Qeveria prej disa javësh ka nisur kontrollet ndaj bizneseve në kuadër të një skeme kundër informalitetit.
Disa biznese janë bllokuar dhe gjobitur, të tjera janë paralajmëruar, ndërkohë që hera herës, kryeministri Edi Rama nuk ka nguruar të shfaqë entuziazmin mbi ecurinë e aksionit të Tatimeve, të mbështetur edhe nga Policia e Shtetit.
Por në rrjetet sociale janë ngritur dyshime të forta mbi operacionin, duke hedhur akuza se jo të gjitha subjektet trajtohen njëlloj.
ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, e ka cilësuar si një larje hesapesh të bizneseve me duart e shtetit atë që po ndodh.
Ndërkohë sot, mediat janë njoftuar mbi aksionin e rradhës. Çuditërisht në njoftim, disa orë para se të nisë inspektimi, është bërë e ditur ora, vendi dhe subjekti që do të kontrollohet.
Ndoshta një lapsus, por që në fakt shton dyshimet mbi ata që janë shprehur jo shumë optimist apo kanë kontestuar formën e zgjedhur nga qeveria për të luftuar informalitetin.
“Sot, në orën 11:30, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, do të zhvillojnë një inspektim në subjektin “Candy”, i cili ndodhet pranë Bar- Restorant Piazza (pas Muzeut Historik Kombëtar). Ftojmë mediat e interesuara të ndjekin këtë aktivitet”, thuhet në njoftimin e shpërndarë.