Aktivisti i shoqërisë civile, Pano Soko, e cilëson Teatrin Kombëtar një lloj Stalingradi të vogël ku ndahen rrjedhat mbi atë që do të ndodhë në të ardhmen.
Soko shkruan në rrjet se nëse Teatri shembet, Rama fiton një betejë, nëse nuk lejohet ta shembë, nis ndryshimi. Sipas tij, Teatri nuk është thjesht një godinë, por vija ndarëse mes Statusquos dhe ndryshimit.
Postimi i Pano Soko
Dy fjalë për Teatrin!
Teatri nuk është më një objekt. Teatri tashmë është një vijë demarkacioni ku ndahen dy grupe, pjesë të të njëjtës shoqëri.
Ata që duan të prishet dhe ata që nuk duan të prishet.Që të jem i sinqertë, sot në Shqipëri ka shumë persona që duan ta shohin të rrëzuar atë godinë. Jo për shkak të broçkullave propagandistike mbi “Dopolavoron” e italianëve apo gjoja amortizimit përtej mundësisë për t’u riparuar. As sepse Luftar Paja apo Ema Andrea i bindën ata me qëndrimet e tyre pro prishjes. As sepse nuk e kuptojnë se aty po luhet një aferë e madhe me qindra miliona euro.
Ata duan që ajo godinë të prishet, thjesht sepse e shohin shembjen e Tetarit si një fitore të Ramës. Më saktë, ata shohin mos-shembjen e tij si një humbje të Ramës. Dhe kanë frikë nga një humbje e tillë, sepse duke qënë një kauz mjaft popullore tashmë, një humbje mund të rezultojë me pasoja për pushtetin e Ramës.
Nga krahu tjetër janë ata që duan që Teatri të mos prishet. Dhe këtu, në 99% të rasteve, motivet janë totalisht politike. Këta (pra 99%-shi) duan që Teatri të mos prishet, jo sepse kanë ndjeshmëri të larta për memorien historike të Tiranës, apo për panteonizmin e aktrimit.
As sepse vjedhja e hapësirës publike në këtë rast po iu bën shumë përshtypje (tashmë s’ka më asnjë shifër lekësh dhe aferash që i trondit më shqiptarët – janë imunizuar). Por këta duan që të mos prishet Teatri, sepse, aty në thelb, ata duan një ndryshim.
Arsyet përse e duan këtë ndryshim, mund të jenë nga më të ndryshmet (dhe jo detyrimisht të lidhura me Teatrin) – papunësia, çmimet e rritura, pagat e parritura, spitalet, shkollat, taksat e dyqanit, fatura e ujit etj.. gjithsesi ata duan që gjërat të ndryshojnë dhe e shohin mos-prishjen e Teatrit si një shenjë shprese se gjërat do të ndryshojnë.
Pra një klasike – Frikë vs Shpresë.
Frika nga ndryshimi, kundër shpresës për ndryshim.Pavarësisht dëshirës, duhet kuptuar që kjo nuk është një përplasje mes gjithë popullit kundër një njeriu, Ramës, apo kundër nja 100 deputetëve e ministrave. Pra gjithë populli do prishjen e Teatrit dhe vetëm Rama me ministrat s’e duan.
Jo!
Duke qënë se kjo është tashmë një përplasje konceptesh politike, nga mbrapa janë pjesë të tëra të shoqërisë. Ata që duan ndryshim janë me qindra mijëra; dhe ata që duan të vazhdojmë siç jemi janë po qindra mijëra.
Ata që duan që Teatri të prishet, janë me qindra mijëra, ashtu siç janë me qindra mijëra dhe ata që s’duan.
Prandaj Teatri sot nuk është më thjesht një objekt. Ai është sot si një tip Stalingradi i vogël, ku ndahet fati i rrjedhës që do marrin ngjarjet – do të vazhdojmë kështu siç jemi, apo do të ndryshojmë.
Prandaj ka dhe kaq shumë kureshtje, angazhim, represion, vëmendje, taktika, lojëra, propagandë, vendosmëri, 7 hile 1 trimëri, sepse tashmë të gjithë e shohin atë që po ndodh me Teatrin ashtu siç është realisht.
Një vijë fronti në një nga betejat në luftën mes ndryshimit dhe status-quo-së.
Përfundimi? – Po u prish fitoi Rama një betejë, gjërat s’do ndryshojnë; po s’u prish fitoi ndryshimi, gjërat do fillojnë të ndryshojnë.
Kaq e thjeshtë është!