Tenderat/ “ANK” e Milot-Balldren, 60 miliardë lekë para publike në 4 vitet e fundit

Nga Boldnews.al

Kompania “ANK” duhet të presë edhe disa kohë për të marrë statusin e “koncensionarit” për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, një projekt me shifra shumë të fryra, 15 milionë euro për kilometër, në një total prej 255 milionë euro për 17 kilometra në terren fushor.

Presidenti Ilir Meta refuzoi të nënshkruante në mesin e kësaj jave kontratën koncensionare ndërmjet Ministrisë së Transporteve dhe “ANK”, e miratuar në Korrik të këtij viti nga shumica e Edi Ramës në Parlament.

Meta konstatoi një seri shkeljesh në procedurat e ndjekura për miratimin e këtij koncensioni. Por, gjithësesi, shumica e majtë pritet që të miratojë sërish të njëjtën kontratë në një votim të dytë, i cili përjashton ri-kontrollin presidencial të ligjit.

Koncensioni me vlerë 255 milionë euro, nga të cilat 213 milionë euro vlera e projektit dhe pjesa tjetër TVSH, ishte goditja më e madhe financiare që pritet të realizojë kompania “ANK”, e themeluar nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ndue Kola dhe që aktualisht drejtohet nga vëllai i tij, Agim Kola.

Gjithësesi, edhe gjatë 4 viteve të fundit, “ANK” rezulton të ketë arkëtuar shuma të mëdha parash nga tenderat e institucioneve publike.

Në bazë të të dhënave të publikuara në portalin “spendingdata.al” rezulton se, për periudhën 2015-2019, kompania “ANK” ka realizuar transaksione me agjencitë shtetërore në një total prej rreth 60 miliarë lekë të vjetra (rreth 40 milionë euro).

LEXO EDHE  Vajza e biznesmenit spanjoll tregon dinamikën e incidentit: Për dy peshq, Mihal Kokëdhima na…

Kompania e ndërtimit “ANK”, e emërtuar në bazë të inicialeve të themeluesve të saj “Agim dhe Ndue Kola”, rezulton se ka fituar tendera në institucione të ndryshme, ku më kryesorët rezultojnë të jenë Autoriteti Rrugor Shqiptar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve. Nuk mbetet pas edhe Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj.

“Boldnews.al” ka konsultuar të dhënat e “spendingdata.al” për transaksionet e thesarit që janë kryer në 4 vitet e fundit nga disa institucione shtetërore drejt “ANK”.

Në bazë të këtij informacioni, rezulton se “ANK” ka në total 36 transaksione me Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) për 2015-2019, në vlerë totale prej 23 miliard lekë të vjetra.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në 4 vitet e fundit, ka arkëtuar për llogarinë e kompanisë “ANK” 15 miliardë lekë të vjetra, nëpërmjet 20 transaksioneve financiare.

Një shifër të ngjashme është arkëtuar për llogari të “ANK” edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizime. Ky institucion, në 4 vitet e fundit, ka kryer me kompaninë “ANK” 23 pagesa, me vlerë totale 15.5 miliarë lekë të vjetra.

Bashkia e Tiranës është disi larg këtyre shifrave, por gjithësesi, “ANK” është shpallur fituese në tenderat e zhvilluara prej administratës së Erion Veliajt, në vlerë afërsisht 4 miliardë lekë të vjetra.

“Afera” Milot-Balldren, Rama, 15 mln euro për Km vëllait të ish-deputetit Ndue Kola