Nga Boldnews.al
Tenderi i dyshimtë, me vlerë 15 milionë euro, për monitorimin on-line të faturave tatimore, i fituar nga “Jehona” shpk nën administrimin e një biznesmeni kontrovers kroat, Hrvoje Čabrajić, ka ngritur pikëpyetje të shumta që lidhen me raportet “off-records” të kryeministrit Edi Rama, ish-kreut të qeverisë kroate, Zoran Milanovic dhe rolin “hije” që mund të ketë pasur në këtë histori ish-ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin.
Kryeministri Edi Rama nuk ka pohuar (por as nuk ka mohuar) se ka marrë shërbime konsulence nga kompania “Euro-Alba Advisory” e ish-homologut të tij kroat, Zoran Milanovic, i cili po investohet në aktivitet privat pas largimit nga jeta politike, në vitin 2016.
Media kroate ka raportuar më shumë se një herë që “Euro-Alba” e Milanovicit ka këshilluar, gjatë vitit 2017, zyrën e Edi Ramës, për çështjet e integrimit në Bashkimin Europian. Por ky raportim nuk është pranuar, të paktën publikisht, nga asnjëra prej palëve.
Këshilla falas për Edi Ramën?
Gjatë një konferencë për media të zhvilluar me Komisionerin e Zgjerimit të Bashkimit Europian, Johannes Hahn në Tiranë, në Nëntor 2017, Edi Rama hodhi më shumë tymnajë se sa dha sqarime mbi raportet me “këshilltarin” Zoran Milanovic.
I pyetur nga gazetarët kroatë nëse ai po merrte shërbime nga zyra e konsulencës së Milanoviç, Rama u shpreh: “Kroacia është një vend i shkëlqyeshëm që është një shembull në rajon. Zoran (Milanoviç) është një mik i shkëlqyeshëm dhe këshillat e tij janë gjithmonë të mirëseardhura. Dua të them që ai është aq i mirë me mua dhe se këshillat e tij janë të dobishme”.
Nga ana tjetër, “Euro-Alba” nuk ka preferuar të konfirmojë ose jo se cilët janë klientët e zyrës së saj. Nikolla Jeliç, zëdhënësi i kompanisë së Zoran Milanovic, është fshehur pas konfidencialitetit në një prononcim për median kroate.
Në një prononcim para disa javësh (05.07.2019), zëdhënësi Jeliç tha se “Për shkak të marrëveshjes së konfidencialitetit, ose detyrimit për të marrë lejen e palës tjetër për zbulimin e informacionit konfidencial, Milanoviç nuk mund të tregojë emrat e kompanive dhe personat që ai ka këshilluar”.
Media kroate ka publikuar gjithashtu të dhënat e deklaruara nga “Euro-Alba Advisory” e Zoran Milanoviç për vitin 2017. Sipas informacioneve nga Tatimet Kroate, rezulton se të ardhurat vjetore të huaja për zyrën e konsulencës ishin 70 mijë Kuna Kroate (rreth 9500 euro/vit).
Pasi publikoi këto shifra, gazeta “jutarni.hr” ngriti dyshimin; “Nëse Euro-Alba do të kishte punuar për Edi Ramën, atëherë të ardhurat e huaja të biznesit të tij për vitin 2017 do të ishin shumë më të larta se 70 mijë Kuna”.
Historia mbështillet me pikëpyetje të tjera. Edi Rama nuk ka pranuar hapur që ka marrë shërbimet e “Euro-Alba Advisory”. Zyra e konsulencës nga ana e saj nuk jep të dhëna, duke u mbuluar pas konfidencialitetit. Ndërkohë, të dhënat zyrtare nuk flasin për pagesa që Edi Rama ose kushdo tjetër në emër të tij, të ketë bërë për zyrën e Zoran Milanovic.
Të jetë e vërtetë ajo që thotë kryeministri shqiptar se “këshillat e Zoran-it janë miqësore”, gjë e cila të krijon premisën se janë falas?
