Një numër vendesh evropiane kanë rënë dakord që të pranojnë mbi 100 emigrantë që u shpëtuan në Mesdhe javën e kaluar. Italia nuk pranoi që të lejonte 100 emigrantët në anijen Gregoretti të Rojës Bregdetare, që u shpëtuan në Mesdhe javën e kaluar, që të zbrisnin dhe anija kishte mbetur në portin e Augustës për disa ditë, duke pritur për vendimin.
Por ky problem u zgjidh. Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini pranoi zbarkimin e 100 emigrantëve në bord të Gregorettit, pasi u plotësuan kushtet e tij. Vetëm të miturit dhe ata që kishin nevoja urgjente shëndetësore ishin lejuar të zbarkoheshin më herët.
Zoti Salvini e kishte bërë shumë të qartë se deri kur të arrihej një marrëveshje për rishpërndarjen e imigrantëve në nivelin e Bashkimit Evropian, ata nuk do të lejoheshin të dilnin nga anija, që qëndroi e ankoruar në portin Augusta të Siçilisë për pesë ditë.
Zoti Salvini tha se problemi ishte zgjidhur, ndërsa pesë vende evropiane – Gjermania, Portugalia, Franca, Luksemburgu dhe Irlanda – si edhe disa ambjente të priftërinjve italianë, do të pranojnë 116 imigrantët që janë në anije.
Zoti Salvini ka thënë prej kohësh se Evropa nuk mund të vazhdojë të injorojë problemin e rrjedhës së vazhdueshme të imigrantëve që arrijnë në brigjet italiane, pasi kalojnë nga Libia. Shumë italianë janë dakord me zotin Salvini se Roma nuk mund ta përballojë këtë problem e vetme.
Duke iu drejtuar italianëve përmes mediave sociale, zoti Salvini vazhdimisht thekson se sa serioze dhe rigoroze është politika e qeverisë së tij për për të mos lejuar hyrjen nga portet të atyre që arrijnë ilegalisht në Itali.
Një numër shtetesh të BE-së kanë kritikuar sjelljen e qeverisë italiane, duke thënë se emigrantët nuk mund të lihen të mbyten në Mesdhe. Por zoti Salvini e ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet. Dhe sapo iu dha rrugë zgjidhjes së bllokimit me Gregorettin, një tjetër situatë u shfaq në horizont.
Një anije shpëtimi e një organizate gjermane, Alan Kurdi po shkonte drejt ishullit italian të Lampeduzës me 40 imigrantë të shpëtuar nga një gomone e mbimbushur. Mes të tjersh në anije janë një grua shtatzënë, tre fpmijë, një burrë i plagosur dhe dy persona të tjerë që i shpëtuan një shpërthimi me bombë në Libi para tre javësh.
Salvini i quan këto operacione shpëtimin nga organizata humanitare “provokime” dhe ka nënshkruar një urdhër që ndalon anijen të hyjë në ujërat italiane.