Nga Boldnews.al
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) i ka dhënë fund verifikimit të aplikimeve për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, proces në përfundim të të cilit kualifikoi 4 nga 5 kandidaturat e nevojshme sipas përcaktimeve Kushtetuese.
Në mbledhjen e kësaj të Marte, KED ka vendosur lejimin e kandidimit të juristes Marsida Xhaferllari për të vijuar garën për Kryeinspektorin e Drejtësisë. Edhe pas këtij vendimi, KED pritet të rihapë garën për pozicionin e drejtuesit të strukturës përgjegjëse për inspektimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Kushtetuta, në nenin 147/d, parashikon që “Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet nga lista e pesë kandidatëve të përzgjedhur dhe renditur mbi bazën e meritave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi…”.
Në përfundim të një procesi verifikimi dy-mujor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u dha vetëm 4 kandidatëve “dritën jeshile” për të vijuar garën për Kryeinspektor të Drejtësisë.
Në prill 2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mbylli procedurën e pranimit të aplikimeve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Për këtë pozicion aplikuan 13 kandidatë.
Nga totali, 3 prej tyre dhanë dorëheqjen para se të niste procesi i verifikimit nga ana e KED. Konkretisht, dhanë dorëheqjen nga gara Genci Ismaili, Lefterije Lleshi dhe Suzana Frashëri.
Më tej, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi ndalimin e kandidimit për 6 aplikantë të tjerë, e konkretisht për: Altin Hazizaj, Elira Kokona, Genci Gjonçaj, Klodian Rado, Mimoza Qinami e Zhaklina Peto.
Për rastin e juristes Peto, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duket i paqartë në njoftimin zyrtar, ku informon për ndalimin e kandidimit të saj.
Në njoftimin publik të datës 03.08.2019, KED njofton se ka ndërmarrë procedurën e “shqyrtimit të gjetjeve në procedurën e verifikimit të kandidates Zhaklina Peto për kandidimet e saj në dy vendet vakante për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë”.
Në të njëjtin njoftim, KED shprehet në vijim se ka vendosur: “Ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018 dhe për vendin vakant (vakancë e parakohshme) të shpallur po nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018”.
Pra, njoftimi nuk saktëson nëse ndalimi i juristes Zhaklina Peto lidhet me dy vakancat apo vetëm për aplikimin e saj për një pozicion si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur në vëmendje se kriteret ligjore për të dy pozicionet janë thuajse identike, duket se ndalimi i Zhaklina Petos lidhet edhe me garën për Kryeinspektor të Drejtësisë.
Të vetmit që kanë marrë “viston” e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të vijuar garën për Kryeinspektor të Drejtësisë janë: Artur Malaj, Artur Metani, Eris Hysi dhe, së fundmi, edhe Marsida Xhaferllari.
Por, edhe dy prej të “miratuarve” nga KED, situata është ende e paqartë.
Gjyqtari i Apelit Administrativ, Artur Malaj, aktualisht është në proces para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Malaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik të vitit 2018, në përfundim të procesit të Vetingut.
Por, si Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ashtu edhe Komisioneri Publik shprehën kundërshtimin e tyre për konfirmimin në detyrë të Malajt. Komisioneri Publik, institucion i ngarkuar nga ligji për ankimet e vendimeve të KPK-së, paraqiti para Kolegjit të Posaçëm apelimin, në të cilin kërkon shkarkimin e tij nga detyra.
Rasti i Artur Malajt po gjykohet nga KPA dhe ende nuk është marrë vendim i formës së prerë mbi karrierën e tij në sistemin e drejtësisë.
Për kandidatin tjetër për Kryeinspektor të Drejtësisë, Artur Metani, aktualisht Avokat i Shtetit, ka dyshime për mos-plotësimin e kritereve formale ligjore për të vijuar garën.
“Boldnews.al” ka raportuar më parë se Artur Metani ka ndalim ligjor për të vijuar garën dhe, aq më tepër, për t’u zgjedhur Inspektor i Lartë i Drejtësisë.
Në këtë situatë, në mungesë të 5 kandidatëve zyrtarë sipas parashikimeve kushtetuese, por edhe me mundësinë e largimit nga gara edhe të dy kandidatëve që janë “kualifikuar” për momentin, Këshilli i Emërimeve do të duhet të rihapë sërish procesin e plotë për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Procedura e re pritet të marrë edhe disa muaj të tjerë, duke thelluar më tej problematikat e shkaktuara nga Reforma e keq-hartuar e Drejtësisë në Shqipëri.