Ka qenë një telefonatë që ka nxjerrë nga shtëpia Nikola Ikonomin, natën që u vra me shtatë plumba në Selenicë. 47- vjeçari, për shkak të së kaluarës së tij, kishte ndryshuar dy herë emrin.
Fillimisht, ai e ka pasur emrin Laver Tozaj, ndërsa gjatë hetimeve për trafikim droge për në Greqi, ai shfaqet me emrin Xhafer Zotaj. Ndërkohë, pas dënimit me 6 vite e 8 muaj burg, 47-vjeçari ka ndryshuar emrin dhe mbiemrin për të fshehur të kaluarën.
Të paktën 15 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje lidhje me vrasjen e Tozajt, ndërkohë që tri automjete të forcave RENEA kanë kryer kontrolle të shumta në zonë për gjetjen e autorit të krimit.
Nga hetimet dhe autopsia është konfirmuar se 47-vjeçari është qëlluar plot shtatë herë me pistoletë. Vrasja e tij është kryer nga një distancë e afërt dhe nga të shtënat ka marrë dy plumba në kokë dhe pesë të tjerë në pjesën e sipërme të trupit.
Familjarët e viktimës, të tronditur nga ngjarja, nuk kanë pranuar që të flasin për mediat, ndërsa dyert e shtëpisë qëndronin të hapura për të afërmit për të shprehur ngushëllimet. Ndërsa banorët e zonës shprehen se viktima nuk njihej si person problematik, por pa dhënë më shumë detaje se me çfarë merrej 47-vjeçari apo nëse e dinin të kaluarën e tij.
Pista kryesore, në të cilën po hetohet për vrasjen e Nikola Ikonomit, lidhet me prishjen e pazareve. 47- vjeçari dyshohet se ka vijuar të merret me trafikimin e lëndës narkotike edhe pas kryerjes së dënimit.
Nga grupi hetimor mësohet se autori e ka telefonuar 47- vjeçarin për t’u takuar dhe më pas e ka qëlluar shtatë herë nga një distancë e afërt. Rruga ku edhe ka ndodhur atentati është krejtësisht pa ndriçim dhe kamera sigurie, çka vështirëson hetimet për identifikimin e autorit të ngjarjes së rëndë. Gjithsesi, nga burime të Policisë së Vlorës mësohet se pista kryesore mbetet ajo e prishjes së ndonjë pazari droge.
Mësohet se edhe emrin në gjendje civile e kishte ndërruar, pikërisht për shkak të kaluarës së tij. Pavarësisht se kishte ndërruar emrin në Nikola Ikonomi, në fshat 47- vjeçari njihej pikërisht me emrin Laver Tozaj.
Nga ana tjetër, Policia nuk përjashton as ndonjë pistë tjetër, për ndonjë ngjarje që mund të ketë ndodhur kohët e fundit. Deri tani, hetuesit nuk kanë ende një emër konkret si të dyshuar për vrasjen e Tozajt, përveç disa të shoqëruarve që janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë.
PANORAMA