokuroria e Përgjithshme nuk ka dalë me një vendim zyrtar për Pjetrin, atëherë Edi Rama duhet të pranojë që Shkodra do të vijojë të ketë Voltana Ademin në krye të bashkisë, deri sa të gjendet një zgjidhje politike për zgjedhjet lokale.