Ndoshta. Por shërbimet falas nuk janë në stilin e Zoran Milanovic. Gjithnjë referuar medias kroate, qëllimi që Zoran Milanovic krijoi zyrën e konsulencës ishte që “më në fund të fitonte para seriozisht”.
Dhe paratë nuk bëhen duke ofruar shërbime falas, madje as Edi Ramës, i cili preferon ta konsiderojë “mik” Zoran Milanovicin.
Cili është “shpërblimi”?
Emri i Zoran Milanovic, megjithëse në mënyrë indirekte, u përfol sërish së fundmi në median shqiptare. Vëllai i tij, Kresimir Milanovic njihet si një nga bashkëpunëtorët më të afërt, madje edhe si “kumbar” i bizneseve të Hrvoje Čabrajić, pronar i “Primus Adriatic”.
“Boldnews.al” ka raportuar më parë rastet e dy ish-zyrtarëve të lartë, të cilët deklarojnë se janë kërcënuar dhe shantazhuar në vitet sapo në rrugën e tyre janë përballur me emrin e biznesmenit Čabrajić.
Ish-zyrtarja e lartë e Tatimeve në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, thotë se, në vitin 2015, është njoftuar se ndaj saj ka kërcënime me jetë, pasi zbuloi përfshirjen e kompanisë së Hrvoje Čabrajić, “Pismohrana”, në një skemë mashtrimi financiare multi-milionë euro.
Edhe ish-drejtoresha e Arkivave Kroate, Vlatka Lemić, thotë se, në vitin 2014, është kërcënuar nga Hrvoje Čabrajić, kur ajo vendosi të prishte kontratën e mirëmbajtjes elektronike të arkivave me një tjetër kompani të tij, “Avicerna Software”.
Të dyja ish-zyrtaret kanë të njëjtin mendim se nga i vinte ky pushtet biznesmenit Hrvoje Čabrajić- lidhja e tij me Kresimir Milanovic, vëllai i kryeministrit të asaj kohe, Zoran Milanovic.
Tashmë, emri i Hrvoje Čabrajić shfaqet në terrenin shqiptar. Kompania e tij, “Primus”, është pronare e 100% të aksioneve të shoqërisë me seli në Shqipëri “Jehona Software”, e cila, në konsorcium me kompaninë tjetër kroate, “Neos” dhe atë shqiptare “DATECH”, fitoi tenderin 15 milionë euro të zhvilluar në Shtator 2018 nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për monitorimin on-line të faturave tatimore.
Tenderi “15 mln euro” është i mbuluar me dyshime të shumta. Primus është krijuar në Qershor 2018 në Zagreb. Sipas të dhënave zyrtare, ajo është një “shoqëri e vogël”. Në Shtator 2017, kur “Jehona” ishte pjesë e tenderit të AKSHI-it, administratori Klodian Zyberi nënshkruan një kontratë paraprake për shitjen e 100% të aksioneve tek “Primus Adriatic”.
Në Tetor të atij viti, kompania shqiptare “Jehona”, e cila vijonte formalisht të administrohej nga Klodian Zyberi, ishte pjesë e konsorciumit që fitoi tenderin e zhvilluar nga AKSHI.
Në tender ishte pjesëmarrëse edhe kompania “B360” e Armand Frangut, baxhanaku i Edi Ramës. Por prania e “B360” në tenderin 15 milionë euro duket se ishte fiktive, pasi ajo nuk paraqiti asnjë ofertë dhe automatikisht u shpall humbëse.
Në Dhjetor 2018, pra vetëm 3 muaj pasi “Jehona” kishte fituar tenderin gjigand, realizohet edhe transferimi i kuotave të kapitalit të “Jehona” nga Klodian Zyberi tek “Primus Adriatic” e Hrvoje Čabrajić.
Kontrata mes tyre, e publikuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, është nënshkruar në 27 Dhjetor 2018, nuk përmend shifrën e shitjes së aksioneve.
Tashmë, qeveria shqiptare, nëpërmjet medias së kontrolluar prej saj, ka nisur një fushatë propagandistike për anët pozitive të një sistemi elektronik të ri të faturimit on-line, duke paralajmëruar vënien në punë të kompanisë së Hrvoje Čabrajić.