Nga Boldnews.al
Presidenti Ilir Meta ka vendosur të rikthejë për shqyrtimin ligjin për “Koncensionet dhe PPP”, por gjithësesi ky vendim nuk arrin të pengojë atë që kreu i shtetit e konsideron si “një veprimtari tinzare të deputetëve të Kuvendit, të cilët mbrojnë dhe promovojnë dhënien me koncesion të pasurisë publike të shqiptarëve pa asnjë kufizim”.
Meta ka publikuar paraditen e së Mërkurës argumentat se përse ai ka vendosur të rikthejë në Kuvend projektin e shumë-debatuar për disa ndryshime në ligjin për Partneritetin Publik Privat.
Presidenti, në përgjithësi e vlerëson vullnetin e maxhorancës për të ndërprerë procedurat e dyshimta të “miratimit të propozimeve të pakërkuara” për projektet e Partneritetit Publik Privat, për ndërtimin e rrugëve.
Por, Meta, shprehet se ka konstatuar që ky vullnet i maxhorancës ka një hile brenda. Projekt-ligji, deri në shqyrtimin e fundit të tij në Komisionet Parlamentare, kishte të parashikuar që të ndalohej prej 1 Korrikut 2019 pranimi i propozimeve të pakërkuara për PPP.
Vetëm disa orë para se projekt-ligji të shkonte në seancën plenare për votim, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, sot kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, kërkoi një ndryshim të fundit-afati i mos-pranimit të ofertave të pakërkuara të shtyhej nga 1 Korriku, në 1 Tetor 2019.
Pikërisht, për këtë ndërhyrje “in extremis” të Arben Ahmetajt dhe të miratuar nga Kuvendi, Presidenti Ilir Meta konstaton se “Parlamenti, në kundërshtim me interesin publik, krijon një mundësi të re që çdo kërkese për koncesion, që paraqitet deri në 1 tetor 2019, të shqyrtohet dhe të pranohet nga qeveria shqiptare, pa asnjë kufizim sërish me ligjin e vjetër”.
Ndaj, sipas Metës, Kuvendi duhet të rishqyrtojë ligjin dhe të rikthejë sërish ndalimin për pranimin e ofertave të pakërkuara për PPP në datën 1 Korrik 2019, sipas parashikimeve të neneve 17 dhe 18 të projekt-ligjit “Për disa ndryshime në ligjin për Koncensionet dhe PPP”, i cili u miratua në mesin e muajit Korrik.
Por, megjithë këtë ndërhyrje të tijën, Presidenti Ilir Meta nuk ia ka dalë që të pengojë vijimin e projekteve PPP edhe në këto ditë.
Me rikthimin e ligjit në Parlament, Presidenti, “de facto” ka lënë në fuqi ligjin e vjetër, i cili nuk ka pasur kufizime për propozimet e pakërkuara për projektet Partneritet Publik Privat.
Rregullorja e Parlamentit, në nenin 86 të saj, parashikon se “Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht. Dekreti i Presidentit për rishqyrtim ligji futet automatikisht në programin e punës së Kuvendit”.
Por, aktualisht Parlamenti është në periudhën e pushimeve vjetore dhe shqyrtimi i dekretit të Presidentit do të shqyrtohet me fillimin e sesionit të vjeshtës, i cili, sipas nenit 74 të Kushtetutës, nis në javën e parë të Shtatorit.
Vijojmë me një llogari të thjeshtë; Kushtetuta, në nenin 85/1, parashikon që Presidenti mund të kthejë ligjin vetëm një herë. Pra, që prej së Mërkurës së kësaj jave, Meta nuk mund të angazhohet më me këtë ligj.
Procedura vijuese i takon vetëm Parlamentit.
Kuvendi duhet të votojë dekretin e Presidentit në seancën e parë plenare të sesionit të Vjeshtës, pra në 5 Shtator 2019. Ligji i miratuar hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletore Zyrtare. Praktikisht, ligji hyn në fuqi minimumi në 20 Shtator, pra, një datë shumë e afërt me 1 Tetorin që propozoi Arben Ahmetaj.
Në këtë mënyrë, Presidenti Meta nuk arriti të shmangë “veprimtarinë tinzare” të maxhorancës parlamentare.
Pra, pavarësisht përplasjes së radhës me maxhorancën e Edi Ramës, kreu i Shtetit nuk arrin të bllokojë atë pjesë të ligjit, për të cilin vlerëson se “krijon, jo vetëm rrezik për cënim të interesit publik, por edhe pabarazi në trajtimin e subjekteve private në kundërshtim me parimet kushtetuese”.
Deri në miratimin e ligjit të rikthyer, do të vijojë të jetë në fuqi ligji i vjetër i PPP, ai i cili, për Metën krijon kushtet që “çdo subjekt që është sado afër me qeverinë e di fare mirë se mund të fitojë dhe të marrë me koncesion” pa ndalesë.